Shteti i Palestin?s dhe p?rgjegj?sia e bashk?sis? nd?rkomb?tare
R.SH. - Vatikan
Andrea Tornielli
Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se Franca do ta njohë Shtetin e Palestinës dhe se njoftimi solemn do të bëhet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shtatorin e ardhshëm. Ndërkohë, po punohet për të organizuar "Konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë për zgjidhjen paqësore të çështjes palestineze dhe zbatimin e zgjidhjes me dy Shtete", planifikuar të mbahej në Selinë e OKB-së, në Nju Jork, qershorin e kaluar, nën kujdesin e qeverive franceze dhe saudite, por që u shty për shkak të sulmit izraelit kundër Iranit.
Drama në vijim, në Gaza, masakrat e përsëritura të dhjetëra mijëra civilëve të pafajshëm që humbën jetën nën bomba dhe tani po vdesin nga uria dhe vështirësitë, ose qëllohen ndërsa përpiqen të arrijnë ushqim, duhet t'ua bëjnë të qartë të gjithëve se sa urgjente është të ndalen sulmet ushtarake që po shkaktojnë masakra, e në të njëjtën kohë, sa themelore është bërë zgjidhja për çështjen palestineze. Kjo zgjidhje, që Selia e Shenjtë e ka kërkuar vazhdimisht për dekada, nuk mund të arrihet kurrë pa kontributin aktiv të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe të vendeve të përfshira drejtpërdrejt në një situatë të tillë!
Është e dobishme të kujtojmë se Selia e Shenjtë tashmë nënshkroi një marrëveshje të parë bazë me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO) 25 vjet më parë. Pastaj, dhjetë vjet më parë, nënshkroi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse me Shtetin e Palestinës, që hyri në fuqi në janar 2016. Ky vendim dhe kjo njohje, janë në përputhje me shqetësimin e shprehur nga Papët që nga viti 1948 për gjendjen e Vendeve të Shenjta dhe fatin e palestinezëve.
Pali VI ishte Papa i parë që pohoi në mënyrë të qartë se ata ishin dhe janë popull, dhe jo thjesht grup refugjatësh lufte. Në mesazhin e tij të Krishtlindjes të vitit 1975, Papa Montini u kërkoi bijve të popullit hebre, të cilët tani e shihnin shtetin e tyre sovran të Izraelit të konsoliduar, të "njihnin të drejtat dhe aspiratat legjitime të një populli tjetër, që vuajti gjithashtu për një kohë të gjatë, popullit palestinez".
Në fillim të viteve 1990, Gjon Pali II kishte vendosur marrëdhënie si me Shtetin e Izraelit (1993) ashtu edhe me PLO-në (1994), në një kohë kur palët dukeshin afër një marrëveshjeje dhe njohjeje të dy shteteve. Në shkurt të vitit 2000, disa muaj para hyrjes së Kryeministrit izraelit Ariel Sharon në Malin e Tempullit, gjë që shkaktoi Intifadën e dytë, Selia e Shenjtë nënshkroi marrëveshjen bazë të lartpërmendur me PLO-në.
Me të mbërritur në Betlehem në mars të vitit 2000, Gjon Pali II deklaroi: "Selia e Shenjtë e ka pranuar gjithmonë se populli palestinez ka të drejtën natyrore për një atdhe dhe të drejtën për të jetuar në paqe dhe qetësi me popujt e tjerë të kësaj zone. Në nivel ndërkombëtar, unë dhe paraardhësit e mi kemi theksuar vazhdimisht se konflikti i trishtueshëm në Tokën Shenjte nuk mund të merrte fund pa garanci të forta për të drejtat e të gjithë popujve të përfshirë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e deklaratat e rëndësishme të Kombeve të Bashkuara".
Nëntë vjet më vonë, Benedikti XVI gjatë vizitës së tij në Tokën e Shenjtë, përsëriti: "Të njihet universalisht se Shteti i Izraelit ka të drejtë të ekzistojë dhe të gëzojë paqe e siguri brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Le të njihet po aq mirë se populli palestinez ka të drejtë për një atdhe sovran dhe të pavarur, për të jetuar me dinjitet dhe për të udhëtuar lirisht. Le të bëhet realitet "zgjidhja me dy shtete" dhe të mos mbetet ëndërr”.
Në vitin 2012, Selia e Shenjtë mbështeti pranimin e "Shtetit të Palestinës" si anëtar vëzhgues i Kombeve të Bashkuara.
