Mons. Gallagher: "Lufta: d?shtim i politik?s dhe i njer?zimit"
R.SH. - Vatikan
«Bota jonë ndodhet në një udhëkryq. Lufta në Ukrainë ka thyer iluzionin se paqja në Evropë është e përhershme. Toka e Shenjtë po gjakoset. Siria, Jemeni, Saheli: shumë, madje tepër vende mbeten të bllokuara në cikle dhune dhe dëshpërimi». Analizën objektive dhe të dhimbshme të fateve në botën sot, kryeipeshkvi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare, e ka përshkruar dje në fjalimin e tij në Forumin Globsec 2025 që po zhvillohet në Pragë dhe që do të përfundojë sot, më 14 janar.
Shërimi i kujtesës
Përpara një audience me liderë botërorë, inovatorë dhe nxitës të ndryshimit, të thirrur për të reflektuar mbi sfidat më urgjente dhe mbi strategjitë e dinamikat për të ndërtuar një të ardhme globale më të mirë, Imzot Gallagher kujtoi se si këto konflikte në vazhdim tregojnë se diplomacia, politika ndërkombëtare, marrëveshjet ekonomike dhe madje edhe kuadrot institucionale nuk janë aspak të mjaftueshme: «Paqja kërkon më shumë se qeverisje; kërkon një vizion moral dhe transformimin e zemrave. Bota dëshiron jo vetëm ndërprerjen e dhunës, por edhe shërimin e kujtesës, riparimin e marrëdhënieve dhe rikthimin e shpresës. Dhe pikërisht këtu duhet të ndërhyjë feja, jo si konkurrente e diplomacisë, politikës apo strukturave të shoqërisë, por si shpirti i tyre».
Dashuria, para së gjithash
Për këtë, pikërisht në fillim të fjalimit të tij, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet citoi fjalët mbi paqen e Krishtit të Ngjallur, një paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse, e përulur dhe këmbëngulëse, të shqiptuara nga Leoni XIV mbrëmjen e zgjedhjes së tij, pak më shumë se një muaj më parë, duke u dukur nga Llozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan: «Kjo përshëndetje — shpjegoi imzot Gallagher—, e thjeshtë por e thellë, kap thelbin e vizionit të Selisë së Shenjtë: një paqe e pa farkëtuar me armë, as e siguruar nga kërcënime apo pengesa, por e lindur nga dashuria, e mbështetur nga drejtësia dhe e rrënjosur në dinjitetin e çdo qenieje njerëzore. Një paqe që është vërtet katolike, në kuptimin origjinal të fjalës katholikós, që do të thotë universale».
Marrëdhënie të drejta
Vizioni katolik i paqes, pra, për Sekretarin e Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare nënkupton faktin se «Kisha e kupton paqen jo vetëm si mungesë lufte, por si prani të marrëdhënieve të drejta, atë që ajo e quan vepër drejtësie. Që nga koha e Luftës së Madhe e deri më sot, mësimet papnore kanë bërë vazhdimisht thirrje për një paqe të bazuar jo në pushtim, por në drejtësi, të themeluar mbi të vërtetën, dashurinë, lirinë dhe dinjitetin e paprekshëm të personit njerëzor si gur themeli i saj». Dhe pastaj paqja e vërtetë duhet të ecë në rrugën e zhvillimit të plotë njerëzor sepse «lufta është në fund të fundit një dështim i politikës dhe i njerëzimit».
Feja nuk shtrembëron
Në thelb të fjalimit të tij, imzot Gallagher iu përgjigj edhe një kundërshtimi shumë të përhapur në botën moderne dhe që, për fat të keq, ndonjëherë ka gjetur konfirmime të dukshme në histori: atë sipas të cilit feja ka shkaktuar ndarje, grindje e përçarje: «Por, siç na kujtoi Papa Françesku, nuk është feja në vetvete, por shtrembërimi i saj, që çon në dhunë. Feja, e kuptuar siç duhet, lidh, afron, duke bashkuar njeriun me Zotin dhe individët me njëri-tjetrin. Feja nuk bën thirrje përimponim, presion, shtypje, dhunë, por për ndërgjegje, jo për hakmarrje, por për falje. Zemra e njeriut, siç shkruante Shën Augustini, është e shqetësuar derisa të prehet në Zotin. Dhe ky shqetësim shndërrohet në konflikt kur neglizhohet dimensioni moral».
Kundër dominimit
Prandaj është e rëndësishme, shtoi imzot Gallagher, të pranohet se shumë konflikte bashkëkohore nuk mund të kuptohen «pa njohur identitetet fetare dhe aspiratat shpirtërore të popujve të përfshirë. Prej kënde, prania diplomatike e Selisë së Shenjtë, është e rrënjosur më shumë në besueshmërinë morale sesa në forcën ushtarake, i lejon asaj të flasë me të gjitha palët, jo me logjikën e dominimit, por të dialogut.
Shtyllat e paqes
Shtyllat e qasjes së Selisë së Shenjtë ndaj paqes janë thelbësisht katër. Kryeipeshkvi Gallagher i përmblodhi ato kështu: «Dinjiteti njerëzor: çdo jetë njerëzore është e shenjtë. Asnjë paqe nuk është e mundur nëse edhe një jetë e vetme konsiderohet e sakrifikueshme; e mira e përbashkët: paqja duhet t'u shërbejë të gjithëve, jo vetëm të fortëve, por mbi të gjitha të varfërve, të zhvendosurve, të harruarve; solidariteti: ne nuk jemi individë të izoluar, por një familje njerëzore. Paqja rritet përmes ndërvarësisë; zhvillimi i plotë njerëzor: siç pohonte Papa Pali VI, "zhvillimi është emri i ri i paqes". Por jo çfarëdo zhvillimi: ai duhet të jetë i plotë, të përfshijë çdo dimension të personit njerëzor dhe të të gjithë popujve të tokës».