Dhimbja e Leonit XIV p?r viktimat e rr?zimit t? aeroplanit n? Indi
R.SH. – Vatikan
Papa shpreh “trishtim të thellë” për aksidentin që ndodhi sot, 12 qershor, në një zonë rezidenciale të qytetit indian Ahmedabad, ku një Boeing 787 i Air India, me destinacion Londrën, me 242 pasagjerë në bord, u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Leoni XIV u dërgon “ngushëllimet e tij të sinqerta familjeve dhe miqve të atyre që humbën jetën”. Ati i Shenjtë siguron lutje “për të gjithë ata, që janë përfshirë në përpjekjet për ndihmë”. “Duke ia besuar shpirtrat e të ndjerëve mëshirës së Zotit të Gjithëpushtetshëm”, Papa i kërkon Hyjit “bekimin hyjnor të shërimit dhe të paqes” për të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.
Tragjedia
Avioni nisej për në Londër, me 53 pasagjerë britanikë, 7 portugezë dhe një kanadez, përveç atyre indianë. Ndërmjet viktimave, edhe disa mjekë, që studionin specializime të ndryshme. Qeveria lokale e shtetit federal të Gujaratit, ku Ahmedabadi është një nga qytetet më të mëdha me 3,5 milionë banorë, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Mesazhe ngushëllimi kanë mbërritur nga e gjithë bota. Kryeministri indian Narendra Modi, në një postim në X, e quajti ngjarjen "tragjedi, që na thyen zemrat". Kryeministri britanik Keir Starmer u drejtoi mendimet e tij pasagjerëve dhe familjeve të tyre "në këtë çast ankthi të thellë".