Fillon Shkolla Verore e Observatorit t? Vatikanit p?r astronom? t? rinj nga mbar? bota
R.SH. / Vatikan
"Shkolla Verore e Observatorit të Vatikanit 2025" (Vatican Observatory Summer School, VOSS 2025) filloi zyrtarisht, duke mirëpritur 24 astronomë të rinj të shkëlqyer nga e gjithë bota. Studentët, që përfaqësojnë 22 vende, u pritën në mbrëmjen e 1 qershorit me një darkë mirëseardhjeje, ndërsa mëngjesin tjetër filluan mësimet në selinë e Observatorit të Vatikanit, në Castel Gandolfo. Nga 1 deri më 27 qershor do të ndjekin leksione nga disa prej ekspertëve kryesorë të botës në astronomi, do të punojnë në projekte që lidhen me kërkimin e tyre dhe do të marrin pjesë në ekskursione dhe udhëtime të ndryshme (Subiaco, Firence, Orvieto, Ostia Antica).
Tema e Shkollës Verore të këtij viti – e nëntëmbëdhjeta që nga fillimi i saj në vitin 1986 – është “Të eksplorohet Universi me teleskopin hapësinor James Webb: Tre Vitet e Para”. Teleskopi Hapësinor James Webb (JWST) u përurua Ditën e Krishtlindjeve 2021. Që kur filloi të publikojë të dhëna, korrikun pasardhës, e revolucionarizoi kuptimin tonë për kozmosin. Shkolla verore e këtij viti do të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të rezultateve kryesore të JWST në tre vitet e para (2022-2025), të ndara në katër fusha kryesore: 1) Drita Primordiale dhe Reionizimi; 2) Formimi dhe Evolucioni i Galaktikave; 3) Lindja e Yjeve dhe Sistemet Protoplanetare si dhe 4) Sistemet Planetare dhe Origjina e Jetës.
Meqenëse këto tema janë të lidhura ngushtë me pjesën më të madhe të hulumtimeve në të cilat studentët po punojnë aktualisht, shkolla verore ofron një seri ushtrimesh praktike në përpunimin dhe analizimin e të dhënave të JWST.
Të krijohet një bashkësi e të nxitet studimi i astronomisë
Shkolla verore drejtohet nga Dr. Eiichi Egami (Universiteti i Arizonës), bashkëpunëtor i JWST/NIRCam. Në fjalën e tij të hapjes, Egami, ish-student i shkollës verore të vitit 1990, vuri në dukje se një projekt inovativ si JWST ndodh vetëm një herë në shekull. "Po jetojmë në një kohë shumë të veçantë për astronominë", vuri në dukje ai. E në vijim theksoi se qëllimi i shkollës verore nuk është vetëm për t’i njohur studentët me zbulimet më të fundit astronomike, por sidomos, për të krijuar komunitetin dhe për të promovuar bashkëpunimin me brezin e ardhshëm të astronomëve.
Anëtarë të tjerë të fakultetit janë Vëllai Guy Consolmagno, S.J., drejtor i Specola, dhe Atë David Brown, S.J., dekan i shkollës verore të këtij viti; Almudena Alonso-Herrero e Qendrës së Astrobiologjisë në Madrid, ekipi JWST MIRI; Tom Greene (IPAC/Caltech, SHBA, ekipet JWST/NIRCam dhe MIRI); Roberto Maiolino (Universiteti i Kembrixhit, ekipi JWST/NIRSpec); Maria Drozdovskaya (Observatori Fizik-Meteorologjik Davos dhe Qendra e Gjithësisë - PMOD/WRC, CH). Përveç pedagogëve, shkolla verore do të presë edhe folës të ftuar dhe instruktorë për analizën dhe përpunimin e të dhënave. Mbi 400 studentë që kanë ndjekur shkollën verore.
Shkolla verore lindi në vitin 1986 si pjesë e angazhimit të Observatorit të Vatikanit për kërkimin dhe edukimin astronomik, veçanërisht në krijimin e mundësive të karrierës për shkencëtarët e rinj. Që atëherë, mbi 400 studentë kanë përfunduar programin dhe kanë dhënë kontribute të rëndësishme në fushat e tyre përkatëse të kërkimit. Pjesëmarrja është falas, në sajë të mbështetjes së bamirësve bujarë përmes Fondacionit të Observatorit të Vatikanit. Pjesëmarrësit e këtij viti vijnë nga Argjentina, Austria, Brazili, Kanadaja, Kili, Kina, Kolumbia, Egjipti, India, Italia, Gjermania, Greqia, Lituania, Maroku, Polonia, Peruja, Zelanda e Re, Sllovenia, Afrika e Jugut, Spanja, Shtetet e Bashkuara, Uruguai.