杏MAP导航

K?rko

Mot?r Nathalie Becquart, zv.Sekretare e Sekretaris? s? P?rgjithshme t? Sinodit Mot?r Nathalie Becquart, zv.Sekretare e Sekretaris? s? P?rgjithshme t? Sinodit

Sinodi, mot?r Becquart: dokumenti i ri nxit shk?mbimin nd?rmjet Kishave lokale

Zv.Sekretarja e Sekretaris? s? P?rgjithshme t? Asambles? s? Ipeshkvijve thekson p?r mediat e Vatikanit se faza e re e zbatimit do t'i ndihmoj? bashk?sit? e ndryshme kishtare t? dalin nga izolimi p?rmes tri fjal?ve ky?e: "bashk?si, pjes?marrje, mision"

R.SH. – Vatikan

Zbatimi dhe konkretizimi i Sinodit në "nivelin lokal", nëpërmjet një "shkëmbimi dhuratash" ndërmjet bashkësive kishtare në mbarë botën. Ky është thelbi i dokumentit të publikuar më 7 korrik, nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit, me titull "Linja për fazën e zbatimit të Sinodit". Motër Nathalie Becquart, zv.Sekretare e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, diskuton objektivat e dokumentit dhe nevojën për ta zbatuar atë në praktikë në një bisedë me mediat e Vatikanit.

Motër Becquart, Sinodi publikoi kohët e fundit dokumentin e ri me titull "Linja për fazën e zbatimit të Sinodit", tekst që nënvizon rëndësinë e shkëmbimit ndërmjet Kishave. A mund të shpjegoni se çfarë parashikohet për fazën e zbatimit?

Kjo fazë filloi menjëherë pas Sinodit, i cili përfundoi në Romë në tetor 2024. Dokumenti Përfundimtar i tij, i miratuar, për herë të parë, personalisht, nga Papa Françesku është pjesë e magjisterit të zakonshëm, që duhet zbatuar në kontekstet e larmishme të Kishave lokale, në tre vite. Në tetor 2028, do të mbahet një Asamble Kishtare në Romë për të kryer një lloj vlerësimi. Kjo do të bëhet edhe në nivelin lokal, me asamble dioqezane, si edhe në nivel kombëtar dhe kontinental. Do të kërkojë kohë, por ka rëndësi të ndjekim procesin hap pas hapi, të ecim përpara.

E gjithë Kisha është përfshirë në nismën e sinodalitetit. Por, shumë mund të pyesin: "Çfarë është sinodaliteti?" Disa pyesin në mënyrë kritike, por shumë të tjerë pyesin në mirëbesim. A mund të jepni një përkufizim bazë?

Po. Tani kemi përkufizimin e Dokumentit Përfundimtar të Sinodit, të cilit i referohem gjithmonë, por mund ta kuptojmë sinodalitetin në dy mënyra të ndryshme. Për të parën, shpesh citoj një teolog australian, që ishte i pranishëm në asamble, Ormond Rush, i cili thotë: "Sinodaliteti është Koncili II i Vatikanit në pak fjalë". Të gjitha dokumentet tona theksojnë se gjithçka bëjmë lidhet vërtet me vizionin e Koncilit. Sinodaliteti është mënyra për të kuptuar ekleziologjinë e Vatikanit II. Sepse, në një farë mënyre, ai ende nuk është zbatuar plotësisht kudo.

Mënyra tjetër - më e thjeshtë - i referohet logos sonë dhe nxjerr në pah tri fjalë kyçe: bashkim, pjesëmarrje, mision. Mund të themi se sinodaliteti është mënyrë për ta ndihmuar Kishën të bëhet më misionare dhe më gjithëpërfshirëse. Prandaj, sinodaliteti është çka i kërkon sot Zoti Kishës për ta ushtruar më mirë misionin e saj.

Duhet ta kuptojmë sinodalitetin në të dyja mënyrat: një mënyrë për të qenë Kishë, si vëllezër dhe motra në Krishtin dhe një mënyrë për të qenë Kishë, që punon me të gjithë të tjerët. Prandaj, kjo rrugë shkon krah për krah me ekumenizmin, i cili ishte një nga frytet më të fuqishme të Sinodit, por edhe me dialogun ndërfetar, dialogun me shoqërinë, me të gjithë njerëzit. Duhet theksuar nevoja për t'i dëgjuar të gjithë, veçanërisht të varfrit dhe të mënjanuarit. Të jemi një Kishë mikpritëse, e gatshme të punojmë me të gjithë për të kumtuar Ungjillin.

