杏MAP导航

K?rko

Congregazione cardinali

Kongregacioni i tet? i kardinajve: n? qend?r, ungjill?zimi e misioni i Kish?s

Ungjill?zimi, bashkimi v?llaz?ror, d?shmia e unitetit n? Kish?, vuajtja e persekutimi i besimtar?ve t? Kishave Lindore, sinodaliteti: k?to, disa nga temat e diskutuara nga kardinajt?, n? Kongregacionin e tet? t? P?rgjithsh?m, mbajtur sot paradite n? Vatikan

R.SH. – Vatikan

Ungjillëzimi, në qendër të papnisë së Françeskut, ishte një nga temat për të cilat u diskutua sot në Kongregacionin e tetë të Përgjithshëm të kardinajve, në përgatitje të Konklavit, që do të fillojë më 7 maj. Të pranishëm më se 180 prelatë, prej të cilëve më se 120 me të drejtë vote. Mbledhja filloi me lutje, në orën 9.00, ndërsa gjatë pauzës bënë betimin disa kardinaj, që kanë ardhur këto ditë në Romë. Ende duhet të vijnë katër të tjerë, nënvizoi gjatë konferencës për gazetarët drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni.

Temat e mbledhjes së sotme

Pikërisht ai sqaroi se sot folën 25 kardinaj, të cilët, përveç temës së ungjillëzimit, trajtuan edhe tema të tjera, si: Kisha, e parë si bashkim vëllazëror e ungjillëzues; kërkesa për komunikimin e Ungjillit, veçanërisht të rinjve; Kishat Lindore, vuajtja dhe dëshmia e tyre; domosdoshmëria për ta bërë kumtimin e Ungjillit të frytshëm në të gjitha nivelet, nga famullitë e deri te Kuria Romake; detyra e dëshmisë ungjillore, por edhe e dëshmisë së unitetit, për të cilën u përmend urdhërimi i dashurisë dhënë nga Jezu Krishti dishepujve, kur u thotë se nga mënyra se si do ta duan njëri-tjetrin, njerëzit do t’i njohin si dishepuj të Tij. Gjatë kongregacionit, u vunë në dukje edhe rreziqet e lidhura me dëshminë e Ungjillit, duke nënvizuar shëmtinë e abuzimeve seksuale dhe të skandaleve financiare në Kishë. Më pas, u fol për centralitetin e liturgjisë, për rëndësinë e së drejtës kanonike, për sinodalitetin dhe ndikimin e tij në kolegjialitetin e misionin e Kishës, por edhe në shekullarizmin e botës. U përmend vazhdimësia ndërmjet papnisë së Shën Gjon Palit II, Benediktit XVI dhe Françeskut, si edhe u theksua me forcë roli i Eukaristisë, në përgjithësi në Kishë e, në veçanti, për misionin.

Çështja Parolin

Kongregacioni i tetë i përgjithshëm i kardinajve përfundoi në orën 12.30. Në konferencën për shtyp, pati pyetje për një “incident” të mbrëmshëm të kardinalit Pietro Parolin, për të cilin disa mjete informimi njoftuan se ishte sëmurë dhe se u thirrën mjekë e infermierë për ta vizituar. Drejtori i Sallës së Shtypit e përgënjeshtroi qartë lajmin: “Jo, nuk është e vërtetë”, nënvizoi ai. Bruni bëri të ditur edhe emrat e dy kardinajve, që nuk do të marrin pjesë në Konklav, për arsye shëndetësore. Ata janë kardinali Antonio Canizares (ish-kryeipeshkëv i Valencias) e kardinali John Njue (ish-kryeipeshkëv i Nairobit).

Kongregacionet a mbledhjet e mëtejshme të kardinajve para-konklavit do të mbahen nesër, të hënën dhe të martën. Të mërkurën e ardhshme, Mesha për zgjedhjen e Papës dhe hyrja në Kapelën Sikstine.

Kapela Sikstine mbyllet për publikun

Nga dita e diel, 4 maj, Kapela Sikstine mbyllet për publikun. Në ditët në vijim, do të përgatiten hapësirat ku do të rrinë kardinajtë dhe sistemi audio, do të sistemohet dyshemeja e do të bëhen rregullime e përshtatje të tjera. Gjatë mbledhjeve të përgjithshme të kardinajve, sqaroi Matteo Bruni, ofrohet shërbimi i përkthimit simultan, por kjo nuk do të ndodhë gjatë Konklavit. Kardinajtë mund të ndihmojnë njëri-tjetrin, nëse ka ndonjë vështirësi. Ceremoniali do të jetë në latinisht, ashtu si edhe betimi i kardinajve. Ky betim do të bëhet në Kapelën Sikstine pas procesionit, i ndjekur nga predikimi i kardinalit Cantalamessa dhe më pas, i lihet vend votimit të parë.

02 maj 2025, 14:48