Binjakja dixhitale e Bazilik?s s? Sh?n Pjetrit n? ekspozit?n “Pétros ení”
R.SH. - Vatikan
Nga jeta e Shën Pjetrit deri te dëshmia e tij e fesë, përmes martirizimit, dëshmi që rijeton përmes historisë së Bazilikës së Vatikanit, treguar përgjatë shekujve në të gjitha zhvillimet, duke filluar nga origjina dhe nga ngjarjet e ndërtimit të saj. Ky është “Pétros ení (Pjetri është këtu): përvojë dixhitale e bazilikës së Shën Pjetrit”, një udhëtim dixhital, përmes të cilit shtegtarët dhe turistët zhyten me të gjitha shqisat në kishën më të madhe të krishterë në botë. Ekspozita projektohet në Sallat Tetëkëndëshe, të hapura për herë të parë për publikun. Këto ambiente historike, që ndodhen në njërën prej kolonave mbështetëse të kupolës së Bazilikës janë restauruar enkas për këtë rast nga artizanët e Fabrikës së Shën Pjetrit.
Vizitorët ndjekin një itinerar 3-përmasor prej 60 minutash, me përshkrime emocionuese e projektime inovative, që nxjerrin në pah origjinën e bazilikës dhe jetën e Shën Pjetrit, apostullit mbi të cilin Jezu Krishti vendosi të ndërtonte Kishën e tij. Ekspozita, e organizuar nga Fabrika e Shën Pjetrit në bashkëpunim me Microsoft, është rrugëtim, që ndërthur përshpirtërinë, artin dhe teknologjinë në një sintezë unike të së kaluarës me të tashmen. Ajo mund të vizitohet çdo ditë, nga ora 8.30 deri në orën 17.00.