N? Kapel?n Sikstine, selin? e Konklavit, gjith?ka flet p?r pranin? e Zotit
R.SH. / Vatikan
Tërheq vëmendjen, qetëson shpirtrat. Gjesti mbretëror dhe i qetë i Krishtit gjykatës në afreskun të Michelangelo-s është qendra dhe forca lëvizëse e afërsisht katërqind figurave, duke përfshirë shpirtra, shenjtorë, engjëj dhe të dënuar, që mbulojnë krejtësisht faqen e madhe të murin - afërsisht 14 me 12 metra - pas altarit të Kapelës Sikstine. Në këtë vend, kulm arti e përshpirtërie, do të zgjidhet këto ditë pasardhësi i Pjetrit
Nën shikimin e Jezusit e të Marisë
Në Qendër të Gjykimit, Biri i Zotit ulet gjysmë i zhveshur mbi retë: me krahun e majtë zbulon brinjët e shporuara e, me të djathtën e ngritur lart, shpall vendimin e Gjyqit të Mbram! Pranë Tij, e mbështjellë nga një shkulm drite, është Virgjëra Mari: ajo ka ndërmjetësuar gjithnjë për shpëtimin e njerëzve, por tani kthen kokën nga ana tjetër, pothuajse e dorëzuar. Nuk mund të ndërhyjë më, por vetëm të presë fjalët e Birit. Vështrimi amtar i Zojës Mari kthehet djathtas, nga të zgjedhurit në ngjitje drejt qiellit, në pritje të ringjalljes, ndërsa vështrimi i ashpër i Krishtit drejtohet nga shpirtrat e mallkuar, të dëshpëruar dhe të pikëlluar, të shtyrë nga djajtë në gojën e ferrit. Disa përpiqen më kot të shpëtojnë veten nga mallkimi i përjetshëm, duke u ngjitur në re. Por më kot!
Karonti dhe Minosi
Në pjesën e poshtme të kompozimit, Karonti, timonieri i ferrit, i godet të mallkuarit me rremin e tij dhe i detyron të zbresin nga varka, për t'i çuar para Minosit. Trupi i gjykatësi infernal me veshë të gjatë gomari, mbështillet me spiralet e një gjarpri, që ia kafshon organet gjenitale, simbol i fundit i racës njerëzore. Figura e Dantes, përshkruar ndërmjet shpirtrave të bekuar, është e dukshme.
Figurat e Shenjtorëve
Plasticizmi skulpturor i Mikelangelo-s, i frymëzuar nga kryeveprat e Laokoonit ose Torzos, të ruajtura në Oborrin e Shtatoreve në Vatikan nga Papa Juli II, duket gjithashtu edhe në figurat e Shenjtorëve: Pjetrit me çelësa, Lorencit me gradelën, Katerinën e Aleksandrisë me ingranazhin, Sebastianin e gjunjëzuar me shigjeta në dorë; Bartolomeun me lëkurën e vet në dorë, rrjepur nga katilët: në të artisti përshkruan fytyrën e tij të deformuar dhe të pikëlluar.
Engjëjt e Apokalipsit
Nën figurën madhështore të Krishtit, ndjehet fuqia e tingujve: ajo e borive të gjata të engjëjve të apokalipsit me faqet e fryra për të mbushur tubat me ajër e për të zgjuar të vdekurit. Ata që ia dhuruar jetën Krishtit janë të shpëtuar. Ky mesazh duket se del nga dy dritaret në krye, në të djathtë e në të majtë, ku fluturojnë grupe engjëjsh që mbartin simbolet e mundimeve: kryqin, gozhdat, kurorën me gjemba, shtyllën e rrahjes
Drita e mund errësirën
Sipas Mikelanxhelos, kjo është Parousia, ardhja e Jezusit në fund të kohës, që përuron Mbretërinë e Zotit. I gjithë vegimi i trazuar dhe i pikëlluar në deformimin tragjik të trupave, megjithatë përshkohet anembanë nga shkëlqimi i Besojmës. Mbi errësirën, fiton drita, shkëlqimi i qiellit, ngjyra e kaltër të lazulit. Biagio da Cesena, asokohe mjeshtër i ceremonive të Papës Pali III, u shkandullua dhe e quajti punë shumë të pandershme përshkrimin e kaq shumë "njerëzve të zhveshur, që e tregojnë turpin e tyre lakuriq", duke e konsideruar kompozimin "më të përshtatshëm për një han, sesa për një faltore papnore"; më vonë, pas Koncilit të Trentit, piktorit Daniele da Volterra iu kërkua të mbulonte lakuriqësinë e disa figurave të konsideruara të pahijshme, e censura të tjera u bënë në shekujt pasues. Po piktura madhështore, e papërsëritshme, u bëri ballë njerëzve e shekujve…
Shenjtërorja e teologjisë së trupit të njeriut
Tridhjetë vjet më parë, “restaurimi i shekullit” e riktheu shkëlqimin e ngjyrave origjinale të afreskeve; hoqi edhe “brakeshat” duke ruajtur vetëm disa si dëshmi historike të Kundërreformës. Në homelinë e tij gjatë kremtimit eukaristik për inaugurimin e restaurimit, Gjon Pali II nuk ngurroi ta përkufizonte Gjyqin e Fundit e, në përgjithësi, Kapelën Sikstine "shenjtore e teologjisë së trupit njerëzor". Në Kushtetutën Apostolike Universi Dominici Gregis të vitit 1996, vetë Papa urdhëroi që Konklavi të vazhdonte të zhvillohej në këtë sallë "ku gjithçka krijon vetëdijen për praninë e Zotit, para të cilit çdo njeri duhet të paraqitet një ditë për t'u gjykuar". Sipas Papës Vojtila, afresket e Mikelanxhelos, në veçanti Gjyqi i Mbram, i pikturuar në 450 ditë ndërmjet viteve 1536 dhe 1541, do të kishin kontribuar në përgatitjen e shpirtrave të kardinajve zgjedhës për të mirëpritur ndër to lëvizjet e Shpirtit Shenjt.
