Modernizmi i mendimit t? Pap?s Ratzinger: t? mos mbyllemi n? geto
R.SH. / Vatikan
"Me Zotin punët e mëdha fillojnë gjithmonë vogëlsisht, ndaj edhe për transformimin e fesë në shoqërinë e sotme është e rëndësishme të mos na shqetësojnë numrat, por shpëtimi". Fjalët janë të Kardinali Kurt Koch, Prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, gjatë paraqitjes të vëllimit të 13-të të Opera Omnia nga Joseph Ratzinger - Benedikti XVI, Në dialog me kohën e tij, mbajtur në Milano, në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, pasditen e së mërkurës, 28 maj. Pas hyrjes së Don Pierluigi Banna-s, profesor i Teologjisë në universitet, dhe përshëndetjes nga Lorenzo Fazzini, drejtues i Libreria Editrice Vaticana, u zhvillua një dialog ndërmjet Andrea Tornielli-t, drejtor editorial i medias së Vatikanit, dhe Kardinalit Koch, i moderuar nga Piero Luca Azzaro, përkthyes dhe redaktor i Opera Omnia e profesor në Universitetin Katolik.
Teksti na çon rishtas në thellësinë, kompleksitetin dhe modernitetin e mendimit të Ratzinger-it, i cili nuk mund të reduktohet dhe të mbyllet në skemat e një narrative të caktuar "konservatore". Në pjesën e parë të bisedës, u diskutua për sinodalitetin, gjithmonë duke u nisur nga citate të Ratzinger i cili, në vitin 1969, pranoi se në Kishë "modeli i monarkisë, i monarkive absolute, vazhdoi të vepronte, ndaj është e natyrshme që një reflektim mbi këtë pikë të nisë, por gjithnjë ngadalë. Është e nevojshme që një transformim të ndodhë ngadalë në mënyrën e jetesës, në vetëdije, në qëndrim dhe në praktikë".
Në një rast tjetër, Papa i ardhshëm e konsideroi “të domosdoshme rritjen e mekanizmave të konsultimit dhe të takimit” duke shpresuar për “forma diskutimi më pak të centralizuara dhe më pak spektakolare”, e duke kërkuar “modele më të gjera të pjesëmarrjes së episkopatit botëror, të afta të garantojnë, nga ana tjetër, lidhjen ndërmjet realiteteve të ndryshme rajonale”.
“Benedikti XVI ka qenë gjithmonë në favor të sinodalitetit - kujtoi kardinali Koch - në kuptimin e tij origjinal të “ecjes me”: Kisha dhe sinodi janë sinonime, shpjegonte Shën Gjon Krizostomi”. Por, shtoi Kardinali Koch, sinodaliteti “nuk është alternativë e hierarkisë: Kisha Katolike është njëkohësisht hierarkike dhe sinodale”. Në këtë drejtim, kardinali Koch citoi Qiprianin e Kartagjenës, i cili shpjegoi se kur bëhet fjalë për vendime, “asgjë nuk duhet të bëhet pa një ipeshkëv, asgjë, pa këshillën e meshtarëve, asgjë pa pëlqimin e besimtarëve”.
Domethënëse, pastaj, pasazhe të tjera, në të cilat vërejmë qëndrimin e Ratzingerit në kundërshtim me botën, që çon në tërheqje ose kthim në të kaluarën, duke menduar se zgjidhja është kthimi në disiplinën më të hekurt dhe në "praktikën e antimodanizmit". Në të vërtetë, si teolog dhe si kardinal, e më pas si Papë, Ratzinger gjithmonë mbështeti nevojën për dialog dhe ballafaqim me ata që nuk besojnë, gjithashtu edhe për të shmangur rrezikun e shndërrimit të fesë në ideologji, duke errësuar faktin se feja mbetet rrugë dhe, për këtë arsye, është e aftë të pranojë vuajtjet e atyre që dyshojnë dhe që e vënë në pikëpyetje vetveten.
"Në librin e tij të parë të madh Hyrje në Krishterim - shpjegoi Kardinali - Ratzinger pohon se besimtari ka jobesimtarin brenda vetes - e anasjelltas. Kjo arsyeja pse dialogu është shumë i rëndësishëm. Baza e këtij problemi është se Zoti është mister dhe, për këtë arsye, nëse një njeri ka përshtypjen se e ka kuptuar Zotin, mund të jetë i sigurt se çka kuptoi nuk është sigurisht Zoti". Koch këmbëngul në rëndësinë e dialogut ndërmjet fesë dhe arsyes, duke theksuar se "feja, e konfirmuar në reflektim, është gjithmonë e hapur për dialog, ndërsa ideologjia është e mbyllur në vetvete". Citohen kështu faqe në të cilat Ratzinger flet për Kishën e së ardhmes në shoqëritë e shekullarizuara, duke shpresuar se ajo do të jetë më e lirë dhe më e varfër, e duke e parë kështu pozitivisht faktin se nuk mund të mbështetet më te kolateralizmi, te pushteti a te strukturat e mëdha.
Kardinali Koch kujton se si Benedikti XVI pohoi, në Freiburg, se Kisha u ndihmua nga jashtë për t'u de-mondanizuar, kur humbi privilegjet dhe pushtetin. "Postulati i de-mondanizimit, shtoi ai, "nuk është distancim i Kishës nga bota, por mundësi që dëshmia të perceptohet besueshëm. Benedikti XVI ishte dëshmitar i një Kishe të çliruar nga barrët dhe privilegjet politike, sepse kështu mund t'i kushtohet më mirë dëshmisë dhe shërbimit e mund ta jetojë me më shumë lehtësi thirrjen për shërbesën e Zotit dhe të të afërmit".
Së fundmi, kardinali Koch përmendi atë që Ratzinger e quan karizma e pakicave të sotme, domethënë, “metodën e Zotit për rrugën e ungjillëzimit, e cila njihet në shëmbëlltyrën e farës së sinapit: më e vogla nga të gjitha farët, që rritet në bimën më të madhe. Me Zotin, gjërat e mëdha lindin gjithnjë të vogla, ndërsa për shndërrimin e fesë në shoqërinë e sotme, është e rëndësishme të mos shqetësohemi për numrat, por për shëlbimin. Kjo është sfida për ripërtëritjen e Kishës, veçanërisht duke nisur nga shenjtorët dhe nga dëshmia e tyre”.
Përfundimi i veprës iu besua Don Elia Carrai-t, profesor i Teologjisë Themelore në Fakultetin Teologjik të Italisë Qendrore, i cili vërejti se si nga dialogët e pafundmë të Ratzinger-it me gazetarët, del në pah realiteti i së vërtetës së krishterë që “zbulohet brenda historisë dhe, për këtë arsye, brenda përvojës, duke u bërë objekt verifikimi nga njeriu”. Njerëzit, që e jetojnë fenë “dëshmojnë se një jetë vërtet njerëzore është e mundur” dhe atëhere “për njeriun e kohës sonë mesazhi i krishterë bëhet i kuptueshëm”.