Jubileu i Rinis?: mb?rrijn? nj? milion shtegtar?. Ftesa e Pap?s Leoni XIV
R.SH. – Vatikan
Në më pak se një muaj do të fillojë në Romë Jubileu i Rinisë, që kremtohet nga 28 korriku deri më 3 gusht, ditë në të cilat, sipas vlerësimeve, do të mblidhen në Qytetin e Amshuar rreth një milion të rinj nga e gjithë bota, edhe nga Shqipëria, për të përjetuar një javë feje dhe takimi me Papën Leoni XIV. Në Engjëllin e Tënzot të 15 qershorit, Ati i Shenjtë i nxiti të rinjtë të merrnin pjesë: “Ju pres pas një muaji e gjysmë në Jubileun e Rinisë! Virgjëra Mari, Mbretëresha e Paqes, ndërmjetësoftë për ne”. Famullitë e Romës dhe të 10 dioqezave të Lacios, më të afërta me kryeqytetin, janë mobilizuar tashmë për të mirëpritur shtegtarët e rinj në strukturat e tyre, së bashku me 400 shkolla.
Programi
Në Jubileun e të Rinjve priten kryesisht shtegtarë evropianë, por edhe nga Amerika Latine, SHBA-ja, Azia dhe Koreja e Jugut, ku do të mbahet DBR-ja e vitit 2027. Programi i parashikuar nga Dikasteri i Vatikanit për Ungjillëzimin - i cili mbikëqyr organizimin në bashkëpunim me Vikariatin e dioqezës së Romës - përfshin disa veprimtari, si për shembull, të martën, më 29 korrik, në orën 18.00, meshën në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’u uruar mirëseardhjen shtegtarëve dhe, në ditët në vijim, një sërë veprimtarish të tjera kulturore, artistike dhe shpirtërore, pjesë e nismës "Dialogu me qytetin" e Romës. E premtja, 1 gusht, do të jetë Dita e Pendesës (në Circo Massimo), kohë në të cilën të rinjtë do të mund të marrin Sakramentin e Pajtimit. Të shtunën, më 2 gusht, të gjithë do të vihen për udhë drejt Tor Vergatës ku, pas ditës së kaluar me muzikë e dëshmi, do të marrin pjesë në vigjiljen e lutjes së kryesuar nga Papa Leoni XIV, në mbrëmje. Paraditen e së dielës, më 3 gusht, Ati i Shenjtë do të kremtojë edhe meshën e përfundimit të Jubileut, në orën 9.30 dhe do t’i përshëndesë të rinjtë, që kthehen në shtëpi. Për t’u kujdesur për të rinjtë në Tor Vergata, do të impenjohen rreth 12 mijë vetë – forca rendi, zjarrfikësa, vullentarë – do të ketë ekrane të mëdha, nebulizatorë për t’i bërë ballë vapës, 190 pika për shpërndarjen e ujit, 14 struktura shëndetësore dhe 119 kulla audio-video.
Pjesëmarrës nga vende të ndryshme
Programit të Dikasterit për Ungjillëzimin do t’i shtohen veprimtari të tjera, organizuar nga Baritoritë Rinore të vendeve të ndryshme. Natyrisht, duke qenë në vend të vet, Kisha në Itali është organizuar me kohë dhe i fton të rinjtë e mbarë botës në tri nismat e propozuara nga Shërbimi për Baritorinë Rinore (SNPG) i Konferencës Ipeshkvnore Italiane.
E para titullohet "12 fjalë për të thënë shpresë" dhe do të mbahet të mërkurën, 30 dhe të enjten, 31 korrik, në Romë. Është fjala për një përvojë dëgjimi dhe diskutimi, me një ipeshkëv dhe një dëshmitar, ndarë në takime tematike në dymbëdhjetë kisha jubilare të qytetit. Dialogu zhvillohet rreth disa fjalëve kyçe si: "kuptimi dhe e kundërta e tij, zbulimi, premtimi, populli, gëzimi i plotë, përqafimi, guximi, pragu, rimëkëmbja, veshja, përgjegjësia, ndërgjegjia".
E dyta është një propozim për "përvoja afërsie dhe shërbimi". Shërbimi Baritor Rinor (SNPG) shpjegon se kjo është "mundësi për shtegtarët e rinj që ta përjetojnë shpresën si gjest konkret. Në një kohë kur shpesh flasim për shpresën si pritshmëri, ose ndjenjë, ky propozim e kthen atë në veprim, marrëdhënie, afërsi".
Së fundi, "Ti je Pjetri" është nisma e tretë, që u ofron të rinjve "një përvojë unike në zemër të Jubileut, përmes një itinerari personal dhe komunitar të frymëzuar nga figura e Shën Pjetrit apostull dhe nga tema e shëlbimit si shpresë e jetuar".