Kardinali Czerny u drejtohet marinar?ve: t? jeni profet? t? paqes
R.SH. – Vatikan
“Të gjithë ata që punojnë në det e dinë se janë në zemër të Kishës: nuk janë të vetëm në kërkesat e tyre për drejtësi, dinjitet dhe gëzim”. Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, kardinali Michael Czerny, e nënvizon kështu rëndësinë e vëmendjes për mijëra njerëz, shpesh të padukshëm, që punojnë në sektorin detar, në mesazhin e tij për të Dielën e Detit, e cila këtë vit kremtohet më 13 korrik. Prefekti fton të kujtohen këta njerëz, “që kalojnë një pjesë të madhe të jetës larg familjeve dhe bashkësive të tyre, duke ofruar një shërbim të jashtëzakonshëm për ekonominë dhe zhvillimin e popujve”. Kjo është veçanërisht aktuale në kuadrin e Vitit Shenjt: Jubileu “na thërret për kthesë: të thyejmë zinxhirët, të falim borxhet, të rishpërndajmë pasurinë botërore, të takohemi në paqe”. Këto janë gjeste, që kërkojnë guxim, por plotësisht të mundshme. Ato ringjallin shpresën, shkruan Czerny, duke u bërë thirrje marinarëve ta jetojnë këtë shpresë, të bëhen “profetë të paqes” e të ndërtojnë “ura edhe ndërmjet vendeve armike”.
Kisha duhet të impenjohet
“Deti lidh të gjitha tokat, i fton ato të shikojnë horizontin e amshimit, ta ndiejnë se uniteti mund të mbizotërojë gjithmonë mbi konfliktin”, pohon kardinali. “Zhvillimi i gjithanshëm njerëzor” përfshin “të gjitha qeniet njerëzore dhe të gjitha përmasat e tyre fizike, shpirtërore dhe komunitare”, thekson ai. Prandaj, “e gjithë Kisha është e thirrur të diskutojë si po punohet sot në porte dhe në anije, me çfarë të drejtash, në çfarë kushtesh sigurie, me çfarë ndihme materiale dhe shpirtërore”. Kardinali Czerny kujton se përballë shkatërrimit të natyrës dhe “një bote në të cilën konfliktet dhe pabarazitë po shtohen, të duash Zotin e jetës do të thotë të impenjohesh me jetën personale”. “Jeta, në fakt, është gjithmonë konkrete: jetë e dikujt, jetë e kaluar në marrëdhënie që, nëse nuk çlirojnë, prangosin dhe nëse nuk na lënë të lulëzojmë, na poshtërojnë”. Për këtë arsye, kardinali kërkon të përqendrohet “vëmendja tek gjithçka fshihet pas ekonomive, tek ata që i bëjnë të funksionojnë çdo ditë, shpesh, duke mos përfituar prej tyre dhe duke e vënë veten në rrezik”.
Detarët janë shtegtarë të shpresës
Duhet t’i konsiderojmë detarët si "shtegtarë të shpresës", shpjegon së fundi kardinali Czerny, sepse edhe kur nuk janë të vetëdijshëm për këtë, "ata mishërojnë dëshirën e çdo njeriu, të çdo populli apo besimi fetar, për të pasur një jetë dinjitoze, përmes punës, shkëmbimit, takimeve". Ashtu si shumë figura të Shkrimit Shenjt, njerëzit që punojnë në det shkojnë e vijnë me dinjitet në të njëjtën shtëpi, që është “atdhe pa kufij dhe pa dogana, ku nuk ka privilegje që ndajnë dhe padrejtësi që dëmtojnë", thekson prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor. Prandaj, ata janë shtegtarë të shpresës, pasi mbajnë gjallë lidhjet me familjet dhe bashkësitë, duke reaguar kundër "padrejtësive shoqërore dhe mjedisore", me guxim e në mënyrë konstruktive.