杏MAP导航

K?rko

2025.07.08 Mostra Maria Maddalena Agrigento

Zjarri i Dashuris?: Maria Magdalen? nd?rmjet artit e fes?, n? Agrigento

Muzeu Dioqezan i "Qytetit t? Tempujve" ofron nj? soditje, q? g?rsheton artin, fen? dhe identitetin kulturor: ?sht? ekspozita kushtuar Sh?n Maris? Magdalen?, me kryevepra nga Mesjeta - deri n? shekullin e 19-t?. Vepra nga mjeshtra t? m?dhenj italian?, shoq?ruar me nj? huazim t? jasht?zakonsh?m nga Muzet? e Vatikanit, ekspozohen s? bashku me shembuj t? p?rkushtimit popullor vendas. Ekspozita ?sht? e hapur ?do dit? deri m? 30 tetor

R.SH. - Vatikan

Ta quajmë thjesht ekspozitë do të ishte nënvlerësim. Nuk i mungojnë kryeveprat e mëdha, por ngjarja, që zgjat deri më 30 tetor në Muzeun Dioqezan të Agrigentos, është shumë më tepër: udhëtim introspektiv që synon të përcjellë, përmes imazheve të mrekullueshme të artit, nga Mesjeta deri në shekullin e 19-të, gjendjen njerëzore dhe udhëtimin ndonjëherë të mundimshëm të krishterë: nga dështimet - në pendim, rimëkëmbje dhe kthesë.

Ekspozita në Muzeun Dioqezan të Agrigentos
Ekspozita në Muzeun Dioqezan të Agrigentos

Frymëzimi buron nga apostullja e apostujve, dëshmitarja e parë e Ngjalljes. Asaj ia kushton Ekspozitën me titull "Zjarri i Dashurisë: Maria Magdalena, Dëshmitare e Shpresës Femërore", Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Kulturën. Grua misterioze, dëshmitare e heshtur e dhimbjes dhe më pas, e gëzimit, "figurë komplekse", siç e përshkruan Domenica Brancato, Drejtoreshë e Muzeut Dioqezan të Agrigentos: "Maria Magdalena ndonjëherë nuk është kuptuar si duhet, madje as nga  perspektivat letrare, artistike dhe kinematografike, ndërsa duhej parë në shumë aspekte".

Interpretime të ndryshme

Kjo grua e vetme simbolizon shumë figura femërore: shenjtore, pendestare, eremite, simbole të mëkatit dhe të pendesës, besnikërisë, vuajtjes dhe dashurisë, mishërimit dhe shenjtërisë. Secili prej këtyre aspekteve është i pranishëm në veprat e ekspozuara në këtë udhëtim të paparë ikonografik, biblik dhe kulturor: ashtu si emrat e artistëve vendas, deri tek ato të mjeshtrave të mëdhenj, të njohur botërisht.

Ekspozita në Muzeun Dioqezan të Agrigentos
Ekspozita në Muzeun Dioqezan të Agrigentos

Nga traditat lokale, në ato universale

"Ne filluam duke studiuar rajonin tonë, ku kulti i Marisë Magdalenë është ndjerë që nga Mesjeta. Maria Magdalenë - vazhdon Brancato - është e pranishme në Manastirin e Shpirtit Shenjt, në ato afreske të mrekullueshme të shekullit të 14-të. Por edhe në tavanet tona prej druri të shekullit të 15-të. Ajo prek edhe heraldikën, duke u bërë stema e qytetit të Sciacca-s: për këtë rast, ne ekspozuam një flamur të restauruar së fundmi. Është stema e lashtë e Sciacca-s me Magdalenën ndërmjet luanëve. Devocioni popullor vendas përfaqësohet mirë në ekspozitë, me instalimin e posterave të Cammarata-s dhe pikturat e devotshme të Fra Felice da Sambuca-s."

Ekspozita në Muzeun Dioqezan të Agrigentos
Ekspozita në Muzeun Dioqezan të Agrigentos

Kryeqyteti i Kulturës, në Vitin Jubilar

Në një vit të rëndësishëm për Agrigenton i cili, përveç kremtimit të Jubileut, është Kryeqyteti Italian i Kulturës, nuk mund të mungonin emra të mëdhenj: Guercino, Cecco del Caravaggio, Nicolas Regnier, Mattia Preti, Francesco Hayez, për të përmendur vetëm disa.

Il Guercino, Shën Maria Magdalena e Penduar, vaj mbi kanavacë, 1622, Muzetë e Vatikanit
Il Guercino, Shën Maria Magdalena e Penduar, vaj mbi kanavacë, 1622, Muzetë e Vatikanit

Il Guercino i Muzeve të Vatikanit

"Jemi të nderuar që kemi praninë e emrave me autoritet në historinë e artit italian, si Guercino - thotë drejtori - "Muzetë e Vatikanit po vënë në dispozicion një nga veprat më të rëndësishme në koleksionin e tyre, e cila rrallë huazohet. Kjo ndodhi gjatë ekspozitës së fundit të madhe në “Scuderie del Quirinale". Është "Shën Maria Magdalena e Penduar" - vaj mbi kanavacë. "Vepër mahnitëse! Poezi e pastër. Ajo përfaqëson fazën e pjekur të karrierës profesionale të artistit: përvetësimin e përkryer të klasicizmit".

