T? jesh banes? e Zotit
R.SH. / Vatikan
"Kur erdhi dita e Rrëshajëve, Apostujt ishin të gjithë bashkë në të njëtin vend. Befas zbriti nga qielli një gjëmim, si erë e furishme, dhe e mbushi të gjithë shtëpinë ku qenë ulur. E u duken gjuhë si prej zjarri, që u ndalën mbi kokat e secilit prej tyre. E të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe nisën të flisnin në gjuhë të tjera, ashtu si i frymëzoi Shpirti të shpreheshin". Veprat e Apostujve e përshkruajnë kështu zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi të Dymbëdhjetët.
E festuar pesëdhjetë ditë pas Pashkëve, ngjarja e quajtur “Pentecoste”, term që rrjedh nga greqishtja dhe që do të thotë dita e pesëdhjetë, pasqyrohet në epoka të ndryshme të historisë së artit. I Biri i Zotit nuk duket kurrë. Rrezet a gjuhët e zjarrit vijnë nga një pëllumb, simbol i Shpirtit Shenjt dhe drejtohen kah apostujt e mbledhur rreth Virgjërës Mari, prania e së cilës nuk përmendet shprehimisht në skenën e përshkruar në Veprat e Apostujve.
Në bashkim
Me Rrëshajët nis misioni i Kishës, e cila me fuqinë e Shpirtit Shenjt, e gjallëruar nga dashuria e Zotit, e pranishme në zemrën e çdo njeriu, mund të shkojë në botë dhe të shpallë Ungjillin e Ngjalljes së Krishtit. Nëse hamendja e ndërtimit të Kullës së Babelit i katandisi njerëzit deri në atë pikë, sa të mos e kuptonin më njëri-tjetrin, në ditën e Rrëshajëve njerëz me gjuhë e kombe të ndryshme nisën ta kuptojnë njëri-tjetrin e të jetojnë në harmoni me Perëndinë e ndërmjet tyre.
Veçanërisht kuptimplote është një ksilografi e jashtëzakonshme në dru, e ruajtur ndërmjet printimeve të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit: është e vizatuar nga i famshmi Gustave Doré dhe e gdhendur nga Paul Jonnard-Pacel, një nga bashkëpunëtorët e tij. Apostujt dhe Virgjëra Mari, të portretizuar në plan të parë, në të majtë dhe jo në qendër të skenës - siç ndodh zakonisht - janë të mbledhur në Çenakull të Jeruzalemit, të kujtuar nga arkitektura në sfond. Sipër rri pezull pëllumbi, simbol i Shpirtit Shenjt, që lëshon një shi flakësh a gjuhësh zjarri mbi secilin prej tyre, duke i pajisur me aftësinë të flasin një mori gjuhësh.
Piktori dhe gdhendësi i njohur francez, Gustav Dorè, njihet kryesisht për ilustrimin e Komedisë Hyjnore të Dantes. Artist i çmuar i tematikave fetare, është i famshëm edhe, e sidomos, për ilustrimin e Biblës Shenjte, gjë që pati ndikim të gjerë mbi artin fetar të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Dhurata e Shpirtit Shenjt
“Apostujve që, në prag të vdekjes së Mjeshtrit, janë të shqetësuar e të pikëlluar dhe e pyesin veten se si mund të vazhdojnë ta dëshmojnë Mbretërinë e Zotit, Jezusi i kumton dhuratën e Shpirtit Shenjt, me këtë premtim të mrekullueshëm: ‘Nëse dikush më do, do ta mbajë fjalën time, e Ati im do ta dojë, e ne do të vijmë tek ai dhe do ta bëjmë banesën tonë pranë tij”. Kështu, Jezusi i çliron dishepujt nga çdo ankth e çdo shqetësim dhe mund t’u thotë atyre: ‘Mos të trazohet zemra juaj e mos kini frikë” (v. 27).
Nëse do të mbetemi në dashurinë e tij, ai vetë do të banojë në ne, e jeta jonë do të bëhet tempull i Zotit e kjo dashuri na ndriçon, na bën vend në mënyrën tonë të të menduarit dhe në zgjedhjet tona, deri në atë pikë sa të zgjerohet edhe drejt të tjerëve e të rrezatojë në të gjitha situatat e jetës sonë. Ja, pra, vëllezër e motra, ky banim i Zotit në ne është pikërisht dhurata e Shpirtit Shenjt, që na merr për dore dhe na bën ta jetojmë, edhe në jetën e përditshme, praninë dhe afërsinë e Zotit, duke na bërë shtëpinë e tij”.
(Leoni XIV – Mbretëresha Qiellore e së dielës, 25 maj 2025)