Sh?n Pjetri me ?el?sat dhe rrjet?n, mbi Unaz?n e Peshkatarit t? Leonit XIV
R.SH. / Vatikan
Brenda Unazës së Peshkatarit është mbishkrimi Leoni XIV; në pjesën e jashtme, shihet Shën Pjetri me çelësat dhe rrjetën. Duket qartë nga fotografia, të cilën e publikoi Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Papës, shoqëruar me një shpjegim.
Unaza e Peshkatarit - thuhet aty - do t'i dorëzohet Papës Leoni XIV gjatë kremtimit nesër, të dielë, 18 maj, për fillimin e shërbimit të Pjetrit. Në të shihet qartë figura e Shën Pjetrit Apostull, ndaj unaza quhet "e Peshkatarit" sepse "Pjetri është Apostulli peshkatar i cili, duke pasur besim në fjalën e Jezusit, nxori nga varka rrjetat e peshkut të mrekullueshëm".
Ka vlerën tipike të unazës-vulë, që vërteton rrënjësisht fenë, detyrë që iu besua Pjetrit nga Jezusi për të konfirmuar vëllezërit e tij në fe (krh. Luka 22,32, e që për këtë arsye i transmetohet edhe Papës Leoni XIV. Të duket sikur zëri i Zotit Jezus vijon t’i kujtojë të zotit të unazës: “Por unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë. Por ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu”.
Paliumi
Dje, Zyra e Kremtimeve Liturgjike publikoi gjithashtu edhe figurën Palliumit i cili, së bashku me Unazën e Peshkatarit, përfaqëson stemën ipeshkvore "Pjetrine". Është “prej leshi të bardhë, - lexojmë në mbishkrimin që shoqëron foton – simbol i ipeshkvit si Bari i mirë e, në të njëjtën kohë, i Qengjit të kryqëzuar për shpëtimin e njerëzimit”.
Palliumi është fashë e ngushtë, që mbështetet mbi shpatulla, mbi kazulën a veshjen liturgjike. Ka dy rripa të zinj, që varen para e prapa dhe zbukurohet me gjashtë kryqe mëndafshi të zinj - një në secilin skaj që zbret poshtë gjoksit dhe shpinës dhe katër në unazën që mbështetet në shpatulla - dhe është i zbukuruar, para dhe prapa, me tri gjilpëra (acicula), simbol i tri gozhdave të Kryqit të Krishtit.