Imzot Gallagher n? Kub?: paqja, drejt?sia dhe e v?rteta, shtyllat e misionit t? Kish?s
R.SH. – Vatikan
Paqja, drejtësia, e vërteta. Këto vlera ishin në qendër të homelisë së meshës, kremtuar nga Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, në katedralen e Zojës së Papërlyer, në kryeqytetin kuban, Havana, ku prelati do të qëndrojë për vizitë deri më 6 qershor, me rastin e 90-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kubës. Imzot Gallagher kujtoi “afërsinë” e treguar nga Kisha për popullin kuban, përmes punës së nuncëve apostolikë dhe udhëtimeve të Shën Gjon Palit II, Benediktit XVI e, dhjetë vjet më parë, edhe të Papës Françesku.
Përshëndetja e Papës Leoni XIV
Kryeipeshkvi kujtoi fjalët e Françeskut, i cili u paraqit si "bir dhe shtegtar" dhe, duke folur për vizitën në shenjtëroren e Zojës së El Cobre, iu lut Zotit që Kuba të ecë në "shtigjet e drejtësisë, të paqes, lirisë dhe pajtimit". Gjatë kremtimit u falënderua Zoti edhe për zgjedhjen e Pasardhësit të ri të Shën Pjetrit, Papës Leoni XIV, përshëndetjen e të cilit për gjithë popullin kuban imzot Gallagher ua përcolli të pranishmëve: "Ju jeni në një cep të zemrës së Atit të Shenjtë", pohoi ai. Zgjedhja e tij, vijoi kryeipeshkvi, “dëshmon se dashuria e Zotit nuk e braktis kurrë popullin e vet”, pasi i dha “Atin e Shenjtë, i cili na përforcon në fenë e Zotit të ringjallur dhe na bashkon më shumë”. Pikërisht “bashkimi” bëhet fjalë kyçe si forma më e lartë e unitetit, duke pranuar ftesën e Papës Leoni XIV për ta bërë Kishën “tharm për një botë të pajtuar”.
Shtylla e bamirësisë
"Është ora e dashurisë, na thotë Papa Leoni XIV”, vuri në dukje imzot Gallagher, i cili, duke marrë fjalë nga enciklika “Rerum novarum” e Leonit XIII, që frymëzoi emrin e Atit të Shenjtë, i ftoi të pranishmit të bëjnë pyetjen: "Nëse bamirësia e Zotit do të mbizotëronte në botë, a nuk ju duket se çdo luftë do të përfundonte shpejt aty ku kjo bamirësi do të hynte në fuqi në shoqërinë civile?". Bamirësia e kuptuar jo si lëmoshë e thjeshtë, por si "shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, që dha jetën e tij për ne", sqaroi Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, duke folur për atë lloj bamirësie, që kthehet në program, "dhuratë dhe angazhim" i orientuar drejt së mirës së përbashkët dhe marrëdhënieve njerëzore cilësore. Tri shtyllat - paqja, drejtësia, e vërteta - nuk duhet të ndahen kurrë nga bamirësia, "gjithmonë e rrënjosur në shqetësimin për jetën dhe të mirën e çdo burri dhe çdo gruaje". Së fundi, u theksoi autoriteteve të pranishme: “Mbi këto parime, për të mirën e përbashkët të të gjithë kubanezëve, mund të mbështeteni gjithmonë në bashkëpunimin e Selisë së Shenjtë”.
Programi i vizitës së imzot Gallagher
Vizita e imzot Paul Richard Gallagher u shënua dje nga takimi me ipeshkvijtë e Kubës, të cilëve u çoi vlerësimin e Papës e të Selisë së Shenjtë për shërbimin e Kishës Katolike në vendin karaibik në favor të të varfërve, të të sëmurëve, të të burgosurve e të të vuajturve. Në orën 18.00, mesha në katedralen e Havanës, siç e thamë më sipër. Më pas, imzot Gallagher mori pjesë në paraqitjen e një pulle përkujtimore të 90-vjetorit të marrëdhënieve Seli e Shenjtë-Kubë. Sot, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare pati një takim me presidentin e Republikës, Miguel Díaz-Canel, në kuadrin e ngjarjes kryesore të kremtimeve të 90-vjetorit. Qeveria kubaneze, në njoftimin e saj për to, thekson se themelet e marrëdhënieve të saj me Selinë e Shenjtë janë “respekti, njohja reciproke, si edhe diplomacia etike dhe e përgjegjshme”.