Prevost n? Azi, burr? i d?gjimit e i dialogut
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV nuk është aspak i panjohur me Azinë. Lajmi u jep shpresë besimtarëve në kombet dhe territoret e kontinentit më të gjërë dhe më të populluar, ku jetojnë dy të tretat e njerëzimit. Përvoja dhe frekuentimi i realiteteve në Azi u forcuan posaçërisht gjatë periudhës në të cilën At Robert Francis Prevost ishte Epror i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit e, si kreu i bashkësisë, u ftua për të vizituar dhe për t’i shoqëruar bashkësitë dhe misionet augustiniane në të gjithë planetin.
Augustinianët në Azi
Fretërit augustinianë krenohen për historinë e gjatë dhe të pasur në Azi. Themeluan misione në Filipine, Japoni, Kinë, Vietnam, Indi, Korenë e Jugut, Indonezi, e sot kanë bashkësi të mirë-vendosura dhe të rrënjosura, falë edhe vendeve, që e lejuan Urdhrin të konsolidohej dhe të merrte një fytyrë tipike aziatike. Agustinianët mbërritën në Azi në shekullin e 16-të, veçanërisht në Filipine, ku konsiderohen ndër ungjillëzuesit e parë të arkipelagut. Më vonë e zgjeruan praninë e tyre në pjesë të tjera të kontinentit. Shpesh lëviznin në viset e ungjillëzimit të parë, ku nuk kishte të krishterë. Misioni i tyre ungjillëzues, krahas shpalljes së Krishtit dhe shërbimit baritor, u përqendrua kryesisht tek arsimi, mbrojtja e të drejtave të të varfërve dhe të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë, si dhe tek dialogu ndërkulturor.
Vizita në Filipine, në vitin 2010
Gjatë më shumë se pesëqind vjetëve mision, rregulltarët e zgjeruan praninë e tyre dhe vazhdojnë të shërbejnë në disa vende si Japonia, India, Koreja e Jugut dhe Indonezia. “Kjo trashëgimi është shumë e pranishme në bagazhin njerëzor, shpirtëror dhe baritor të Papës Leoni XIV”, kujton në një intervistë me mediat e Vatikanit Atë Anthony Banks, delegat për Azinë në Këshillin e Përgjithshëm të Urdhrit të Shën Augustinit: “Në shërbimin e tij si Kreu i mëparshëm, për dymbëdhjetë vjet të plota, arriti të njihte, të vlerësonte dhe të vlerësohej nga bashkësitë augustiniane të përhapura në të gjithë kontinentin, duke pasur mundësinë të frekuentonte kontekste dhe kultura të ndryshme si edhe të zhytej në qytetërimet dhe në traditat kulturore e fetare mijëvjeçare të Azisë”, nënvizon ai.
Në territoret aziatike, si në pjesë të tjera të botës, familja fetare augustiniane zgjerohej për të përfshirë murgeshat dhe laikët që ndiqnin të njëjtën përshpirtëri. Prandaj, kontaktet e Priorit Prevost ishin të gjera dhe të larmishme, edhe pse realitetet baritore, edukative dhe shoqërore qenë gjithnjë të lidhura me misionet augustiniane. Provinciali i Osës për Filipinet, Ati Dante M. Bendoy, kujton se Robert Francis Prevost, duke vizituar Filipinet, në vitin 2010, "la një përshtypje të pashlyeshme, veçanërisht për praninë e tij të ngrohtë dhe përvujtërinë e tij".
Papa Leoni XIV dhe India
Nga India, Ati Stephen Alathara, zëvendës-sekretar i përgjithshëm i Konferencës së Ipeshkvijve të Ritit Latin, duke folur për agjencinë e lajmeve Fides, kujtoi: «Leoni XIV kujtohet në Indi me dashamirësi, si njeri i thjeshtë, që dinte të përshtatej me kushtet vendase. Të gjithë e përshkruajnë si njeri që dëgjon e që dialogon, me përshpirtëri të thellë e marrëdhënie njerëzore. Mbi të gjitha, ajo që u bëri përshtypje të gjithëve, ishte fakti se kaloi orë të gjata “në adhurim të heshtur eukaristik".
Dy vizitat e Atit Prevost në Indi, në vitin 2004 dhe 2006, prekën disa bashkësi në Kerala dhe Tamil Nadu. Besimtarët indianë kujtojnë se në vitin 2006, Papa i ardhshëm gjeti kohë për të vizituar shkollën e drejtuar nga etërit augustinianë në dioqezën e Coimbatore, në Tamil Nadu, duke kaluar pak kohë edhe me fëmijët e të rinjtë. Ai donte të takonte bashkësinë famullitare të Shën Tomës në Thalapuzha, dioqezë e Calicut në Kerala: "Këto janë gjeste që zbulojnë dëshirën, tërësisht misionare, për të qenë gjithmonë në kontakt me realitetin, me njerëzit. Shpresojmë ta mirëpresim përsëri në Indi, tani si Leoni XIV", pohon Alathara.
Histori nga Indonezia dhe Japonia
Augustinianët e Indonezisë kujtojnë gjithashtu takimet që patën me të, kur vizitoi bashkësitë lokale në vitin 2003. Ati Jan Pieter Fatem, aktualisht përgjegjës për vikariatin e Papuas, na e përshkruan si “burrë i vërtetë, që e zhvilloi jetën komunitare me shumë entuziazëm, njeri plot dashuri dhe dëgjues i mirë”. Si bashkëpunëtor, u konsiderua gjithmonë shembull për përshpirtërinë tonë augustiniane".
Nga besimtarët që e takuan në pesë udhëtime të ndryshme në Korenë e Jugut, Priori Prevost konsiderohet "person i moderuar, mbartës i unitetit, në gjendje të harmonizonte ndjeshmëri dhe tensione të ndryshme".
Ndërsa në Japoni, një aspekt që At Prevost e mori shumë në konsideratë, vëren At Banks, ishte "historia e pranisë augustiniane në trojet japoneze, disa anëtarë të së cilës u martirizuan gjatë periudhave të persekutimit fetar". Për më tepër, kujton, "ai u prek edhe në Nagasaki, duke menduar për viktimat e bombës atomike. Prania e tij ka qenë gjithmonë e një “shpërndarësi shprese".