Gjatë udhëtimit të tij në Tokën e Shenjtë në maj 2014, Papa Françesku i përsëriti Presidentit palestinez Mahmoud Abbas:
"Ka ardhur koha që të gjithë të kenë guximin e bujarisë dhe të frymës krijuese në shërbim të së mirës, si dhe guximin e paqes, i cili bazohet në njohjen universale të së drejtës së dy shteteve për të ekzistuar dhe për të gëzuar paqe dhe siguri brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht".
E ai për herë të parë e quajti vendin mikpritës "Shteti i Palestinës".
Kjo çoi në Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, nënshkruar në qershor 2015, që këmbëngul për zgjidhjen me dy shtete, parashikuar tashmë në Rezolutën 181 të OKB-së të nëntorit 1947. Preambula e Marrëveshjes, përmes një reference ndaj ligjit ndërkombëtar, përshkruan disa pika kyçe, duke përfshirë: vetëvendosjen e popullit palestinez, objektivin e zgjidhjes me dy shtete, rëndësinë më shumë se simbolike të Jerusalemit dhe karakterin e tij të shenjtë për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, dhe vlerën e tij universale fetare e kulturore si thesar për të gjithë njerëzimin. Prandaj, preambula riafirmon të drejtën e popullit palestinez "për liri, siguri dhe dinjitet në një shtet të pavarur të vetin", "Shtetin e pavarur, sovran, demokratik dhe të qëndrueshëm të Palestinës, bazuar në kufijtë e para vitit 1967, në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës e duke jetuar krah për krah në paqe e siguri me të gjithë fqinjët e tij".
Duke kujtuar Marrëveshjen Bazë me PLO-në të vitit 2000, Marrëveshja Gjithëpërfshirëse ripërtëriu thirrjen për një "zgjidhje të drejtë të çështjes së Jerusalemit, bazuar mbi rezolutat ndërkombëtare", duke deklaruar se "vendimet dhe veprimet unilaterale, që ndryshojnë karakterin dhe statusin specifik të Jerusalemit, janë moralisht dhe ligjërisht të papranueshme" dhe se "çdo masë unilaterale e paligjshme, e çdo lloji, është e pavlefshme" e "përbën pengesë për ndjekjen e paqes".
Kjo përmbledhje e shkurtër dëshmon qartësinë dhe realizmin e qëndrimit të përmbajtur në thirrjet e Papëve të fundit, në deklaratat e Selisë së Shenjtë drejtuar Kombeve të Bashkuara dhe në marrëveshjet e nënshkruara deri më sot. Menjëherë pas sulmit terrorist çnjerëzor të kryer nga Hamasi më 7 tetor 2023, Papa Françesku dënoi masakrën dhe bëri thirrje të përsëritura publikisht për lirimin e të gjithë pengjeve.
Në të njëjtën kohë, ndërsa njohu të drejtën e Izraelit për t'u vetëmbrojtur, Selia e Shenjtë kërkoi vazhdimisht - më kot - që të gjithë palestinezët në Rrip të mos vihen në shënjestër pa dallim e, gjithashtu, bëri thirrje për ndalimin e sulmeve të kolonëve kundër popullsisë palestineze që jeton në territoret e Shtetit të Palestinës, njohur zakonisht si Bregu Perëndimor. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi: në Gaza, dhe jo vetëm në Gaza, po dëshmojmë sulme që nuk kanë asnjë justifikim dhe përfaqësojnë një masakër, që rëndon mbi ndërgjegjen e të gjithëve.
Siç e deklaroi qartë dhe pa mëdyshje Leoni XIV në Engjëllin e së dielës, më 20 korrik, është urgjente dhe e nevojshme të "respektohet ligji humanitar" dhe "detyrimi për të mbrojtur civilët, si dhe ndalimi i ndëshkimit kolektiv, përdorimi pa dallim i forcës dhe zhvendosja me forcë e popullatave". Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të vazhdojë të qëndrojë duarkryq dhe të shikojë këtë masakër, që vazhdon. Shpresohet që Konferenca Ndërkombëtare e Nivelit të Lartë për Zgjidhjen Paqësore të Çështjes Palestineze dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete, duke njohur urgjencën e një përgjigjeje të përbashkët ndaj gjendjes së vështirë të palestinezëve, do të ndjekë me vendosmëri zgjidhjen për të siguruar, më në fund, që njerëzit të kenë një shtet me kufij të sigurt, të respektuar dhe të njohur.