Kryeipeshkvi Caccia: Selia e Shenjt? ripohon angazhimin e saj p?r reduktimin e borxhit
R.SH. – Vatikan
Qëllimi i zhvillimit të qëndrueshëm, të barabartë dhe të frytshëm, vetëm pak vite para se të skadojë Axhenda 2030, nuk mund të arrihet pa zgjidhur çështjen e borxhit, që rëndon mbi shumë vende të varfra. Këtë deklaroi kryeipeshkvi Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, në dy fjalime në Forumin Politik të Nivelit të Lartë mbi Shtetet e Vogla Ishullore në Zhvillim (SIDS) dhe mbi Vendet Afrikane më pak të Zhvilluara, pa dalje në det dhe me të ardhura të mesme.
Barra e borxhit
Më 15 korrik, kryeipeshkvi Caccia theksoi se "varfëria e përhapur vazhdon të prekë miliona njerëz, duke u mohuar atyre mirëqenien materiale dhe duke ua minuar dinjitetin dhënë nga Zoti, ndërsa pengon zhvillimin e tyre të gjithanshëm njerëzor". Prandaj, ai bëri thirrje që "varfëria të mbetet përparësia qendrore dhe urgjente e bashkësisë ndërkombëtare". Kjo nuk është vetëm çështje ekonomike, por "detyrim moral". Por, ky impenjim, shpjegoi imzot Caccia, minohet nga borxhi sovran: "Është e pamundur të eliminohet varfëria kur 3,4 miliardë njerëz jetojnë në vende, që shpenzojnë më shumë për të paguar interesat e borxhit sesa për kujdesin shëndetësor dhe arsimin". Selia e Shenjtë bën thirrje për "reduktimin e menjëhershëm të borxhit, duke përfshirë larjen a ristrukturimin e tij, edhe përmes financimit të subvencionuar, veçanërisht për vendet afrikane më pak të zhvilluara dhe vendet pa dalje në det, borxhi i të cilave nuk mund të paguhet nga popullsitë”.
Çështja ekologjike
Thirrje, kjo e para, në përputhje me atë, që u theksua të nesërmen: të mërkurën, më 16 korrik, kryeipeshkvi Caccia mori fjalën gjatë debatit kushtuar Shteteve të vogla ishullore në zhvillim (SIDS), duke kujtuar se "gati 40% e tyre janë tashmë në vështirësi, ose në rrezik të madh, për shkak të borxhit". Imzot Caccia bëri thirrje edhe për të trajtuar edhe çështjen e borxhit ekologjik, që ka krijuar çekuilibra tregtarë dhe ambientalë "veçanërisht ndërmjet Veriut dhe Jugut global", për shkak të “përdorimit joproporcional të burimeve natyrore nga disa vende", ndërsa "më të varfrit mbajnë peshën kryesore të pasojave klimatike".
Për reformimin e arkitekturës globale të borxhit
Selia e Shenjtë thekson nevojën për reformimin e arkitekturës globale të borxhit, e cila "merr parasysh cënueshmërinë e vendeve më të varfra, promovon drejtësinë mjedisore dhe vendos dinjitetin njerëzor në qendër". Reduktimi i borxhit mund të shndërrohet në mundësi, nëse u lejon këtyre vendeve të investojnë në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim. "Me vetëm pesë vjet të mbetura për të arritur Objektivat e Zhvillimit", përfundoi imzot Caccia, "bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë me urgjencë t’i liruar vendet e varfra nga rrethi vicioz i borxheve, fatkeqësive dhe vonesave". Duke përmendur Papën Leoni XIV dhe duke iu referuar Vitit Jubilar, ai kujtoi, së fundi, se "kjo kohë kërkon kthimin dhe rishpërndarjen e pasurisë së grumbulluar padrejtësisht, si rrugë drejt pajtimit personal dhe civil".