L?mosha e Sh?n Pjetrit, n? vitin 2024 shtohet p?r misionin e Pap?s
R.SH. / Vatikan
Në vitin 2024, të ardhurat e Lëmoshës së Shën Pjetrit arritën në 58 milionë euro (gjashtë milionë më shumë se në vitin 2023), ndërsa "daljet", në 75.4 milionë euro: 61.2 milionë, për të mbështetur aktivitetet e zhvilluara nga Selia e Shenjtë përmes Dikastereve të saj në shërbim të misionit apostolik të Papës dhe 13.3 milionë euro për të mbështetur drejtpërdrejt 239 projekte ndihme për ata që kanë më shumë nevojë.
Ndërmjet tyre, nisma për vendet në zhvillim ose projekte sociale, për shembull në Senegal, Peru, Rumani, Benin, Angolë, ose ndihmë materiale për popullatat e prekura nga lufta. Këto janë të dhënat e bëra publike sot, më 27 qershor, nga raporti vjetor mbi fondin i cili përfshin donacionet, që iu bënë Papës dhe synojnë të mbështesin misionin e tij për Kishën universale. Në Dokument lexojmë se Papa, nëpërmjet Kuries Romake, dhuroi edhe 37.3 milionë euro të tjera për vepra bamirësie (nga të cilat 6.2 milionë euro të financuara nga Lëmosha e Shën Pjetrit), të cilat, së bashku me 13.3 milionë euro për projektet e ndihmës direkte të përmendura më sipër, arrijnë në një total prej 50.6 milionë eurosh të paracaktuara për vepra bamirësie.
Donacionet
Në raportin e sotëm, i cili kujton atë të vitit të kaluar, theksohet se donacionet e marra nga Lëmosha e Pjetrit arritën në 54.3 milionë, ndërsa të ardhurat financiare dhe të tjera, në 3.7 milionë. Më konkretisht, donacionet arrijnë në fond në formën e koleksioneve të mbledhura nga famullitë në të gjithë botën, me rastin e solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër dhe Pal dhe dorëzohen në Selinë e Shenjtë nga dioqezat e secilit vend përmes Përfaqësive Papnore (me përjashtim të atyre italiane); përmes ofertave të drejtpërdrejta ndëmjet transfertave bankare në llogari bankare dhe postare, çeqeve ose përmes faqes së internetit; me trashëgimi përmes një testamenti në të cilin shprehet vullneti i saktë për të ndarë mallra, shuma parash ose të drejta patrimoniale për Lëmoshën e Shën Pjetrit ose drejtpërdrejt për Papën.
Vendet Donatore
Ndërmjet donatorëve në vitin 2024, 59% ishin Dioqeza (31.8 milionë); ndërsa 16% individë privatë (8.9 milionë); të ndjekura nga Fondacionet (12.2 milionë) dhe Institutet Fetare (1.4 milionë). Përsa i përket vendeve nga të cilat erdhën flukset më të mëdha të donacioneve, Shtetet e Bashkuara (25.2%) dolën të parat, të ndjekura nga Franca (15%), Italia (5.2%), Brazili (3%) dhe Gjermania (2.8%). Vendet donatore përfshinin gjithashtu Korenë, Meksikën, Irlandën, Spanjën, Kolumbinë dhe vende të tjera të botës në një përqindje më të vogël: 15% të totalit.
Kontributet për misionin e Selisë së Shenjtë
Raporti Vjetor shpjegon se, përsa i përket shpenzimeve, u bënë 74.5 milionë kontribute, të destinuara për të mbështetur misionin apostolik të Selisë së Shenjtë dhe projektet individuale të ndihmës direkte. Ky term i fundit përfshin të gjitha ato iniciativa dhe projekte të "ndihmës materiale për vendet në zhvillim dhe popullatat e prekura nga lufta", si dhe mbështetjen, "në kapacitete të ndryshme", të "pranisë ungjillëzuese të famullive, dioqezave dhe instituteve fetare, në një situatë me nevojë të veçantë".
Në vitin 2024, Fondi i Lëmoshës së Shën Pjetrit financoi ndërtimin e një qendre formimi dhe animacioni misionar në Senegal; ndërtimin e një kishe famullie, në Peru; ndërtimin e një konvikti për vajza, në Tajlandë.
Projekte sociale
Përsa i përket "projekteve sociale", kujtojmë nismat që mund të materializohen në programe formimi dhe mbështetjeje ose në ndihmë materiale për të mbështetur komunitetet lokale. Në Rumani, për shembull, thuhet në Raport, u mbështet ndërtimi i një ndërtese për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara; në Siri, u realizua një projekt i kujdesit shëndetësor për familjet në nevojë; në Benin, u ndërtua selia e "Universitetit Katolik të Afrikës Perëndimore".
Bamirësia e Papës u shtri edhe në Kubë, Angolë dhe Indi me aktivitete dhe projekte që synojnë "ndihmën, forcimin dhe asistimin e Kishave lokale, ku, përkatësisht, u financuan riparimi i një manastiri, rinovimi i një konvikti dhe ndërtimi i një azili pleqsh. Në total, janë financuar 239 projekte, të realizuara në 66 vende në Afrikë (64 projekte për 5.7 milionë); Evropë (118 projekte për 3.3 milionë); Amerikë (26 projekte për 1.9 milionë); Azi (29 projekte për 2.3 milionë); Oqeani (2 projekte për më pak se një milion). Raporti Vjetor thekson se në Evropë janë shpërndarë bursa studimi, dhënë priftërinjve, seminaristëve dhe rregulltarëve nga Afrika, Amerika Latine dhe Azia, duke ofruar një kurs studimi në Universitetet Papnore. Është dhuruar edhe ndihmë humanitare për të mbështetur popullsinë ukrainase.
Misioni apostolik i Papës
Tabelat e fundit në Raport, që lidhen me Selinë e Shenjtë dhe mbështetjen për misionin apostolik të Papës, tregojnë se shpenzimet arritën në 367.4 milionë euro në vitin 2024, nga të cilat afërsisht 61.2 milionë (17%) u mbuluan nga Lëmosha e Shën Pjetrit. Fushat dhe aktivitetet që karakterizojnë misionin apostolik të Papës janë: mbështetja për Kishat lokale në vështirësi dhe kontekste specifike të ungjillëzimit; përhapja e mesazhit; Nunciaturat Apostolike; shërbimi ndaj bamirësisë; adhurimi dhe ungjillëzimi; organizimi i jetës kishtare; trashëgimia historike; institucionet akademike; zhvillimi njerëzor; jeta dhe familja; arsimi, shkenca dhe kultura.