杏MAP导航

K?rko

Kardinali Parolin n? Jubileun e Influenc?rve Katolik? Kardinali Parolin n? Jubileun e Influenc?rve Katolik?

Jubileu i Influenc?rve: pyetjet e bot?s dixhitale nuk jan? sip?rfaq?sore

U p?rurua sot ngjarja e paprecedent? kushtuar misionar?ve dixhital? katolik?. Kardinali Parolin: t? merren parasysh "plag?t dhe pyetjet" e p?rdoruesve t? internetit. Shtigjet e Kish?s, kujtoi Sekretari i Shtetit t? Vatikanit, parashikojn? pranin? n? bot?, pa qen? t? k?saj bote

R.SH. – Vatikan

         Si mund të bëhet bota dixhitale komunikatore e fesë? Duke marrë përsipër "ritmin, plagët, pyetjet" e atyre, që e banojnë atë, pa u dorëzuar para qëndrimit sipërfaqësor, ose para "tundimit të protagonizmit". T’i nxisim të tjerët të na dëgjojnë, jo thjesht si "influencer", por si "dëshmitarë" të vërtetë. T’i dëgjojmë, duke nënvizuar, "sado paradoksale që të duket", "vlerën e heshtjes". Përndryshe, ka rrezik të kthehemi në "mall" të asaj kulture, që thjesht lëviz gishtin për të parë, pa asnjë lloj ndjenje a përfshirjeje, rulin e lajmeve, që na vijnë në celular. Në vend të kësaj, “të samaritanizojmë” rrjetin - term i ri e ndoshta, pak i ndërlikuar, i shpikur nga Papa Françesku, për të thënë që duhet të bëhemi të afërm me ata që vuajnë, ashtu i Samaritani i Mirë, duke e bërë "mëshirën e Zotit" të pranishme kudo.

         Këto janë disa nga objektivat, që i kanë vetes influencerët katolikë, të cilët sot filluan kremtimet e Jubileut të tyre e të misionarëve dixhitalë. Përurimi u bë paradite, më 28 korrik, në Auditoriumin Conciliazione në Romë. Pas meshëve të kremtuara në famullitë e ndryshme përreth Vatikanit, pjesëmarrësit u mblodhën për këtë ngjarje, në të cilën morën pjesë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin; Proprefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella, përfaqësues i Selisë së Shenjtë për Jubileun; Prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini, si edhe autoritete të tjera në fushën e komunikimit katolik.

Kardinali Parolin: "ta bëjmë të ri ambientin dixhital"

Atmosfera në Auditoriumin Conciliazione ishte tejet miqësore. Telefonat celularë, natyrisht, ishin të gjithëpranishëm, duke filmuar influencer dhe misionarë dixhitalë, duke regjistruar video, ose duke biseduar për bashkëpunime të ardhshme online. Fliteshin gjuhë të shumta, prandaj, çdo seksion i Auditoriumit ishte ndarë sipas gjuhës. Kardinali Parolin e hapi fjalimin e tij, duke reflektuar mbi qëllimet dhe objektivat e mediave shoqërore. Para së gjithash, informimi. Por, sqaroi ai, "ajo që na bën njerëz është aftësia për t'i bërë vetes pyetje". Dhe pyetja me të cilën përballen të gjithë sot është: si mund të bëhet bota dixhitale, e cila po i transformon me shpejtësi dinamikat shoqërore, komunikatore e fesë? Shtigjet e Kishës, kujtoi kardinali, parashikojnë praninë në botë, pa qenë të kësaj bote.

Bashkësia kishtare nuk mund të qëndrojë pasive përballë këtyre ndryshimeve epokale, por duhet të mbajë një qëndrim dialogues dhe misionar. Teknologjia, vërejti kardinali Parolin, nuk është vetëm mjet ndër shumë të tjerë: ajo është bërë gjuhë, mënyrë për të banuar në botë. Prandaj, Kisha nuk duhet të zbatojë "modele të paracaktuara", por të kultivojë krijimtarinë.

“Të impenjohesh në misionin dixhital”, vazhdoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, “do të thotë të përqafosh ritmin, plagët, pyetjet e atyre, që banojnë në atë hapësirë, pa u dorëzuar para anonimitetit, sipërfaqësisë apo tundimeve të protagonizmit”. Kontributi më autentik që mund të jepet në ambientin dixhital është vizioni i njeriut si protagonist marrëdhëniesh, lindur nga të qenit “shembëlltyrë dhe tempull i Trinisë Shenjte”. Misioni kërkon gjithmonë një stil të krishterë, që u jep përparësi takimeve të vërteta e jo thjesht fjalëve; së vërtetës e jo asaj, që na pëlqen. Ungjillëzimi nuk është privilegj i rezervuar për ata, që dinë si t’i përdorin mjetet dixhitale, por është përgjegjësi për të gjithë. Në Panama, me rastin e Ditës Botërore të Rinisë 2019, Papa Françesku e quajti Marinë “influencer e Zotit”; pas tij, Papa Leoni XIV na nxit të njohim “kuptimin e vërtetë të jetës” e jo të gjykojmë thjesht mbi bazën e të dhënave statistikore. Sot, sfida, përfundoi kardinali Parolin, është pikërisht kjo: “ta bëjmë të ri ambientin dixhital”.

Ngjarje të tjera të Jubileut

Gjatë ditës, u mblodh me influencerët Grupi i Studimit të Sinodit mbi Sinodalitetin, që diskutoi me ta kuptimin e të qenit plotësisht i pranishëm si Kishë në kulturën dixhitale. Në dy tryeza të rrumbullakëta shkëmbehen përvoja mbi misionin dixhital me përfaqësues ndërkombëtarë dhe u fol për shenjtorët “influencer të Zotit”. Dita përfundon me një lutje të udhëhequr nga kardinali Óscar Rodríguez Maradiaga, kryeipeshkëv i nderit i Tegucigalpës, përzënë nga vendi i tij nga regjimi i Hondurasit. Në orën 21.30, kryeipeshkvi metropolit i Madridit, kardinali José Cobo Cano, do të kryesojë adhurimin eukaristik dhe liturgjinë pendestare.

28 korrik 2025, 13:22