Karta e OKB-s?, tet?dhjet? vjet t? nj? mrekullie t? brisht?
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
Tetëdhjetë vjet, dhe ndjenja e gjithë peshës së saj. Më 26 qershor 1945, Karta e Kombeve të Bashkuara u nënshkrua në San Francisko, e cila në Preambulën e saj tregon qëllimin për të "shpëtuar brezat e ardhshëm nga fatkeqësia e luftës" dhe për të "promovuar progresin social dhe një standard më të lartë jetese brenda një lirie më të gjerë". Ajo u nënshkrua nga përfaqësuesit e 50 vendeve që po dilnin nga lufta botërore më katastrofike – dhe ende e papërfunduar – e përjetuar nga njerëzimi. Një luftë që do të shënonte rekordin makabër të rreth 50 milionë të vdekurve, kryesisht civilë.
Tetëdhjetë vjet më vonë, ky institucion – tempull i multilateralizmit, i cili ka si arsye ekzistence primatin e negociatave mbi përdorimin e forcës, ruajtjen e paqes dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare – tregon të gjitha rrudhat e tij. Megjithatë, themelimi i tij përfaqësoi një mrekulli të vërtetë, e ndodhur në qytetin amerikan që mban emrin e Shenjtit të Asizit, Shën Françeskut. Një mrekulli e brishtë, si xhami i Pallatit të Qelqtë, e cila ka çuar në rezultate të rëndësishme: kodifikimin dhe zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare, ndërtimin e rregullave të të drejtave të njeriut, përsosjen e së drejtës humanitare, zgjidhjen e shumë konflikteve dhe shumë operacione paqeje dhe pajtimi.
Ne kemi më shumë se kurrë nevojë sot për këtë mrekulli të brishtë. Duhet ta bëjmë më pak të brishtë, të besojmë në të siç kanë treguar se besojnë pasardhësit e Pjetrit që nga viti 1965 deri në 2015 kanë vizituar Pallatin e Qelqtë duke njohur se Kombet e Bashkuara kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përgjigja juridike dhe politike e përshtatshme për kohën në të cilën jetojmë, e shënuar nga një fuqi teknologjike që në duart e ideologjive mund të prodhojë mizori të tmerrshme. Ditët e fundit, duke folur në një konferencë në Universitetin e Padovës, ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto tha me realizëm të qartë: "Duhet të mbrojmë arritjet e viteve që na kanë çuar në kodifikimin e së drejtës ndërkombëtare, e cila është krejtësisht e ndryshme nga një rend ndërkombëtar dhe shumë shpesh në kundërshtim me një rend ndërkombëtar. Sepse rendi ndërkombëtar – shtoi ministri – normalisht imponohet nga dikush, nga më i forti, i cili mund të vendosë që ajo e drejtë në disa raste nuk vlen. Kjo është ajo që po përjetojmë tani… Kjo sepse multilateralizmi ka vdekur dhe OKB-ja vlen sa Evropa në botë, asgjë!".
Nuk nevojitet një imagjinatë e veçantë për të kuptuar se çfarë nënkuptojnë fjalët e tij: mjafton të shohim vetëm atë që ka ndodhur në tre vitet e fundit, nga agresioni rus ndaj Ukrainës deri te sulmi çnjerëzor i 7 tetorit nga Hamasi kundër Izraelit; nga lufta që ka rrafshuar Gazën duke e kthyer atë në një grumbull rrënojash dhe kufomash, deri te konflikti shqetësues midis Izraelit dhe Iranit që ka parë edhe ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është e vërtetë, fatkeqësisht, rendi ndërkombëtar imponohet nga më i forti që vendos kur të shpallë dhe kur të harrojë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën humanitare, në varësi të interesave.
Për këtë arsye, tetëdhjetë vjet pas fillimit të asaj mrekullie të brishtë, me zërin e Leonit XIV përsërisim fjalët "më urgjente se kurrë" të profetit Isaia: "Një komb nuk do të ngrejë më shpatën kundër një kombi tjetër, as nuk do të mësojnë më artin e luftës." "Le të dëgjohet ky zë që vjen nga i Larti – tha Papa – le të shërohen plagët e shkaktuara nga veprimet e përgjakshme të ditëve të fundit. Le të refuzohet çdo logjikë e dhunës dhe hakmarrjes dhe të zgjidhet me vendosmëri rruga e dialogut, diplomacisë dhe paqes."
Rrugët e multilateralizmit dhe negociatave. Rrugët e ndërmarra tetëdhjetë vjet më parë, të cilat përfaqësojnë alternativën e vetme për botën tonë kaq afër humnerës së vetëshkatërrimit.