杏MAP导航

K?rko

Papa Leoni XIV n? Castel Gandolfo Papa Leoni XIV n? Castel Gandolfo

"Jeta shpirt?rore”, m?simet e Augustinit dhe Magjisteri i Leonit

Zemra, Fjala e Zotit, veprimi: jan? fjal?t ky?e t? predikimeve, mesazheve, katekizmave dhe fjalimeve t? mbajtura nga Papa gjat? dy muajve t? fundit, nxjerr? nga m?simet dhe p?rvoja e jet?s s? Ipeshkvit t? Ippon?s.

R.SH. / Vatikan

Tiparet e përshpirtërisë augustiniane dhe disa tema që lidhen me përvojën jetësore të Shën Augustinit, u duken me begati në fjalimet, predikimet, mesazhet dhe katekizmat që Papa Leoni XIV mbajti gjatë dy muajve të parë të papnisë. Në këto fjalë, të ndara me Kishën e botën, gjejmë brendësinë, reflektimin e thellë dhe analizën intime që karakterizuan shtegtimin ekzistencial të Ipeshkvit të Ipponës.

Kjo aftësi për të parë brenda vetes, për të shqyrtuar ndjenjat, emocionet, rrahjet e zemrës, ankthet dhe vuajtjet, gëzimet dhe ëndrrat, dëshirat dhe shqetësimet, shkëlqen në shkrimet e Atit të madh të Kishës dhe u ofron lexuesve të tij mjetet për të nisur një udhëtim brenda vetes, që të çon te Zoti. Sepse, pasi ka kërkuar Urtinë ndërmjet Manikeanëve - siç ia kishte propozuar Ciceroni në Hortensius - e më pas, si ka rënë në skepticizmin e filozofëve akademikë, duke e kapërcyer atë - falë dëgjimit të predikimeve të Ambrozit - e me leximin e Neoplatonistëve që e ndihmuan të "kthehej" te vetja, të hynte "në thellësitë" e "zemrës" së tij, të zbulonte aftësinë për t'u lartuar te Zoti, për të kuptuar doktrinën e Fjalës, Augustini, me ndihmën e Letrave të Shën Palit, arrin në përfundimin se Jezu Krishti është rruga, e vërteta dhe jeta. Ai është ndërmjetësi ndërmjet njeriut dhe Zotit, është Urtia e bërë korp, është shëlbuesi i përvuajtur i njerëzimit, i cili e zhveshi veten nga barazia e tij me Zotin, duke u bërë si njerëzit, për t'i shpëtuar.

Të kërkosh në zemër, atë që kërkohet jashtë

E gjithë udha e filozofit të Tagastës - nga mosha 19 deri në 33 vjeç, ose nga koha kur Augustini iu kushtua filozofisë për të gjetur urti në  asketizmin drejt lumturisë, deri te besnikëria e tij e plotë ndaj Krishtit - të mëson se njeriu, për të njohur Zotin, duhet së pari të njohë vetveten, pjesën e tij të jashtme për të arritur brendësinë e tij, ku banon drita e Zotit dhe ku është ngulitur përfytyrimi i tij. Kjo është arsyeja pse në De vera religione (39,72) Augustini shkruan:

"Mos dil jashtë vetes, kthehu në vetvete, e vërteta banon në njeriun e brendshëm".

Edhe në Confessioni (Rrëfimet) na nxit të kërkojmë "në zemrat tona, Atë që e kërkuam jashtë" (V, 2); e përsëri në Komentin mbi Ungjillin e Gjonit, na nxit të kthehemi në zemrat tona dhe të shqyrtojmë atje "atë që ndoshta  perceptohet nga Zoti, sepse ekziston pamja e Zotit; brenda njeriut banon Krishti" (18, 10). Për Augustinin, qëllimi është Zoti, njeriu tërhiqet nga Krijuesi i tij dhe e gjithë ekzistenca e tij është kërkim i vazhdueshëm dhe i pandërprerë. Nuk është rastësi që Leoni XIV, në Meshën për fillimin e shërbesës së tij papnore, më 18 maj, e nisi homelinë me fillimin e famshëm të Rrëfimeve: "Ti na bëre për Vete, dhe zemrat tona nuk kanë pushim, derisa të pushojnë në Ty". Kështu, ai na nxit të thellojmë kuptimin tonë të marrëdhënies ndërmjet njeriut dhe Zotit, e të njohim Jezusin.

