Kard. Parolin: "Asnj? luft? nuk ?sht? e pashmangshme, asnj? paqe nuk ?sht? e pamundur"
R.SH. – Vatikan
"Dështimi i Takimit të Stambollit nuk mund dhe nuk duhet të shënojë fundin e përpjekjeve për të ndalur luftën. Selia e Shenjtë, besnike ndaj misionit të saj të paqes, përsërit me forcë thirrjen për të mos u dorëzuar para logjikës së dhunës dhe para realizmit të rremë, që do ta konsideronte luftën si të pashmangshme. Asnjë luftë nuk është e pashmangshme, asnjë paqe nuk është e pamundur. Armët mund dhe duhet të heshtin për t'i bërë vend shpresës së paqes". Kështu shprehet Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë botuar sot (4 qershor) në gazetën italiane “La Stampa”.
Paqja është “e drejtë” kur njeh dhe mbron dinjitetin e të gjithëve
Mbi kuptimin konkret të një paqeje "të drejtë dhe të qëndrueshme", kardinali Parolin shpjegon se "kjo do të thotë, para së gjithash, se nuk ka paqe të vërtetë nëse është vetëm rezultat i një zgjidhjeje të imponuar, ose i frikës së ndërsjellë. Paqja e vërtetë arrihet nga brenda, është fryt i një dialogu të thellë, plot respekt dhe seriozitet ndërmjet palëve të përfshira. Nuk mund të flasim për paqe të vërtetë, nëse një vend mohon ekzistencën e vendit tjetër. Paqja është 'e drejtë' kur njeh dhe mbron dinjitetin e të gjithëve, pa poshtërime, pa kushte, që lënë plagë të hapura. E paqja ndërmjet shteteve është 'e qëndrueshme' vetëm nëse mbështetet në themelet e fuqishme të së drejtës ndërkombëtare, në respektin për drejtësinë dhe lirinë, jo në ekuilibra të pasigurta të garantuara nga armët".
Të lejohen ndihmat humanitare në Gaza
Cili është qëndrimi i Selisë së Shenjtë ndaj sjelljes së qeverisë izraelite? – pyet gazeta “La Stampa”. "Ashtu si për konfliktet e tjera - thekson kardinali Parolin - Selia e Shenjtë nuk e pranon luftën si strategji për të zgjidhur problemet dhe, ashtu si pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, kërkon që bllokada e ndihmës humanitare të hiqet urgjentisht. A është e pranueshme në vitin 2025 të jemi dëshmitarë të ngjarjeve në Gaza, ku popullsia civile është para një tragjedie të jashtëzakonshme humanitare?”
Bisedime, në kuadrin e një procesi më të gjerë politik
“Deri tani, dy armëpushimet, që u arritën, kanë pasur si rezultat lirimin e më se 140 pengjeve, duke dëshmuar se bisedimet kanë efikasitetin e tyre të brendshëm, sidomos në një kuadër kaq të ndërlikuar. Siç shpresohet nga shumë vende, edhe për Selinë e Shenjtë, këto negociata duhet të bëhen në kuadrin e një procesi politik, me synimin për ta zgjidhur më globalisht çështjen izraelito-palestineze dhe për të stabilizuar gjithë Lindjen e Mesme”. Marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Izraelin, sipas prelatit, do të vazhdojnë, pa ia mbyllur dyert askujt. Kardinali denoncon antisemitizmin, por edhe “fenomenin shqetësues në Jerusalem, ku disa individë hebrenj pështyjnë të krishterët”.
E drejta për vetëmbrojtje nuk është absolute
Përsa i përket riarmatimit të shumë vendeve të botës, duke filluar nga Bashkimi Evropian, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujton se “ndërsa është e ligjshme dhe detyrë për çdo vend të impenjohet në ruajtjen e sovranitetit dhe të sigurisë, duhet pyetur gjithmonë në ç’masë përforcimi i fuqisë ushtarake mund të ndihmojë në shtimin e besimit ndërmjet kombeve dhe sa mund të kontribuojë në arritjen e paqes së qëndrueshme. Gjithashtu, duhet nënvizuar se e drejta për vetëmbrojtje nuk është absolute. Duhet shoqëruar jo vetëm nga detyra për të minimizuar dhe, kur është e mundur, për të eliminuar shkaqet e thella, ose kërcënimin e konfliktit, por edhe nga detyra për t’i kufizuar aftësitë ushtarake në ato të nevojshme për sigurinë dhe mbrojtjen legjitime”.
Të rikthehemi tek bashkëpunimi shumëpalësh
Tema të tjera si marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Kinës, që duket se kanë formuar një bipolarizëm të ri global, tërheqin vëmendjen e kardinalit Parolin, i cili vë në pah rëndësinë e dialogut ndërmjet dy superfuqive, sidomos në çështje si “tregtia dhe siguria”. Gjithashtu, ai kërkon që e gjithë bashkësia ndërkombëtare të punojë për “kthimin e bashkëpunimit shumëpalësh” ndërmjet vendeve, i vetmi që garanton qëndrueshmëri globale. Selia e Shenjtë është protagoniste e këtij impenjimi, të cilin ia njeh gjithë bota, siç dëshmuan takimet e krerëve të vendeve të rëndësishme në funeralin e Papës Françesku dhe në meshën e fillimit të papnisë së Leonit XIV. “Dialogët, që u zhvilluan në ditët në vijim, - vëren së fundi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - u përqendruan pikërisht në nevojën për t'u dhënë fund konflikteve, duke i njohur Selisë së Shenjtë një rol të besueshëm në zgjidhjen e tyre”.