Ambasada e Shqip?ris? n? Vatikani, lidhje shpirt?rore mes Selis? s? Shenjt? e popullit shqiptar
R.SH. / Vatikan
Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë “shpreh simbolikisht afërsinë shpirtërore që gjithmonë e ka lidhur Selinë e Shenjtë me popullin shqiptar”. Kështu tha mes tjerash Shkëlqesia e Tij, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Gallagher, dje, më 30 qershor, me rastin e inaugurimit dhe Bekimit të selisë së re të Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në afërsi të Shtet Qytetit të Vatikanit, organizuar nga Ambasadorja e Shqipërisë, Majlinda Frangaj, në prani të Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Igla Hasani, të Kancelarit të Madh dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Urdhrit të Maltës, Sh.T.Z. Riccardo Paternò di Montecupo, të personaliteteve tjera dhe të Ambasadorëve të vendeve të ndryshme të akredituar pranë Selisë së Shenjtë.
Në fjalën përshëndetëse, ministri i jashtëm i Shqipërisë Hasani, e cilësoi këtë seli të re si dëshmi të forcimit të marrëdhënieve Shqipëri – Seli e Shenjtë. Për ministrin Hasani, kjo seli do të shërbejë për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve reciproke, për kultivimin e marrëdhënieve për një bote më të paqtë dhe më solidare. “Dinjiteti njerëzor, respekti për diversitetin, liria fetare dhe drejtësia sociale janë disa prej vlerave të përbashkëta që lidhin Shqipërinë dhe Selinë e Shenjtë. Andaj, kjo shtëpi e re e diplomacisë do të jetë në shërbim të përpjekjeve dhe nismave të përbashkëta për të ndërtuar ura për një botë më të paqtë dhe më solidare”, u shpreh ministri Hasani.
Në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Gallagher, shprehu urimet e përzemërta “për realizimin me sukses të këtij projekti, i cili”, tha “merr një kuptim edhe më të thellë në kontekstin e Vitit Jubilar, kushtuar shpresës”. “Vendndodhja e kësaj selie diplomatike, në Via Conciliazione n.10, në Romë, në një distancë të shkurtër nga Shtet Qyteti i Vatikanit, është domethënëse”, nënvizoi akoma imzot Gallagher sepse, “shpreh simbolikisht afërsinë shpirtërore që gjithmonë e ka lidhur Selinë e Shenjtë me popullin shqiptar. Një afërsi kjo që nuk ka munguar kurrë, as në momentet më të errëta të historisë suaj të kohëve të fundit, të shënuara nga diktatura e gjatë dhe e dhimbshme komuniste. As në ato vite nuk u shua etja për të vërtetën, dëshira për liri dhe shpresa për një të ardhme më të mirë në zemrat e popullit shqiptar”, kujtoi Imzot Gallagher. "Marrëdhëniet midis Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë bazohen në një harmoni të thellë shpirtërore, e dëshmuar edhe nga vizitat e shpeshta të autoriteteve shqiptare në Vatikan dhe nga përfundimi i dy marrëveshjeve dypalëshe, të nënshkruara në vitet 2002 dhe 2007", tha imzot Gallagher.
Pas fjalëve të rastit, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Gallagher bëri Bekimin e Selisë së re të Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë e menjëherë pas, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, imzot Paul Gallaghe dhe Ambasadorja, Majlinda Frangaj, prenë shiritin e inaugurimit të mjediseve të reja të selisë diplomatike në prani të personaliteteve nga Vatikani, Italia e Urdhri i Maltës.