Jubileu i l?vizjeve dhe i shoqatave: “Ne, deg? t? ndryshme t? s? nj?jt?s pem?”
R.SH. / Vatikan
“Degët e një peme kanë të gjitha llojet e formave dhe të madhësive, e marrin edhe drejtime të ndryshme nga njëra-tjetra, por gjithnjë dhe në çdo rast kërkojnë dritën”. Kështu, panamezja Emilia González, e Cursillos de Cristiandad, përpiqet të shpjegojë realitetin e përbërë nga grumbullimet kishtare të cilat, që nga mëngjesi i sotëm, e shtunë, 7 qershor, kalojnë nëpër Portat Shenjte të bazilikave të ndryshme papnore, me rastin e Jubileut të lëvizjeve, shoqatave dhe bashkësive të reja.
Një shkëndijë e re
“Secili prej nesh, në mënyrën e vet, dëshiron ta ushqejë Kishën përmes pasurisë shpirtërore dhe misionare në mënyrat e ndryshme të ndjekjes së Jezusit. Kjo është dhuratë e madhe bashkimi dhe dëshmi angazhimi ndaj mësimit të Atit të Shenjtë Papë”, kujton gruaja që mbërriti në Romë me rreth dyzet bashkatdhetarë të lëvizjes, të lindur në vitin 1944. Duke ardhur nga vendi që priti Ditën Botërore të Rinisë në vitin 2019, Emilia thekson, për mediat e Vatikanit, se “kjo mbledhje e përgjithshme” me Papën Leoni XIV, është edhe “burim i madh shprese si dhe shkëndijë e re për ta jetuar Krishterimin, duke zbuluar dashurinë e Zotit, mëshirën e Krishtit dhe shndritjen prej Shpirtit Shenjt”.
Ndërsa gruaja flet e prekur thellë në shpirt nga çastet që po kalon në Kishat mahnitëse të Romës, bashkësitë kishtare përgatiten për të marrë pjesë në Natën e Rrëshajëve në Sheshin e Shën Pjetrit, me Ipeshkvin e Romës, i cili nesër do të kremtojë Meshën solemne për ta, në pragun e Bazilikës së Vatikanit.
Për këtë arsye, që në orët e para të mëngjesit, Piazza Pia do të jetë përplot me shtegtarë ardhur nga të katër anët e botës, besimtarë të etur për ta përfunduar fundin e rrugës që i çon drejt Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, duke sjellë me vete Kryqin e Shpresës.