Kryeipeshkvi Balestrero: zhvillim dhe krijimtari p?r t? arritur paqen
R.SH. – Vatikan
"Selia e Shenjtë dëshiron të theksojë vlerësimin e saj për punën e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), veçanërisht në kuadrin e tensioneve gjeopolitike në rritje, pasigurive ekonomike dhe dobësimit të bashkëpunimit shumëpalësh”. Kështu deklaroi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara dhe në Organizatat Ndërkombëtare në Gjenevë, imzot Ettore Balestrero, duke folur në serinë e 66-të të takimeve të Asambleve të Shteteve Anëtare të WIPO-s. Vlerësimi i tij rrjedh nga fakti se sistemet e ekuilibruara dhe të frytshme të pronësisë intelektuale (PI), vënë në zbatim nga WIPO, kanë stimuluar "inovacionin dhe krijimtarinë, kanë lehtësuar shkëmbimin e njohurive dhe të kompetencave teknike ndërmjet vendeve, si edhe kanë kontribuar në arritjen e modeleve të zhvillimit të qëndrueshëm".
Avantazhi i bashkëpunimit
Sipas kryeipeshkvit Balestrero, bashkëpunimi ndërkombëtar sjell marrëveshje, që ofrojnë "shërbime praktike dhe të arritshme për të mirën e të gjithëve", sepse ato bazohen "në kushte dhe rregulla të pranuara nga shtetet". Një impenjim, vuri në dukje nunci, që dëshmohet nga bisedimet dhe nga miratimi konsensual i Traktatit të Riadit për të drejtat e projektimeve dhe të modeleve, vitin e kaluar, "i cili pasqyron dëshirën për të promovuar bashkëpunimin shumëpalësh, duke u përpjekur të përmirësojë dhe të thjeshtojë sistemin global të mbrojtjes së të drejtës së autorit në këtë fushë".
IA në shërbim të paqes
Duke kujtuar se risitë po zhvillohen me një ritëm të përshpejtuar, Vëzhguesi i përhershëm theksoi se Inteligjenca Artificiale paraqet "sfida të ndërlikuara për sistemet e pronësisë intelektuale, duke ngritur pyetje lidhur me autorësinë, shpikjen dhe mbrojtjen e krijimtarisë njerëzore". Prandaj, Selia e Shenjtë përsërit se IA duhet të jetë mjet për të mirën e njeriut dhe të respektojë dinjitetin njerëzor. "Në kohë lufte dhe dhune, inovacioni dhe krijimtaria mund ta mbajnë gjallë thelbin e bukurisë, pasi të zbukurosh botën do të thotë të kontribuosh për paqen". Kemi nevojë urgjente për "ndërtues paqeje, që punojnë për të mirën e përbashkët, për atë që është e mirë për të gjithë dhe jo vetëm për disa", përfundoi imzot Balestrero.