Selia e Shenjt? dhe Azerbajxhani n?nshkruajn? marr?veshje p?r dialogun nd?rfetar
R.SH. – Vatikan
Një udhëtim i gjatë, që i ka rrënjët në Koncilin II të Vatikanit, i karakterizuar gjatë viteve nga dialogu dhe respekti i ndërsjellë, që kulmoi me Marrëveshjen dypalëshe të vitit 2011, pasuruar tani nga një Memorandum i mëtejshëm Mirëkuptimi mbi dialogun ndërfetar. Sot në Vatikan, autoritetet e Azerbajxhanit nënshkruan, në praninë e prefektit të Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, kardinalit George Koovakad, dokumentin që ka të bëjë me një "fushë jetësore" – me dialogun ndërmjet feve të ndryshme. Për kardinalin, ai përfaqëson "shenjën e qartë të dëshirës së përbashkët për të vazhduar punën e përbashkët për formimin e gjithanshëm të njeriu, besimtarë e qytetarë".
Inkurajimi i Papëve
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit, kardinali Koovakad vërejti se, "në dekadat e fundit, Selia e Shenjtë dhe Republika e Azerbajxhanit kanë dëshmuar dëshirën e përbashkët për t’i zhvilluar dhe për t’i forcuar marrëdhëniet e tyre" me një sërë hapash, të inkurajuar - kujton ai - nga Shën Gjon Pali II në vitin 2002 dhe nga Papa Françesku në tetor 2016, pa harruar vizitën e vitit 2008 në Azerbajxhan, në të cilën kardinali Bertone shprehu afërsinë e Benediktit XVI.
Memorandumi i nënshkruar sot bazohet në marrëveshjen dypalëshe të prillit 2011 ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Azerbajxhanit, e cila, vëren prefekti, përveçse ka konsoliduar marrëdhëniet dypalëshe dhe i ka mundësuar Kishës të kryejë misionin e saj në Republikën kaukaziane, është bërë "mjet i vlefshëm për promovimin e parimit të lirisë fetare", sanksionuar në Kushtetutën e vetë Azerbajxhanit. Një tekst, vërejti ai, që tregon "respekt për një bashkësi fetare pakicë dhe dëshmon se të krishterët dhe myslimanët mund të jetojnë së bashku në harmoni".