Papa rikthehet n? Vatikan: ndaloni arm?t, k?mb?ngulni p?r dinjitetin e ?do njeriu
R.SH. / Vatikan
Duhet t’i ulim armët dhe ta ndalojmë tregtinë, që nis pas çdo lufte: ky është mesazhi që Leoni XIV ua dorëzoi mbrëmë disa gazetarëve, ndërsa largohej nga Villa Barberini për në Castel Gandolfo pasi kishte kaluar atje 16 ditë, për t'u kthyer në Vatikan.
Papa Leoni XIV u kthye mbrëmë, më 22 korrik, pak para orës 21:00, në Vatikan. Përshëndeti shumë njerëz, që prisnin largimin e tij dhe iu përgjigj pyetjeve të disa gazetarëve mbi çështjet aktuale ndërkombëtare dhe situatën në Gaza.
Lidhur me mundësinë e vizitës në vendet e vuajtjes, siç është Rripi i Gazës, Papa Leoni shpjegoi se "ka shumë vende" që ai personalisht do të donte të vizitonte, "por nuk është e domosdoshme formula, për të gjetur përgjigje". Përkundrazi, shpjegoi ai, "ne duhet t'i inkurajojmë të gjithë t’i ulin armët e të braktisin tregtinë, që fshihet pas çdo lufte. Shpesh, me trafikimin e armëve, njerëzit bëhen thjesht mjete pa vlerë. Në këtë duhet të këmbëngulim, vazhdimisht: në dinjitetin e çdo qenieje njerëzore, të krishterë, mysliman e të çdo feje tjetër. Ne të gjithë jemi bij të Zotit, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij. Kështu që do ta vazhdojmë këtë përpjekje".
Lidhur me qëndrimin e tij në Castel Gandolfo, Papa Prevost pohoi se e kaloi shumë mirë, se do të kthehet në Castel Gandolfo dhe se ishte shumë i kënaqur me pritjen që iu bë. "Arrita ta ndryshoj sadopak ajrin" – shpjegoi Ati i Shenjtë -"edhe pse ishin pushime pune”. Vijova t’i ndjek ngjarjet aktuale, madje duke pritur e duke folur në telefon me disa krerë shtetesh. Kjo, deklaroi ai, "ishte e rëndësishme. Falë Zotit, zëri i Kishës është ende i rëndësishëm. Ne vazhdojmë të punojmë për paqen".
Ditët e Papës në Castel Gandolfo
Leoni XIV kaloi në rezidencën papnore të Castel Gandolfos 16 ditë pushimi; nga 6 deri më 22 korrik. Gjatë atyre pati disa angazhime publike. Kryesoi tri Meshë publike. Më 9 korrik, në Giardino della Madonnina, në lagjen Borgo Laudato si’ të Castel Gandolfo, më 8 qershorin e kaluar u kremtua liturgjia e parë për Ruajtjen e Krijimit - sipas formularit specifik të Mesharit Romak - gjatë së cilës Papa i nxiti të gjithë të dëgjojnë "britmën e tokës" dhe "të të varfërve" e të mobilizojnë "inteligjencën" dhe "përpjekjet" e tyre për të përballuar "krizën ekologjike" aktuale.
Kremtimet e së Dielës
Gjatë dy të dielave që kaloi në Castel Gandolfo, 25 kilometra larg Vatikanit, mijëra besimtarë e pritën në rrugë për festimet më 13 korrik në Famullinë Papnore të Shën Tomës nga Villanova dhe më 20 korrik, në Katedralen e Albanos, të cilën hamendësohej se e kishte marrë në zotërim, pasi Papa Françesku e pati përfshirë në urdhrin e ipeshkvijve më 6 shkurt, duke i dhënë Titullin e Kishës Suburbikariane të qytetit të vogël, në zonën Castelli Romani. Në predikimin e Meshës, Leoni tërhoqi vëmendjen tek të gjithë ata që fundosen çdo ditë në vuajtjet dhe vështirësitë e jetës, veçanërisht ata që janë "viktima të sistemeve politike shtypëse, të një ekonomie që i detyron të jetojnë në varfëri, të luftës, që ua vret ëndrrat". Në kishën mëmë të Albanos, Papa theksoi se shërbimi dhe dëgjimi janë "përmasa binjake" të jetës, duke shtuar se zgjedhja e dialogut ndihmon "të kapërcehen përçarjet, armiqësitë dhe të ndërtohet bashkimi: ndërmjet njerëzve, popujve, feve".
