N? Rom? nj? delegacion i Patriarkan?s Ekumenike p?r Sh?n Pjetrin dhe Palin
R.SH. / Vatikan
Një delegacion i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës është në vizitë në Romë, nga sot 27 qershor deri të dielën më 29. Vizita zhvillohet në kuadër të shkëmbimit tradicional të Delegacioneve për festat respektive të Shenjtorëve Pajtorë, më 29 qershor në Romë për kremtimin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër dhe Pal dhe më 30 nëntor në Stamboll për kremtimin e Shën Andreut.
Delegacioni - informon një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - udhëhiqet nga mitropoliti i Kalcedonisë Emmanuel, president i Komisionit Sinodal të Patriarkanës Ekumenike për marrëdhëniet me Kishën Katolike, i shoqëruar nga Etërit shumë të nderuar Aetios dhe Ieronymos.
Të shtunën më 28 qershor, delegacioni i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës do të pritet në audiencë nga Papa Leoni XIV dhe do të ketë bisedimet e zakonshme me Dikasterin e Selisë së Shenjtë për Nxitjen e Unitetit të të Krishterëve. Të dielën do të marrë pjesë në kremtimin solemn eukaristik të kryesuar nga Papa në Vatikan.
Kështu, çdo vjet, për solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, Pajtorë qiellor të qytetit të Romës, vjen çdo vit një delegacion i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës, ndërsa një përfaqësi e Selisë Apostolike merr pjesë në kremtimet që mbahen në Stamboll më 30 nëntor, në festën e Shën Andreut.
Këto vizita janë një nismë e frytshme në dy drejtime. Së pari, shkëmbimi i vizitave të rregullta ndërmjet Romës e Kostandinopojës dy herë në vit është rast vërtetë i përshtatshëm edhe për shkëmbimin e informacioneve, për të mësuar të rejat nga jeta e dyja Kishave si dhe për koordinimin e nismave. Së dyti, shkëmbimi i vizitave bëhet me rastin e dy kremtimeve të Shenjtorëve Pajtorë: Shën Andreut, pajtor i Patriarkanës Ekumenike dhe Shenjtorëve Pjetër e Pal, Pajtorë të Romës. E kjo tregon qartë se orientimi i dialogut i nënshtrohet lutjes drejtuar Zotit. Është orientim shpirtëror sepse, siç e ka kujtuar edhe Papa Gjon Pali II – në marrëdhëniet ekumenike duhet që kryet e vendit ta ketë lutja: lutja jep jetë, lutja drejton, lutja ndihmon. Ky më duket se është kuptimi kryesor: bisedë e lutje!