Kongregacioni i 12-t? i P?rgjithsh?m: reformat e Pap?s Fran?esku duhen vazhduar
R.SH. – Vatikan
Sot, Kongregacioni i 12-të dhe i fundit i Përgjithshëm i kardinajve, para fillimit të Konklavit, nesër, më 7 maj. Ishte e natyrshme që 173 kardinajtë e pranishëm, ndër të cilët 130 me të drejtë vote, pas lutjes së orës 9.00, të diskutonin mbi karakteristikat e Papës, që do të votojnë, duke filluar nga dita e nesërme. Siç nënvizoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, në konferencën e sotme për gazetarët, në shumë prej 26 ndërhyrjeve, kardinajtë nënvizuan nevojën që të vazhdohen reformat e filluara nga Papa Françesku, si legjislacioni mbi abuzimet, reforma ekonomike në Vatikan, ajo e Kuries Romake, përfshirë edhe çështjet, që kanë të bëjnë me sinodalitetin, impenjimin për paqen dhe kujdesin për Krijimin.
Papë i mëshirës, ??sinodalitetit dhe shpresës
U nënvizua tema e bashkimit, si thirrje për Papën e ri, që në ushtrimin e shërbimit të tij të jetë ndërtues urash, por edhe bari i grigjës së Krishtit, mjeshtër humanizmi dhe fytyrë e një Kishe Samaritane. Në këto kohë lufte, dhune dhe polarizimi të thellë, u theksua se besimtarët kanë nevojë për një Papë të mëshirës,?? sinodalitetit dhe shpresës.
Gjithashtu, pati diskutime mbi të Drejtën Kanonike dhe pushtetin e Papës, mbi ndarjet dhe rolin e kardinajve në Kishë, mbi afërsinë e Solemnitetit të Krishtit Mbret dhe të Ditës Botërore të të Varfërve - të cilat duhet të shihen së bashku – si edhe mbi nevojën për takime të Kolegjit të Kardinajve gjatë Koncistoreve.
Dialogu ekumenik e data e Pashkëve
Tema të tjera, për të cilat u fol sot, kanë të bëjnë me fillimin e jetës së krishterë dhe me formimin në fe, që duhen konsideruar si akte misionare. U kujtua dëshmia e martirëve të fesë, sidomos në zonat e konfliktit dhe në vende ku liria fetare është e kufizuar. U përmend si çështje urgjente edhe problematika e lidhur me ndryshimet klimatike.
Së fundi, nuk u harruan argumentet më të afërta, për të cilat është diskutuar edhe gjatë papnisë së Françeskut si: tema e datës së përbashkët të Pashkëve për gjithë të krishterët, kremtimi i 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë dhe çështja e dialogut ekumenik.
U anulua Unaza e Peshkatarit dhe Vula e Plumbit
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, njoftoi se pikërisht paraditen e sotme, u shpall e pavlefshme Unaza e Peshkatarit (unaza e Papës Françesku, shenjë e Pasardhësit të Shën Pjetrit) dhe u anulua Vula e Plumbit, me të cilën Ati i Shenjtë vuloste dokumentet papnore. Gjithashtu, u lexua thirrja e kardinajve për një armëpushim të qëndrueshëm në zonat e konfliktit e për bisedime, që çojnë drejt një paqeje të drejtë dhe afatgjatë.
Kongregacioni përfundoi në orën 12.30. Nuk do të ketë mbledhje të tjera të përgjithshme kardinajsh, pasi nesër fillon Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri.
Çfarë ndodh nga dita e nesërme?
Paraditen e ditës së nesërme, 7 maj, kremtohet Messa pro eligendo Pontifice (Mesha për zgjedhjen e Papës), që i përgatit shpirtërisht kardinajtë për detyrën e vështirë, që kanë dhe ua hap zemrën e mendjen ndaj dikimit të Shpirtit Shenjt. Në orën 15.45, ata, me veshjen korale, do të zhvendosen nga Shtëpia e Shën Martës në Kapelën Sikstine të Pallatit Apostolik për hyrjen në Konklav.
Duke filluar nga e enjtja, dita e tyre do të jetë, pak a shumë, kjo: në orën 7.45, zhvendosja nga Shtëpia e Shën Martës në Pallatin Apostolik; në orën 8.15, Mesha dhe Lutjet e mëngjesit në Kapelën Pauline; në orën 9.15, Lutjet e orës së mesme në Kapelën Sikstine e dy votime, pas të cilave, sipas rezultatit, parashikohet tym në oxhakun e Kapelës, pas orës 10.30, ose pas orës 12.00; në orën 12.30, kardinajtë kthehen në Shtëpinë e Shën Martës për drekën; në orën 15.45, zhvendosen sërish në Pallatin Apostolik; në orën 16.30, dy votime në Kapelën Sikstine, me tymin nga oxhaku i saj pas orës 17.30, ose pas orës 19.00. Në rast se Papa nuk është zgjedhur ende, çdo dy votime, pra në fund të paradites, ose në fund të pasdites, oxhaku nxjerr tym të zi. Orari i ndërmjetëm parashikohet vetëm në rastin e zgjedhjes së Papës së ri e tymi i oxhakut do të jetë i bardhë. Në përfundim të dy votimeve të pasdites, Lutja mbrëmësore po në Kapelën Sikstine e në orën 19.30, kthimi në Shtëpinë e Shën Martës.