Lutja e Engjëllit të Tënzot
Në të njëjtat të diela, një turmë e madhe e përshëndeti Papën gjatë lutjes së Engjëllit, në Piazza della Libertà të Castel Gandolfos, përpara Pallatit Apostolik, ku ishin mbledhur shtegtarë nga vende të ndryshme të botës. Prej këtu Papa Leoni përsëriti thirrjen e tij për paqe dhe ftesën për lutje "kushtuar të gjithë atyre që, për shkak të dhunës dhe luftës, jetojnë në gjendje vuajtjeje dhe nevoje". Kërkoi edhe heshtjen e ndalimin e bombardimeve në Gazë.
Kujtimi i uljes së njeriut në Hënë, në vitin 1969
Pas lutjes mariane të 20 korrikut më 1969, përvjetor i uljes në Hënë, Papa Leoni soditi qiellin. Më pas vizitoi dhomat e Vilave Papnore ku ndodhen teleskopët dhe kupolat që strehojnë instrumentet e Observatorit të Vatikanit e, në mbrëmje, foli përmes videokonferencës, me austronautin Buzz Aldrin.
Bisedimet për Paqen
Në Pallatin Apostolik të Castel Gandolfo-s, më 9 korrik Papa priti edhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa më 18 korrik pati një telefonatë nga Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pas sulmit të ushtrisë izraelite më 17 korrik, në Kishën e Familjes Shenjte, në Gaza, ku u vranë tre vetë dhe u plagosën të tjerë, disa tepër rëndë. Pardje, më 21 korrik, pati bisedë telefonike me Mahmoud Abbas, President i Shtetit të Palestinës, lidhur me zhvillimet e fundit të konfliktit në Rripin e Gazës dhe dhunën në Bregun Perëndimor.
Audiencë me kapitujt e përgjithshëm të instituteve të ndryshme
Më 12 korrik, në oborrin e Pallatit Apostolik të Castel Gandolfos, pati kohë për një audiencë me pjesëmarrësit në kapitujt e përgjithshëm të instituteve të ndryshme fetare, të cilët Papa Leoni i nxiti të "ëndërrojnë punë të mëdha", ta jetojnë thirrjen si "aventurë të mrekullueshme" dhe ta realizojnë "planin e shpëtimit" të Zotit.
Vizitat private
Një çast prekës lutjeje u jetua më 15 korrik, në Manastirin Poor Clare të Albanos, ku Papa shkoi pasi kremtoi Meshën në Kapelën e Stacionit të Karabinierëve të Castel Gandolfos dhe inkurajoi ushtrinë të reagojë kundër krimit, në këtë kohë lufte dhe dhune, me forcën e ligjit dhe të ndershmërisë.
Pardje, 21 korrik, ishte dalja e tij e fundit nga rezidenca papnore e Castel Gandolfos. Duke pranuar ftesën e Motrave të Shën Martës, pas mbërritjes Papa vizitoi azilin e pleqve të drejtuar nga murgeshat, pranë rezidencës së tij dhe kaloi rreth një orë ndërmjet banorëve të objektit, me pamje nga Liqeni i Castel Gandolfos. "Ju jeni shenja shprese; keni dhënë kaq shumë në jetë", u tha atyre Leoni, duke i nxitur të vazhdojnë të jenë "dëshmitare të lutjes e të fesë", familje që ia ofron Zotit gjithçka ka.