Risit? dhe IA, sfida e vendosjes s? njeriut n? qend?r
R.SH. – Vatikan
Si mund të investojmë në teknologjitë më të përparuara dhe, sot, të zhvillojmë sisteme të inteligjencës artificiale në mënyrë etike, pra, me respekt për qeniet njerëzore dhe dinjitetin e tyre? Kjo është pyetja së cilës u përpoqën t'i përgjigjen rreth pesëdhjetë eksponentë ndërkombëtarë të biznesit, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve dhe të sektorit akademik, si edhe artistë, gjatë Takimit të tretë mbi Etikën e Biznesit, organizuar dje, 12 qershor, nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore. Në qendër, shqetësimi për risi teknologjike të shkëputura nga respekti për njeriun, gjë që mund të "djegë të ardhmen" e njerëzimit, duke shtuar pabarazitë, duke dëmtuar ambientin dhe duke kompromentuar sistemin e punës, në të cilin të gjithë janë të thirrur ta shprehin veten.
Barazi, përgjegjësi dhe qëndrueshmëri
Është thelbësore të përqendrohemi te barazia, përgjegjësia dhe qëndrueshmëria, u tha në Takim, pasi pa to, risitë përmirësojnë vërtet cilësinë e jetës, por mund të çojnë në shtimin e pabarazive dhe në dëmtimin e ambientit. Në këtë kuadër, etika mund të luajë një rol të rëndësishëm në të ashtuquajturën "epoka e pushtetit dhe e progresit". A mund të ketë "zhvillim pa drejtësi", pyetën pjesëmarrësit në kuvendim. Pavarësisht sa mund ta zëvendësojë punën e njerëzve Inteligjenca Artificiale, vlen gjithnjë parimi i Kantit dhe imperativi i tij "për ta trajtuar gjithmonë njerëzimin si qëllim në vetvete dhe kurrë si mjet". Për këtë arsye, u nënvizua më tej, është themelore të krijohet një sistem rregullash dhe parimesh universale për t’u zbatuar në situata të veçanta. Dinjiteti i njeriut është parim, të cilit i duhet dhënë vlerë dhe përparësi në krahasim me investimet, zhvillimin teknologjik dhe strukturat e pushtetit. Dinjiteti, respekti për punën, efikasiteti janë vlera universale për t’u promovuar në një kornizë etiko-morale, që na udhëzon si të krijojmë teknologji, pa ndikuar në përparimin dhe dinjitetin njerëzor.
Vlera e dijes
Shumë përfaqësues të kompanive të ndryshme theksuan më pas nevojën për të promovuar një dialog me palët e interesuara për të shmangur fragmentimin në administrimin e procesit të IA-së, e kjo sepse - nëse në revolucionin e parë dhe të dytë industrial u krijuan rrjete fizike, që më pas u bashkuan - revolucioni aktual bashkon jo vetëm rrjetet fizike, por edhe ato dixhitale dhe biologjike, duke krijuar një rrjet, që përfshin të dhëna e njohuri. Për këtë arsye, formimi është e vetmja mënyrë për të përgatitur brezat e ardhshëm. Në përfundim, u theksua se besimi e transparenca janë kërkesat e këtij revolucioni teknologjik dhe se vetëm duke e vënë inteligjencën artificiale në shërbim të bashkësive e jo vetëm për të pasuruar disa, do të jetë e mundur të rikrijohen harmoni si puna më e mirë dhe mbështetja për barazi shoqërore.