Nes?r, mesha e par? e Pap?s s? ri me kardinajt?, n? Kapel?n Sikstine
R.SH. – Vatikan
Në mbrëmjen e sotme, pas zgjedhjes së Papës së ri Leoni XIV e pas gazmendit të gjithë të krishterëve kudo në botë, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, ripërshkoi me gazetarët fjalët e Atit të Shenjtë, në dukjen e tij të parë nga Lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit. Por dha edhe disa njoftime të rëndësishme.
Nesër, Papa Prevost do të kremtojë meshën me kardinajtë, në orën 11.00, në Kapelën Sikstine, ku u mbajt Konklavi, në Vatikan. Të dielën, në mesditë, nga Lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, ai do të thotë lutjen e parë të Mbretëreshës Qiellore si Papë. Ndërsa të hënën, më 12 maj, në orën 10.00, në Sallën Pali VI, do të takohet me të gjithë gazetarët e punonjësit e mediave, që këto ditë, e ndoqën me vëmendje Konklavin e ngjarjet e tjera, që nga vdekja e Papës Françesku.
Para njoftimeve, Matteo Bruni kujtoi përshëndetjen e Papës Leoni XIV, marrë nga fjalët e Jezu Krishtit pas Pashkëve, që u jep paqen dishepujve të vet, duke vijuar me shprehjen e etjes për paqen – e çarmatosur e çarmatosëse – me fjalët për dialog, me evokimin e fjalëve të Papës Françesku e më përsëritjen e tyre për besimtarët e për gjithë njerëzit: “Zoti ju do, ju do të gjithëve. E keqja nuk do të ngadhnjejë!”
Më tej, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit sqaroi se emri i zgjedhur nga Papa i ri kujton qartësisht paraardhësin Leoni XIII, Papë i enciklikës “Rerum Novarum”, shpallur më 15 maj 1891, dokument në zanafillë të doktrinës moderne shoqërore të Kishës Katolike. E nuk ishte e rastësishme në përshëndetjen e Papës Prevost edhe përmendja e grave dhe e burrave, e punës së tyre, në këto kohë të Inteligjencës Artificiale.