Kard. Koovakad n? Kili: aleanc? mes feve dhe kulturave n? promovimin e paqes
R.SH. / Vatikan
«Fetë dhe kulturat luajnë padyshim një rol të shumëfishtë dhe të rëndësishëm në ndërtimin e rrugëve të paqes», duke promovuar e lehtësuar «dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të feve dhe kulturave të ndryshme», me qëllim «ndërtimin e një bote më të drejtë, njerëzore, vëllazërore dhe paqësore». Këtë theksoi nga kardinali George Jacob Koovakad, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, i cili ndërhyri sot, e mërkurë 13 gusht, në Kongresin Ndërkombëtar me temë «Rrugët e paqes. Fetë dhe kulturat në dialog» që po zhvillohet në Temuco, Kili, i organizuar nga Universiteti Katolik vendas.
Roli i Papëve dhe thirrjet e tyre për pajtim
Duke kujtuar se «ndërtimi dhe promovimi i paqes kudo është një aspekt qendror i misionit të Kishës», kardinali Koovakad përmendi veprimtarinë e saj përmes «dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet feve dhe kulturave». Më pas, ai theksoi tre aspekte: së pari, rolin e Papës si «ndërtues urash», pasi «gjatë historisë, Papët kanë theksuar vazhdimisht rëndësinë e respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore ndërmjet të gjithë popujve». Dhe që nga fillimi i shekullit XX Papët, tha kardinali Koovakad, kanë luajtur gjithashtu edhe «një rol thelbësor në zgjidhjen e konflikteve, duke bërë thirrje për përmbajtje dhe ndërprerje të armiqësive, duke mbështetur negociatat dhe duke propozuar plane paqeje pas konflikteve dhe luftërave». Në këtë drejtim, Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar përmendi thirrjet e shumta për pajtim të bëra nga Papët ndër vite, së bashku me botimin e disa «dokumenteve dhe mesazheve të rëndësishme që synojnë promovimin e paqes».
Angazhimi diplomatik i Selisë së Shenjtë
Së dyti, kardinali Koovakad theksoi angazhimin diplomatik të Selisë së Shenjtë «për paqen, drejtësinë dhe zhvillimin», duke nënvizuar se – sidomos në periudhën aktuale – ajo ka «ngritur çështje që shkojnë nga të drejtat e njeriut e deri te çarmatimi» dhe duke u shfaqur si «aktor domethënës», i vlerësuar «për paanshmërinë dhe vëmendjen ndaj çështjeve humanitare». Kjo sepse – theksoi akoma kardinali – «diplomacia e Selisë së Shenjtë është një diplomaci paqeje».
Promovimi i dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor
Si pikë e tretë dhe e fundit, prefekti i Dikasterit të Vatikanit për dialogun ndërfetar iu referua promovimit të dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor për paqen: «Selia e Shenjtë – tha ai – është e sigurt se në botën e sotme, e karakterizuar nga një pluralizëm fetar dhe kulturor në rritje, dialogu me fetë dhe kulturat është thelbësor për të promovuar mirëkuptimin, respektin për diversitetin, ndërtimin e urave dhe paqen në shoqëri». E gjithë kjo, shpjegoi kardinali Koovakad, realizohet në mënyra të ndryshme: duke inkurajuar, udhëhequr dhe ndihmuar Kishat lokale në promovimin e dialogut ndërfetar; duke organizuar takime ndërfetare; duke lehtësuar formimin e atyre që mund të angazhohen në këtë sektor; duke mirëpritur dhe dialoguar me delegacione të grupeve të ndryshme fetare; duke nisur kështu një dialog bilateral veçanërisht me myslimanët; duke u dërguar mesazhe grupeve të ndryshme fetare me rastin e festave dhe ngjarjeve të rëndësishme që kanë.
Detyra e Dikasterit të Vatikanit për Kulturën dhe Edukimin
Qendror është edhe promovimi i dialogut ndërfetar «në një frymë ekumenike uniteti dhe bashkëpunimi», së bashku me lehtësimin dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet kulturave të ndryshme, «me qëllim që të nxitet mirëkuptimi i ndërsjellë dhe të kontribuohet në ndërtimin e një bote më gjithëpërfshirëse dhe harmonike». Kjo detyrë kryhet në mënyrë specifike nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Kulturën dhe Edukimin.