At? Rapacioli Epror i ri i Institutit Papnor t? Misioneve t? Jashtme (PIME)
R.SH. / Vatikan
Atë Francesco Rapacioli, misionar në Bangladesh, është Eprori ri i Përgjithshëm i Institutit Papnor të Misioneve të Jashtme (PIME). Ai u zgjodh sot nga Asambleja e XVI-të e Përgjithshme e Institutit Misionar, e cila po zhvillohet që nga 22 qershori në Romë, pranë Qendrës Ndërkombëtare të Animacionit Misionar (CIAM). Eprori ri pason Atë Ferruccio Brambillasca, i cili drejtoi Institutin Papnor të Misioneve të Jashtme (PIME) për dy mandate radhazi, duke filluar nga viti 2013. Së bashku me Eprorin e ri – njofton agjencia e PIME-s Asianews – u zgjodh edhe drejtoria e re e përgjithshme, e cila do të qëndrojë në detyrë për gjashtë vitet e ardhshme.
Atë Francesco Rapacioli, 62 vjeç, ishte deri tani epror rajonal për Azinë Jugore. I lindur në Paris në vitin 1963 dhe i rritur në dioqezën italiane të Piacenza-Bobbio, hyri në Institutin Papnor të Misioneve të Jashtme (PIME) dhe pas diplomimit në Mjekësi, u shugurua meshtar në vitin 1993. Si misionar, ai u dërgua fillimisht në seminarin e Pune, në Indi, ku shërbeu deri në vitin 1997, kur u transferua në Bangladesh. I kthyer në Itali në vitin 2012, shërbeu si Rektor i Seminarit Ndërkombëtar të PIME-s në Monza deri në vitin 2018. I kthyer në Dakha, që nga viti 2020 ka nisur iniciativa ndihme për personat që duan të dalin nga tunelet e alkoolizmit dhe varësisë nga droga.
Instituti Papnor i Misioneve të Jashtme (PIME) – njofton akoma agjencia e lajmeve Asianews – “aktualisht ka rreth 400 misionarë të 17 kombësive të ndryshme që shërbejnë në 20 vende të shpërndara në të gjitha Kontinentet. Prania kohëve të fundit – e lindur nga bashkëpunimi me disa institute të tjera të lindura në mision duke ndjekur të njëjtën karizmë të PIME-s – po bën hapat e saj të parë në Borneo, Indonezi, në dioqezën e Tanjung Selor”.