杏MAP导航

K?rko

2025.06.09 Seconda Parte - Giubileo della Santa Sede - Meditazione e processione verso la Basilica Vaticana

Kardinali Parolin p?r nunc?t: "T? mbjellim paqen me diplomacin? e Ungjillit"

Nunci apostolik ?sht? "ur?" nd?rmjet Pasardh?sit t? Pjetrit dhe Kishave lokale, nd?rmjet Kish?s dhe shtetit, "nd?rmjet plag?ve t? bot?s dhe shpres?s s? Ungjillit": k?shtu deklaron Sekretari i Shtetit t? Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, n? nj? intervist? p?r mediat e Vatikanit

R.SH. – Vatikan

         “Përfaqësuesi papnor është bartës i diplomacisë së Ungjillit” dhe është detyra e tij të “bëjë ç’është e mundur për ndërmjetësimin e dialogun”, duke mbjellur paqen. Këtë deklaron Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për mediat vatikanase me rastin e Jubileut të Selisë së Shenjtë, kremtuar dje, dhe takimit të Papës Leoni XIV me nuncët apostolikë, sot, 10 qershor.

Jubileu, çast uniteti për përfaqësuesit papnorë

         “Jubileu i Selisë së Shenjtë – nënvizon prelati - jep mundësinë për të përjetuar, edhe për përfaqësuesit papnorë, një çast uniteti. Jeta e secilit prej tyre është “shtegtim” i vazhdueshëm, pa mundësinë e rrënjosjes në një realitet të caktuar. Është jetë në lëvizje, por jo e vetmuar. Prandaj, ky Jubile sjell në mendje imazhin e një familjeje që, e shpërndarë në të gjithë botën, por e bashkuar, mblidhet në Romë për t'u takuar me Papën. Në këtë bashkim, shihet qartë lidhja ndërmjet përmasës së veçantë dhe asaj universale të Kishës: përfaqësuesi papnor është, para së gjithash, një urë lidhëse ndërmjet Vikarit të Krishtit dhe bashkësive në të cilat është dërguar, njëkohësisht, mban gjallë lidhjen e Kishave lokale me Selinë Apostolike. Për të garantuar këtë unitet, Sekretaria e Shtetit kryen rolin e saj koordinues, duke mbështetur misionin e përfaqësuesve papnorë në Romë dhe në botë”.

Misioni i veçantë i nuncëve apostolikë

         Por cili është misioni i veçantë i nuncëve apostolikë, që kryejnë njëkohësisht shërbime baritore e diplomatike? Kardinali Parolin sqaron se ata, duke qenë përfaqësues të Papës në qeveritë kombëtare dhe në institucionet mbikombëtare, e kanë për detyrë diplomatike “të dialogojnë me autoritetet civile, të punojnë për të shëruar përçarjet, të promovojnë paqen, drejtësinë dhe lirinë fetare, pa ndjekur interesa të njëanshme, por të frymëzuar nga një këndvështrim ungjillor mbi botën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”. Nga ana tjetër, vëren Sekretari i Shtetit të Vatikanit, “nunci apostolik është njeri i Kishës, edhe ai është Bari i saj dhe duhet ta bëjë të vetin shembullin e Krishtit, Bariut të Mirë! Të jesh Bari do të thotë të jesh pranë ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve dhe bashkësive, të cilave duhet t’u shërbesh, duke pasur gjithmonë një vështrim kishtar, domethënë vështrimin e meshtarit, që e ndien përgjegjësinë ndaj të tjerëve. Kështu, nunci apostolik bëhet urë ndërmjet Pasardhësit të Pjetrit dhe Kishave lokale, ndërmjet Kishës dhe shteteve, ndërmjet plagëve të botës dhe shpresës së Ungjillit”, thekson kardinali Parolin.

Tri cilësi themelore për një përfaqësues të Papës

         Më pas, ai nënvizon tri cilësi themelore për një përfaqësues të Papës. “Së pari, përvujtërinë si prirje e zemrës. Kjo na lejon të “bëhemi të vegjël” dhe të vendosur në besimin se Zoti, nëpërmjet nesh, mund të realizojë projekte të mëdha. Përballë detyrave të ndërlikuara dhe të papritura, i besojmë me qetësi hirit, që e shoqëron dhe e mbështet misionin.

Krahas përvujtërisë, zelli ungjillor – vë në dukje kardinali cilësinë e dytë. - Përfaqësuesi papnor është bartës i diplomacisë së Ungjillit, ka për detyrë të çojë dritën e Krishtit në cepat më të largëta të Tokës. E, së fundi, të jemi njerëz të pajtimit. Puna e diplomacisë papnore është të mbështesë përpjekjet e Atit të Shenjtë në krijimin e një bote gjithnjë e më shumë me vërtetësi, drejtësi dhe paqe”.

Formimi diplomatik i brezave të rinj të Kishës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit ka për zemër edhe formimin diplomatik të brezave të rinj të Kishës, në mënyrë që ajo të ecë me një hap me sfidat bashkëkohore. “Akademia Papnore Kishtare – vëren ai – kujdeset, që prej 300 vitesh, për formimin e meshtarëve të rinj, të cilët përgatiten të hyjnë në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Reforma e Akademisë, paraqitur kohët e fundit, synon përditësimin dhe përforcimin e formimit, në mënyrë që t’i përgjigjet gjithnjë e më shumë ndërlikimeve të botës së sotme. Objektivi i kësaj faze të re të diplomacisë së Vatikanit është të dërgojë në botë diplomatë, që janë profesionalisht kompetentë dhe thellësisht të frymëzuar nga Ungjilli, të vetëdijshëm se po përdorin magjisterin pjetrin si mjet bashkimi, për të mbjellë paqen dhe për të krijuar marrëdhënie solidare e paqësore ndërmjet popujve”, përfundon kardinali Pietro Parolin.

10 qershor 2025, 13:42