Konklavi e Triptikut Romak të Gjon Palit II
"Në këtë vend mahnitës
rrëzë kësaj Sikstine,
kardinajtë janë nisë!
Bashkësi përgjegjëse
mbërrin pikërisht këtu….
për çelësat e Mbretërisë.
E Mikelanxhelo si dje
i mahnitë fort e fort
me ngjyrat e gjalla
e penelin pamort!
Këto vargje i shkroi Gjon Pali II në një dëshmi unike të emocioneve që i ngjallën afresket e Mikelanxhelos në kohën e konklavit të vitit 1978. Në Triptikun e tij Romak. Në librin e tij Meditime (botuar nga Libreria Editrice Vaticana në vitin 2003 dhe, në vitin 2011, nga Bompiani, redaktuar nga Giovanni Reale), Papa polak sodit Kapelën Sikstine:
"Jam në prag të Kapelës Sistine - / ndoshta e gjithë kjo ishte më e lehtë për t'u interpretuar në gjuhën e 'Zanafillës' - / por Libri po priste imazhin. - Pikërisht. Po priste Mikelanxhelon e vet. / Sepse Ai që krijoi 'pa' - pa se 'kjo ishte e mirë'. / Ai 'pa', dhe pastaj Libri po priste frytin e 'vizionit'. / O njeri që sheh edhe ti, eja - / Po ju bëj thirrje juve 'shikuesve' të të gjitha kohërave. / Po të bëj thirrje ty, Mikelanxhelo! / Në Vatikan ka një kapelë, e cila pret frytin e vizionit tënd! / Vizioni pret imazhin. / Që kur Fjala u bë njeri, vizioni, që atëherë, është duke pritur".
Vizioni i Konklaveve
Në të njëjtin Triptik Romak, siç e shpjegoi Kardinali i atëhershëm Ratzinger më 6 mars 2003, me rastin e paraqitjes së veprës, "Kundrimi i Gjyqit të Fundit”, në epilogun e panelit të dytë, është ndoshta pjesa e Triptikut që e prek më shumë shikuesin.
Nga “sytë” e shpirtit të Papës del përsëri kujtimi i Konklaveve të gushtit dhe tetorit 1978: “Meqenëse isha edhe unë i pranishëm, e di mirë se si u ekspozuam para atyre pamjeve në orët e vendimit të madh, si na vunë në dyshim; si na reshën në shpirt madhështinë e përgjegjësisë". Këto janë fjalët e Gjon Palit II në Triptikun Romak:
"Ishte kështu në gusht dhe pastaj në tetor,
në vitin e paharrueshëm të dy konklaveve /
e kështu do të jetë përsëri, kur të lindë nevoja pas vdekjes sime. /
Për këtë qëllim, vizioni i Mikelanxhelos duhet t'u flasë atyre. /
"Konklavi": një shqetësim i përbashkët
për trashëgiminë e çelësave, Çelësave të Mbretërisë. /
Ja, ato shihen ndërmjet Fillimit dhe Fundit, /
Ditës së Krijimit dhe Ditës së Gjykimit. /
I është dhënë njeriut të vdesë vetëm një herë
e pastaj Gjykimi! /
Një transparencë dhe dritë përfundimtare. /
Transparenca e ngjarjeve – /
Transparenca e ndërgjegjeve – /
Është e nevojshme që, me rastin e konklavit, Mikelanxhelo t'u mësojë njerëzve – /
Mos harroni: Omnia nuda et aperta sunt ante oculos Eius. /
Ti që depërton në gjithçka – trego! / Ai do të tregojë…".