Sinodi, miratohen "Gjurm?t p?r faz?n e zbatimit"
R.SH. / Vatikanit
Mjet, për të "shoqëruar fazën përfundimtare të procesit sinodal" dhe tekst "në shërbim të dialogut ndërmjet Kishave vendase dhe Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit", për të "nxitur shkëmbimin e përvojave ndërmjet Kishave": këto janë Gjurmët për fazën e zbatimit të Sinodit, miratuar nga vetë Sekretaria e asamblesë gjatë Këshillit XVI të Zakonshëm, mbajtur më 26 dhe 27 qershor. Dokumenti u njoftua përmes një komunikate për shtyp nga i njëjti organ, duke saktësuar se tekstet mund të shfrytëzohen edhe në faqen e internetit të Sekretarisë së Përgjithshme () të hënën e ardhshme, më 7 korrik.
Katër kapitujt e dokumentit
Ndarë në katër kapituj, Gjurmët për fazën e zbatimit të Sinodit ofrojnë para së gjithash "një çelës interpretues për fazën e zbatimit të procesit sinodal të Kishës"; më pas përqendrohen në subjektet të cilave u drejtohen, përkatësisht ipeshkvit dioqezan dhe ekipeve sinodale. Pastaj, në Kapitullin III, ofrohen disa kritere, në mënyrë që faza e zbatimit në nivelin e Kishave lokale të jetë në harmoni me atë të Kishës, në tërësi. Së fundi, teksti mbyllet duke trajtuar çështjen e metodës dhe të mjeteve.
Promovimi i shkëmbimit ndërmjet Kishave lokale
Shënimi saktëson edhe se faza e zbatimit të procesit sinodal - duke pasur si pikë referimi Dokumentin përfundimtar të Asamblesë së XVI të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, mbajtur në tetor 2024 - mund të gjejë në Gjurmët “një sërë udhëzimesh, në përgjigje të pyetjeve të bëra në muajt e fundit nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve, që e ka për detyrë ta shoqërojë dhe ta mbështesë këtë udhëtim, duke nxitur shkëmbimin e dhuratave ndërmjet Kishave vendase”, sipas “parimit të dialogut rrethor”.
Drejt Jubileut të ekipeve sinodale
Gjatë takimit, u bënë edhe disa ndryshime lidhur me Jubileun e ekipeve sinodale dhe organeve pjesëmarrëse (të planifikuara për 24 deri në 26 tetor); me punën e Grupeve të Studimit të krijuara nga Papa Françesku dhe me disa veprimtari që po zhvillohen në Kishat lokale. Lidhur me pikën e parë, “u vendos të zgjatet deri më 31 korrik 2025, afati i regjistrimit”, i cili deri tani është bërë në pesë kontinentet, ndërsa programi zyrtar i ngjarjes është duke u zhvilluar, me “çaste formimi e shkëmbimi ndërmjet realiteteve të ndryshme sinodale”.
Shkollat ??e sinodalitetit
Në lidhje me Kishat lokale, “u vërejt dinamizmi i madh, i pranishëm në shumë dioqeza, në të katër anët e botës, të cilat tashmë kanë ndërmarrë rrugën e zbatimit me entuziazëm dhe frymë krijuese”. “Formimi i besimtarëve për sinodalitetin e Kishës dhe, në veçanti, i punonjësve baritorë - nënvizohet më tej në shënim - është sigurisht një nga elementet që po trajtohen më shumë këto muajt e fundit. Madje u krijuan edhe shkolla sinodaliteti, përmes të cilave Kishat lokale po edukojnë në dëgjim, në dallim komunitar dhe kishtar, si dhe në bashkëpërgjegjësi”.
Puna e Grupeve të studimit
Së fundi, anëtarët e Këshillit u informuan për punën e Grupeve të Studimit krijuar nga Papa Françesku pas Sesionit të parë të Asamblesë së Përgjithshme të XVI. Pas vdekjes së Jorge Mario Bergoglios dhe zgjedhjes së Leonit XIV, puna e këtyre Grupeve u ngadalësua. Prandaj, me marrëveshje të anasjelltë me Papën, "u vendos të zgjatet afati për dorëzimin e raporteve përfundimtare deri më 31 dhjetor 2025". Njëkohësisht, në frymën e "transparencës", Grupeve iu kërkua të dorëzojnë një raport të shkurtër në Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit deri në fund të qershorit 2025. Këto raporte do të publikohen menjëherë në faqen e internetit të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, sapo të mbërrijnë.
Emërimet për tetorin e ardhshëm
Takimi i Këshillit XVI të Zakonshëm - që u hap më 26 qershor nga Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, Kardinali Mario Grech, e që më pas vazhdoi me një çast dialogu me Leonin XIV - përfundoi në pasdite vonë, të premten, më 27 qershor. Disa këshilltarë të Sekretarisë së Sinodit morën pjesë "personalisht edhe përmes internetit". Ndërsa në takim mungonte Fortlumturia e Tij Youssef Absi, Patriarku i Antiokisë së Greko-Melkitëve, i cili "po shoqëron, së bashku me krerët e tjerë të Kishave të Krishtera, besimtarët e krishterë të prekur pas sulmit të fundit në një Kishë në Damask".
Takimi i radhës i Këshillit të zakonshëm, do të zhvillohet nga pasditja e së dielës, 26 tetor 2025 – deri në përfundim fund të së hënës, 27 tetor 2025.