Duke vënë në pikëpyetje marrëdhënien tonë me Zotin

Në fjalimet dhe reflektimet e Papës, thirrja për brendësi përsëritet shpesh, nxitja për të filluar përsëri nga brenda, për "një udhëtim të përditshëm kthese", siç tha ai një ditë pas zgjedhjes së tij, në kremtimin me kardinalët në Kapelën Sistine, duke paralajmëruar se sot ka "kontekste në të cilat Jezusi, megjithëse i vlerësuar si njeri, reduktohet thjesht në një lloj udhëheqësi karizmatik ose mbinjeriu, e kjo jo vetëm ndërmjet jobesimtarëve, por edhe ndërmjet shumë njerëzve të pagëzuar, të cilët kështu përfundojnë duke jetuar, në këtë nivel, në ateizëm de facto". Për këtë arsye, ai fillon nga poshtë, duke shpjeguar se duhet të fillojmë me veten dhe të vëmë në pikëpyetje marrëdhënien tonë me Zotin, nga mënyra se si lidhemi me Krishtin.

Rritja e kërkimit të përshpirtërisë

Duke e mbajtur vazhdimisht shikimin të fiksuar në epokën bashkëkohore, Leoni XIV, në Mesazhin e tij të 28 majit drejtuar pjesëmarrësve në Seminarin "Të ungjillëzosh me familjet e sotme dhe të nesërme”. Sfida ekleziologjike e baritore” vë në dukje se "koha jonë është kohë që karakterizohet nga një kërkim në rritje për përshpirtërinë, veçanërisht ndërmjet të rinjve, të cilët dëshirojnë marrëdhënie të vërteta dhe mësues jete".

E, në mesazhin video drejtuar të rinjve në Çikago dhe në mbarë botën (14 qershor), i fton ata "të shikojnë në zemrat e tyre, të pohojnë se Zoti është i pranishëm dhe se, ndoshta në shumë mënyra të ndryshme", na kërkon, na thërret dhe na fton "ta njohim Birin e tij Jezu Krishtin, përmes Shkrimeve Shenjte, për të zbuluar se sa e rëndësishme është që secili prej nesh t'i kushtojë vëmendje pranisë së Zotit në zemrat tona, asaj dëshire për dashuri në jetën tonë, të kërkojmë, të kërkojmë vërtet dhe të gjejmë mënyra në të cilat mund të bëjmë diçka me jetën tonë për t'u shërbyer të tjerëve".

Shën Augustini ofron një shembull. Kur ndeshet me pyetje ekzistenciale, duke kërkuar kuptimin e jetës, nga vjen e keqja dhe origjina e universit,  nis një udhëtim të thellë të brendshëm, duke i gjetur në fund të fundit të gjitha përgjigjet te Zoti.  

Pamja e Zotit

Papa duket se frymëzohet nga kjo analizë shpirtërore kur, përsëri drejtuar të rinjve të Çikagos, vëren: "Ne të gjithë jetojmë me kaq shumë pyetje në zemrat tona. Shën Augustini flet kaq shpesh për zemrën tonë "e cila nuk ka qetësi..."

"Ky shqetësim nuk është diçka negative dhe nuk duhet të kërkojmë mënyra për ta shuar zjarrin, për t’i zhdukur ose edhe për t'i mpirë  tensionet që ndiejmë, vështirësitë që përjetojmë. Duhet të lidhemi me zemrën tonë dhe të pranojmë se Zoti mund të veprojë në jetën tonë, përmes jetës sonë dhe, përmes nesh, të arrijë tek njerëzit e tjerë".

12 korrik 2025, 18:20