Ipeshkvi imzot Gervasi: t? moshuarit, nj? thesar p?r t’u zbuluar
R.SH. - Vatikan
Pleqëria si një thesar për t’u zbuluar, mentaliteti i integrimit për t’u zhvilluar, praktikat e mira për t’u adoptuar e mbajtur, programe baritore për të përfshirë ata persona që nuk kanë mundësi të lëvizin. Këto janë pikat kryesore të intervistës dhënë mediave të Vatikanit nga ipeshkvi imzot Dario Gervasi, nënsekretar i Dikasterit të Selisë së Shenjt për Laikët, Familjen dhe Jetën, nismëtar i Ditës Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, që do të kremtohet më 27 korrik.
Sipas imagjinatës së përbashkët, shpresa u përket të rinjve, atyre që në një farë mënyre kanë gjithë jetën përpara. Megjithatë, Leoni XIV në mesazhin e tij, të botuar më 10 korrik, në pragun e Ditës Botërore, thotë se mund të jesh shenjë shprese në çdo moshë. Një ndryshim i rëndësishëm perspektive...
Sot ekziston kjo kulturë e ashtuquajtur anti-aging, anti-plakje, e cila në realitet është një pikëpamje jo e qëlluar, sepse plakja është një proces i pandalshëm. Përkundrazi, perspektiva e Papës, ashtu si ajo biblike, i jep çdo moshe vlerën e vet. Pleqëria është një fazë e çmuar, e pasur me thesare për t’u zbuluar, si dituria e grumbulluar në jetën e jetuar dhe njohuria e besnikërisë së Zotit e përjetuar në vite të gjata.
Që këto pasuri të mos shpërndahen, cilat propozime pastorale mund të kontribuojnë në nxitjen e një përfshirjeje reale të të moshuarve në jetën kishtare?
Propozimet mund të jenë të shumta, duke filluar nga më të thjeshtat, si një vizitë te familjet, ose një kohë dëgjimi të dëshmive të atyre që janë më në moshë, por edhe jetimi i kremtimeve, daljeve a vizitave, ngjarjeve, duke përzier praninë e të moshuarve me atë të familjeve, me fëmijët, në mënyrë që gjyshërit të jenë gjithmonë të integruar. Ka shumë praktika të mira rreth e rrotull, është e rëndësishme që të moshuarit të jenë në qendër të jetës së Kishës dhe të vazhdojnë të jenë aty ku edhe tashmë janë një pjesë aktive e bashkësive famullitare.
Sidomos në verë, të moshuarit janë të harruarit e mëdhenj të qyteteve të shkretuara, por përshtypja e përgjithshme është se në shoqërinë e performancës dhe të fitimit ata perceptohen si të padobishëm. Duhet të pajtohemi me idenë se duke pushuar së prodhuari, personi nuk ekziston më?
Kjo është vërtet një ide e sëmurë që duhet ta kundërshtojmë për të rikuperuar kuptimin e jetës: të shoqërosh këtë të fundit me prodhimin është degraduese për humanitetin tonë. Personat e moshuar na kthejnë në një dimension të bërë nga mirënjohja, dhurata, mund të shpenzojnë kohën pa menduar për dobinë, leverdinë a përfitimin. Me bujarinë e tyre ndaj më të rinjve, të moshuarit i bëjnë ata më të fortë: gjërat mund të bëhen së bashku, aty ku ka të moshuar ka një më shumë, jo një më pak.
Në çfarë mënyre ndërbreznia mund të jetë një burim në përdorimin e teknologjisë dhe në transmetimin e fesë?
Të rinjtë mund t’i ndihmojnë të moshuarit të hyjnë në botën e teknologjisë dhe ata që janë më në moshë mund t’i ndihmojnë të rinjtë të humanizojnë jetën moderne. Brezat e rinj e kanë të vështirë t'i lartojmë sytë drejt qiellit, drejt Zotit: sa e bukur është një gjyshe që shoqëron një nip në Kishë dhe i mëson të bëjë shenjën e kryqit? Ose të dëgjosh një gjysh që duke folur me nipërit thotë “u bëftë vullneti i Zotit”? Nuk ka mënyrë më të mirë për të mësuar fenë.
Cilat janë udhëzimet për t’u përgatitur për takimin e 27 korrikut?
Në pragun e Ditës së afërt Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve kemi shpërndarë një program me lutje, materiale dhe ide liturgjike të menduara për të përfshirë njerëzit në famullitë kishtare kudo në botë, pastaj ata që nuk do të mund të marrin pjesë personalisht në kremtimin e Ditës së afërt Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve për shkak të distancës, ata që nuk mund të lëvizin sepse banojnë në shtëpi për të moshuar ose do ta jetojnë kremtimin në qendrën ditore ku kalojnë kohën. Për të rinjtë, të vizitosh një të moshuar përfaqëson vërtet një mundësi takimi me dëshminë e Zotit që jeton në të, ta përqafosh një të moshuar është si të shtrëngosh shenjën e besnikërisë së Zotit. Në këtë drejtim Leoni XIV na thotë se të moshuarit na ndihmojnë të shpresojmë, madje edhe ata vetë kanë mundësinë të shpresojnë gjithmonë.
Si Dikaster i Selisë së Shenjt për Laikët, Familjen dhe Jetën, çfarë iniciativash keni në plan?
Një konferencë ndërkombëtare do të jetë një mundësi, tetorin e ardhshëm, për të reflektuar mbi disa aspekte të rëndësishme të jetës së të moshuarve, nga spiritualiteti te kultura e hedhjes, duke kaluar nëpër rolin brenda bashkësive kishtare. Kemi filluar tashmë dhe vazhdojmë të mbajmë një seri takimesh në nivelin kontinental përmes Zoom me përgjegjësit e zyrave për të moshuarit të Konferencave Ipeshkvore të botës: vërtet pak nga pak po rritet një ndërgjegjësim i ri për t’i parë të moshuarit si shenja shprese.