Forumi p?r Dialog dhe Paqe n? Ballkan, De Paula Souza: t’i mb?shtesim t? rinjt?, artizan? t? paqes
R.SH. – Vatikan
“Të rinjtë janë të thirrur për një detyrë të guximshme: të krijojnë miqësi shoqërore, të kapërcejnë përçarjet historike dhe kulturore dhe të bëhen ‘artizanë të paqes’. Hapi i parë për këtë është dialogu. Kjo kërkon dëgjim dhe, shpesh, kapërcimin e plagëve historike”. Kështu foli më 14 qershor, në Koper të Sllovenisë, sekretari i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, Gleison De Paula Souza, gjatë “Forumit 2025 për Dialog dhe Paqe në Ballkan – Vlera të Përbashkëta të Jetës për Paqen”. Takimi ndërfetar u organizua nga Konferenca Ipeshkvnore Sllovene, e cila shqetësohet për pasojat, që mund të ketë kthimi i luftës në Evropën Lindore - me konfliktin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës - në indin shoqëror të popullsive të Ballkanit. Natyrisht, nuk dëshirohet rihapja e plagëve të vjetra në kujtesë, pas ndeshjeve të përgjakshme ndëretnike, që shkatërruan ish-Jugosllavinë në vitet ‘90.
Ballkani, laborator paqeje
Pikërisht për këtë arsye, përveçse "për centralitetin e tij gjeografik në kontinentin evropian dhe kompleksitetin e jashtëzakonshëm etnik, gjuhësor dhe fetar", sekretari De Paula Souza nënvizoi potencialin e jashtëzakonshëm të rajonit të Ballkanit si një "laborator i gjallë, ku vlerësimi i ndryshimeve përfaqëson një sfidë të madhe, por edhe një pasuri të madhe".
Rinia dhe vlerat
“Vlerat e jetës, si dashuria, drejtësia, solidariteti, dinjiteti – argumentoi sekretari i Dikasterit të Selisë së Shenjtë – kanë nevojë për paqe që të zhvillohen, por është e vërtetë edhe e kundërta: nuk mund të ketë paqe, nëse nuk mbrojmë vlerat që ruajnë jetën”. Pikërisht për këtë, të rinjtë kanë një rol të privilegjuar, vërejti De Paula Souza: “Ata janë vullkan jete, energjie, ndjenjash, idesh – nënvizoi ai – ata kanë atë gjallëri dhe këmbëngulje, tipike të moshës së re, që mund të jenë fener, që shndrit një qytetërim më njerëzor dhe më vëllazëror”.
Gjallëria e të rinjve mund ta ndryshojë botën
Prandaj, detyra e politikës dhe e institucioneve është të bëjnë të mundur shprehjen e lirë të potencialit të brezave të rinj dhe njëkohësisht, të kuptojnë kërkesat për ndryshim: “Ftohemi – përfundoi De Paula Souza – si operatorë politikë, kulturorë, fetarë dhe shoqërore, t’i mirëpresim dhe t’i shoqërojmë të rinjtë, duke i lënë ata të na shoqërojnë, të na zgjojnë nga gjumi, me atë forcë gjallëruese, që e bën botën të ndryshojë”.