"León de Perú", nj? dokumentar nga mediat e Vatikanit mbi vitet e misionit t? Prevost
R.SH. / Vatikan
Misionar, famullitar, profesor, edukator, peshkop, mik. Është një udhëtim në Peru në gjurmët e Robert Francis Prevost, tani Papa Leo XIV, që mediat e Vatikanit e paraqesin në León de Perú, një dokumentar që rindërton vitet e kaluara në vendin e Amerikës Latine. Krijuar nga gazetarët Salvatore Cernuzio, Felipe Herrera-Espaliat dhe Jaime Vizcaíno Haro, vepra përshkon Chulucanas, Trujillo, Lima, Callao, Chiclayo, duke prekur qytete, fshatra, rrethe, periferi, famulli, shkolla, shtëpi rregulltare të vogla dhe të mëdha. Në këto vende, Ati i atëhershëm dhe Imzot Robert Francis Prevost kremtoi, predikoi, mësoi, formoi rregulltarë augustinianë, u takua me të rinj, festoi ditëlindje, praktikoi një bamirësi të gjallë në mes të tragjedive si përmbytjet e El Niño dhe pandemia e koronavirusit.
Një vepër baritore dhe sociale, nga e cila ofrojnë një pamje shumë histori të njerëzve që bashkëpunuan me Papën e ardhshëm dhe që morën një vesh dëgjues, mbështetje dhe ndihmë prej tij. Dëshmi të ipeshkvijve, si pastorët aktualë të Callao dhe Chulucanas, të vëllezërve augustinianë ose meshtarve famullitarë, si Don Cristophe Ntaganzwa i ri, në lagjen shumë të varfër të Pachacútec, të goditur dhunshëm nga Covid-19. Në këtë territor, administratori i atëhershëm apostolik ndihmoi njerëzit pa punë dhe të uritur duke dërguar ushqime dhe ilaçe. Një ndërhyrje në kohën e duhur si ajo që, si ipeshkv i Chiclayo-s, Imzot Prevost i ofroi popullsisë së cilës përmbytjet i kishin marrë gjithçka, duke u hedhur me guxim - siç rrëfen Rocío, midis të mbijetuarve - në rrugët e përmbytura.
Dhe përsëri, ende në Chiclayo, dëshmia e Janina Sesa, ish-drejtoreshë e Caritas, mbi fushatën për të garantuar oksigjen për ata në urgjencë, ose Berta, që gatuan në një nga komedoret, kuzhinat e supës të ngritura në Trujillo nga "el padre Roberto" për të ushqyer familjet në periferi. Pastaj histori më intime: për shembull, ajo e Sylvia-s, e shpëtuar prej motrave rregulltare nga bota e prostitucionit, guximi i së cilës frymëzoi Prevostin të krijonte një Komision Kundër Trafikimit të Njerëzve, ose ajo e Hector dhe vajzës së tij Mildred, kumbari i pagëzimit të të cilit është Papa aktual.