Giovanni Di Pietro da Napoli, Kryqëzimi dhe Shpallja, tempera dhe ar në panel, shekulli i 15-të, Muzeu Kombëtar i San Matteos, Piza
Giovanni Di Pietro da Napoli, Kryqëzimi dhe Shpallja, tempera dhe ar në panel, shekulli i 15-të, Muzeu Kombëtar i San Matteos, Piza

Kryevepra të huazuara nga muzetë kryesorë

"Përkrah Guercinos, i cili është krenaria e ekspozitës" - vazhdon ai - "ka vepra shumë të vlefshme që ndjekin një rrugë kohore, historiko-artistike përmes evolucionit ikonografik të Magdalenës. Një panel mesjetar, gotik i vonë, me një sfond të artë, nga Muzeu Kombëtar i Pizës, vepër e Giovanni Di Pietros", që pikturon gruan tek këmbët e kryqit, është figurë kryesore në pikturën toskane ndërmjet shekujve të 14-të dhe 15-të. "Kemi edhe dy vepra nga Andrea Vaccaro, secila me një ndikim të ndryshëm dramatik. Njëra vjen nga Palazzo Abatellis dhe tjetra nga Muzeu San Matteo në Salerno. Galeria Kombëtare e Artit Antik Barberini-Corsini në Romë është gjithashtu e përfshirë në huazimin e Cecco di Caravaggio-s, një vepër e shekullit të 17-të, "ndoshta më sensuale nga ato që janë ekspozuar". E është edhe Mattia Preti me një kanavacë të vitit 1699 nga Fondacioni Carìt: Magdalena qan, ndërsa sodit dy gozhda nga kryqi i Krishtit, por pavarësisht subjektit pendestar, e qara mbetet himn lavdërimi për bukurinë femërore.

Cecco di Caravaggio, Magdalena, vaj mbi kanavacë, shekulli i 17-të, Galeritë Kombëtare të Artit të Lashtë. Palazzo Barberini-Corsini
Cecco di Caravaggio, Magdalena, vaj mbi kanavacë, shekulli i 17-të, Galeritë Kombëtare të Artit të Lashtë. Palazzo Barberini-Corsini

Nga drama - në poezi

Shtegtimi kronologjik përfundon me Kryqëzimin e Pietro Hayez nga Muzeu Dioqezan i Milanos: "Jemi në mes të romantizmit dhe prekim akordet e poezisë së pastër" - vëren Domenica Brancato. Artisti pikturon Krishtin dhe Maria Magdalenën të zhytur në heshtje absolute, ku dhimbja sublimohet në bukurinë formale dhe fuqinë evokuese të çastit.

Francesco Hayez, Kryqëzimi me Magdalenën duke u gjunjëzuar dhe duke qarë, vaj mbi kanavacë, 1827, Muzeu Dioqezan Carlo Maria Martini, Milano
Francesco Hayez, Kryqëzimi me Magdalenën duke u gjunjëzuar dhe duke qarë, vaj mbi kanavacë, 1827, Muzeu Dioqezan Carlo Maria Martini, Milano

Bibla, prijëse në rrugën e dashurisë

Veprat shoqërohen me fragmente nga Bibla. "Zjarri i Dashurisë", që i jep ekspozitës titullin, të kujton figurën e Maria Magdalenës e cila, nga  mëkatare, shndërrohet dhe ngrihet përsëri në këmbë, duke ndjekur Krishtin. Duke shfletuar Jereminë Profet, lexojmë: "Por në zemrën time kishte diçka si zjarr që digjej brenda kockave të mia; u përpoqa ta mbaja brenda, por nuk munda" (Jeremia 20:7-9). "Ekspozita është një paralajmërim për të gjitha ndërgjegjet tona", thekson drejtoresha.

Ekspozita në Muzeun Dioqezan të Agrigentos
Ekspozita në Muzeun Dioqezan të Agrigentos

Pasuria e muzeve dioqezane

Ekspozita, e hapur çdo ditë deri më 30 tetor, thekson rëndësinë e muzeve dioqezane parë si pika referimi për rizbulimin e rrënjëve të krishtera të zonës: "Janë institucione të vogla, të veçanta dhe në rritje". "Por kanë mundësinë" - vëren Drejtoresha Brancato - ta përmirësojnë trashëgiminë historike dhe artistike dhe të krijojnë nisma baritore për zonën, me ndikim të rëndësishëm shoqëror".

11 korrik 2025, 15:46