Kard. Parolin: Vatikani e Japonia, s? bashku p?r t? kufizuar p?rhapjen e arm?ve
R.SH. / Vatikan
“Në emër të Papës Leoni XIV dhe timin, i drejtoj popullit të nderuar japonez urimet më të mira, me shpresën që të gjithë ata, të cilët jetojnë në këtë vend, të bekohen nga prosperiteti dhe paqja”. Me këto fjalë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, i përshëndeti ata që morën pjesë në festimet për Ditën e Selisë së Shenjtë, në Expo Osaka 2025.
Paqja, përparësi
Në fjalimin e rastit, Kardinali Parolin kujtoi se marrëdhëniet diplomatike, të vendosura mbi 80 vjet më parë, sot bazohen në shumë vlera të përbashkëta dhe në bashkëpunim të frytshëm, veçanërisht në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe ndihmës sociale. “Prioritete të tjera, të dashura për të dyja palët”, shpjegoi kard. Parolin, “janë paqja, stabiliteti dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të kufizuar përhapjen e pakontrolluar të armëve”. Në këtë drejtim, vijoi, ky vit na kujton 80-vjetorin e bombardimit tragjik atomik të Hiroshimës dhe Nagasakit, "ngjarje", theksoi, "që la gjurmë në historinë e këtij vendi e që plazmoi më tej angazhimin e tij të palëkundur për paqen".
Një marrëdhënie, në provën e kohës
Kardinali Parolin u ndalua tek historia e gjatë të marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Japonisë, duke kujtuar 470-vjetorin e ardhshëm të audiencës së parë papnore, dhënë një katoliku japonez kur, në vitin 1555, Bernardi i Kagoshimës u prit nga Papa Pali IV. Në mars, përkujtimi i 440-vjetorit të legatës së parë japoneze në Evropë: e ashtuquajtura Ambasada Tensho, ??e cila, pasi mbërriti në Romë, mundi të takonte Papën Gregori III dhe të kremtonte 410-vjetorin e Ambasadës Keicho,??në audiencë nga Papa Pali V në vitin 1615. "Këto kontakte të para historike - shpjegoi Kardinali Parolin - shënuan fillimin e një marrëdhënieje që i rezistoi kohës dhe e cila, shpresojmë, do të jetë gjithnjë e më e thellë në të ardhmen".
Bukuria dhe shpresa
Sekretari i Shtetit të Vatikanit zhvilloi, më pas, reflektimin mbi konceptet e bukurisë dhe të shpresës, që shijohen në temën "Bukuria sjell Shpresën" të pavionit të Selisë së Shenjtë në Expo 2025, në Osaka. "Janë vlera themelore për ne katolikët, sepse - shpjegoi - shohim në to pasqyrimin e Krishtit dhe veprimit të tij në histori. Për ne, ai është shprehja më e lartë e bukurisë hyjnore: bukuri, që tejkalon pamjen e jashtme për të prekur zemrat dhe shpirtrat e njerëzve. E Krishti është shpresa e njeriut, sepse me jetën dhe vdekjen e tij hapi rrugën e shpëtimit dhe të ripërtëritjes për mbarë njerëzimin".
Bukuria sociale
Duke folur për bukurinë, Kard. Parolin i nxiti të pranishmit të shikojnë çfarë mund të gjendet në bashkësinë njerëzore, në përhapjen e iniciativave sociale, në projektet vullnetare dhe të solidaritetit, që janë "farë pjellore nga e cila shoqëritë dhe politikat tona mund të nxjerrin forcë për të rinovuar projektet dhe për të sjellë dritë në shumë vende të errëta të botës sonë moderne".
Shpresa, thirrje për dialog dhe bashkëpunim
Tema e shpresës - shpjegoi Parolin - ndërthuret me besimin në Zotin, në angazhimin konkret për të mirën e përbashkët dhe nxit një ndjenjë bashkësie dhe përgjegjësie të ndërsjellë. “Ky virtyt - shtoi - sot duket më i nevojshëm se kurrë. Në një epokë të karakterizuar nga konflikte të shumta dhe sfida të mëdha globale, e ardhmja ndonjëherë të frikëson më shumë sesa e pret: vetëm në shpresë gjejmë kundërhelmin e frikës dhe inkurajimin për angazhim dhe veprim”. Shpresa është forcë lëvizëse për t'i bërë mirë bashkësisë dhe në nivel ndërkombëtar, “bëhet thirrje angazhimi të palëkundur për dialog dhe bashkëpunim, veçanërisht kur tensionet dhe konfliktet duken të pakapërcyeshme”.
Në përfundim, thirrja e Papës në ditën e zgjedhjes së tij, që të ndërtohen ura, të thuren dialogë, të bashkohen duart për të promovuar një “paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse, të përvuajtur dhe këmbëngulëse”.