Të kalojmë tani te dokumenti "Linjat për fazën e zbatimit të Sinodit": cili është qëllimi i tij dhe çfarë shpresoni të arrini me të?

Ky dokument u përgjigjet pyetjeve të thjeshta; shërben për të mbështetur, para së gjithash, zbatimin e Sinodit në nivel lokal; por njëkohësisht, mbështet edhe atë që quajmë "shkëmbim dhuratash" ndërmjet Kishave lokale. Jemi një Kishë, por me situata, kultura dhe kontekste të ndryshme. Edhe mënyra si e jetojmë misionin tonë në këtë larmi plazmohet nga kultura. Çdo Kishë lokale ka rrugën e vet, por nuk mund të ekzistojë e izoluar. Prandaj, ky dokument thekson se kthesa sinodale nuk mund të arrihet vetëm, përkundrazi, është shumë e rëndësishme që Kisha të ndryshme lokale të punojnë së bashku. Kjo mund të ndodhë në nivelin e provincave kishtare; ndërmjet dioqezave; brenda konferencave ipeshkvnore (zakonisht në nivel kombëtar); si edhe në nivelin kontinental. Ky dokument ndihmon të theksohet rëndësia e ndarjes së fryteve të udhëtimit sinodal në nivel lokal me të tjerët. Kjo është arsyeja pse plani për fazat e ardhshme, i miratuar nga Papa Françesku dhe më pas nga Papa Leoni XIV, parashikon disa faza, me asamble në dioqezat dhe në eparkitë e Kishave Lindore, të ndjekura nga takime kombëtare dhe kontinentale. Së fundi, do të ketë një Asamble Kishtare në Romë për të siguruar që të punojmë së bashku si Kisha lokale. Nuk është e lehtë të vihet në zbatim sinodaliteti dhe rrugët e përcaktuara për çdo bashkësi të krishterë. Për shembull, në historinë e Kishës, mund të duhen nga 100 deri në 150 vjet për të vënë në jetë një Koncil. Do të jap një shembull shumë konkret për ta shpjeguar këtë. Kur u mblodh Koncili i Trentit, një nga temat e rëndësishme ishte formimi për meshtarët; doli ideja e organizimit të formimit në seminare siç e njohim ne sot. Por në disa vende, u deshën më se 100 vjet për të miratuar dhe për t'i zbatuar vërtet këshillat e Koncilit.

Cilat janë rezultatet e arritura deri tani në zbatimin e sinodalitetit?

Shumë nuk kanë pritur dokumentin aktual, por e kanë filluar rrugën. E shpresojmë që me dokumentin, shumë të tjerë do ta vazhdojnë këtë udhëtim sinodal. Shumë konferenca ipeshkvnore, organizma kishtare kontinentale, por edhe organizata si Bashkimi Ndërkombëtar i Eprorëve të Përgjithshëm për Jetën Rregulltare dhe lëvizje të tjera ndërkombëtare, kanë krijuar tashmë ekipet e tyre sinodale e shpresojmë që shumë të tjera do të formohen. Në disa dioqeza, janë krijuar role të reja: për shembull, një vikar i përgjithshëm për sinodalitetin, ose një grua laike si drejtoreshë e zbatimit sinodal. Mund të themi se në shumë vende, sinodaliteti është i përqafuar brenda strukturave institucionale.

Pastaj, shohim se shumë dioqeza po organizojnë sinode dioqezane për të parë si të zbatohet sinodaliteti në nivelin lokal. Për shembull, në Australi, u organizua një Këshill Plenar dhe më pas Sinodi mbi Sinodalitetin. E kështu po bëjnë pothuajse të gjitha dioqezat, duke mbajtur sinode dioqezane, por edhe asamble sinodale, procese sinodale. Mund të jap një shembull: në kryedioqezën e Abixhanit në Bregun e Fildishtë, vendosën që tema e vitit baritor të jetë drejtimi i një Kishe sinodale. E bënë një lloj vlerësimi në fund të vitit baritor, duke nxjerrë në pah shumë fryte. Është shumë interesante.

Pra, Shpirti Shenjt po vepron. Rezultatet i ndajmë në faqen e internetit të Sinodit, "Synod Resources", në mënyrë që të frymëzojë të tjerët të kuptojnë si ta vazhdojnë këtë kthesë sinodale në kontekstin e tyre, si edhe të zbatojnë frytet e Sinodit, duke marrë parasysh Dokumentin Përfundimtar.

14 korrik 2025, 16:12