杏MAP导航

K?rko

Kard. Tagle: Leoni XIV, bari misionar q? do t? udh?heq? duke d?gjuar t? gjith?

Pro-prefekti i Dikasterit p?r Ungjill?zimin tregon p?r media t? Vatikanit p?r p?rvoj?n e tij n? Konklavin e kaluar dhe reflekton mbi hapat e par? t? Leonit XIV, t? cilin e njohu shum? vite m? par? kur Robert Francis Prevostishte Prior i p?rgjithsh?m i Augustinian?ve. Kardinali filipinas kujton gjithashtu me emocion Papa Fran?eskun, gati nj? muaj pas vdekjes s? tij.

R.SH. / Vatikan

Alessandro Gisotti

Në Kapelën Sikstine, gjatë Konklavit, ishin ulur pranë njëri-tjetrit. Dje Luis Antonio Tagle dhe Robert Francis Prevost janë takuar sërish -në audiencë në Pallatin Apostolik - një javë pas "Habemus Papam" që i parapriu bekimit të parë "Urbi et Orbi" të Leonit XIV. Kardinali amerikan-peruan Prevost që u bë Papë dhe kardinali filipinas Tagle njihen prej shumë vitesh dhe në dy vitet e fundit kanë punuar ngushtë si drejtues të dikastereve të tyre përkatëse, ai i Ipeshkvijve dhe ai i Ungjillëzimit. Në këtë intervistë me mediat e Vatikanit, kardinali Tagle ofron një portret personal të Papës së ri, tregon përvojën shpirtërore të jetuar në Konklav dhe kujton me emocion Papa Françeskun.

Kardinal Tagle, Leoni XIV po bën hapat e parë të Papnisë së tij pas një Konklavi që përfundoi shpejt. Çfarë ju bën përshtypje te ky Papë, të cilin të gjithë po mësojmë ta njohim?

E takova për herë të parë Papa Leonin XIV në Manila dhe në Romë kur ishte ende Prior i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit. Që nga viti 2023 jemi së bashku në Kurien Romake. Ai ka një aftësi dëgjimi të thellë dhe të durueshme. Para se të marrë një vendim, i kushton vëmendje studimit dhe reflektimit të kujdesshëm. Shpreh ndjenjat dhe preferencat e tij pa dashur të imponojë. Është i përgatitur intelektualisht dhe kulturalisht, pa e shfaqur. Në marrëdhënie sjell një ngrohtësi të qetë, të rafinuar nga lutja dhe përvoja misionare.

Në pragun e Konklavit, shumë flisnin për një Kishë të ndarë, për kardinalë me ide të paqarta mbi zgjedhjen e Papës së ri. Në vend të kësaj, çështja u zgjidh që ditën e dytë. Si ishte për ju përvoja e këtij Konklavi, e dyta herë pas asaj të vitit 2013?

Para ngjarjeve të mëdha me ndikim botëror dëgjohen spekulime, analiza dhe parashikime të ndryshme. Konklavi nuk shpëton prej tyre. Është e vërtetë që kam marrë pjesë në dy Konklava, gjë që e konsideroj një hir të vërtetë. Në Konklavin e vitit 2013 Benedikti XVI ishte ende gjallë, ndërsa në Konklavin e vitit 2025 Papa Françesku kishte kaluar tashmë në jetën e amshuar. Duhet të kemi parasysh ndryshimin e kontekstit dhe të atmosferës. Do të shtoja gjithashtu se ndërsa secila nga dy Konklavat ishte një përvojë unike dhe e papërsëritshme, kishte edhe elemente konstante. Në vitin 2013 pyesja veten pse gjatë Konklavit duhej të vishnim veshjen korale. Pastaj mësova dhe përjetova se Konklavi është një ngjarje liturgjike, një kohë dhe një hapësirë lutjeje, dëgjimi të Fjalës së Zotit, nxitjeve të Shpirtit Shenjtë, rënkimeve të Kishës, njerëzimit dhe Krijimit, pastrimi personal dhe i përbashkët i motiveve dhe kulti dhe adhurimi i Zotit, vullneti i të cilit duhet të mbretërojë sovran. Si Papa Françesku ashtu edhe Papa Leoni u zgjodhën ditën e dytë. Konklavi na mëson neve, si edhe familjeve, famullive, dioqezave dhe kombeve tona, se bashkimi i zemrave dhe i mendjeve është i mundur nëse adhurojmë Zotin e vërtetë.

Në Kapelën Sikstine ishit ulur pranë Kardinalit Prevost. Si reagoi Papa i ardhshëm kur u arrit kuorumi i dy të tretës?

Reagimi i tij ishte një alternim i buzëqeshjeve dhe frymëmarrjeve të thella. Ishte një pranim i shenjtë dhe një frikë e shenjtë së bashku. U luta për të në heshtje. Në momentin kur arriti numrin e nevojshëm të votave, shpërtheu një duartrokitje e madhe, ngjashëm me zgjedhjen e Papa Françeskut. Kardinalët shprehën gëzimin dhe mirënjohjen ndaj vëllait të tyre kardinal Prevost. Por ishte gjithashtu edhe një moment intim mes Jezusit dhe tij, në të cilin nuk mund të hynim dhe që nuk duhej ta shqetësonim. I thashë vetes: "Le të lejojmë heshtjen e shenjtë të mbështjellë Jezusin dhe Pjetrin".

Pas një biri të Shën Injacit të Lojolës, një bir i Shën Augustinit të Iponës. Çfarë do të thotë, sipas jush, që në Kishë pasojnë dy Papë që i përkasin urdhrave të rëndësishëm rregultarë, pas një jezuiti, një augustinian?

Shën Augustini dhe Shën Injaci kishin shumë gjëra të përbashkëta. Të dy kanë pasur një rrugë botërore dhe patën jetuar një shqetësim që i shtyri në kërkime aventureske. Pastaj, në kohën e caktuar nga Zoti, gjetën në Jezusin atë që zemra e tyre dëshironte. "Bukuri gjithmonë e vjetër dhe gjithmonë e re", "Zot i përjetshëm i të gjitha gjërave". "Shkolla" augustiniane dhe ajo injaciane lindin nga baza e përbashkët e hirit dhe mëshirës së Zotit, që liron zemrën për të dashur, shërbyer dhe shkuar në mision. Duke ruajtur shpirtin e tij augustinian, Papa Leoni do të jehonë shpirtin injacian të Papa Françeskut. Mendoj se e gjithë Kisha dhe gjithë njerëzimi do të përfitojnë nga dhuratat e tyre. Në fund të fundit, Shën Augustini dhe Shën Injaci (dhe të gjithë shenjtorët) janë thesar i gjithë Kishës.

Prevost ka qenë një ipeshkëv misionar, i lindur dhe i rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por i formuar në Peru si meshtar dhe bari. Dikush ka thënë se është "Papa i dy botëve". Në Azi, nga ku vini ju, si e shohin njerëzit një Papë të tillë?

Pa mohuar primatin e hirit në shërbimin e Papa Leonit, mendoj se formimi i tij njerëzor, kulturor, fetar dhe misionar mund t'i japë një fytyrë unike shërbimit të tij. Por kjo vlen për të gjithë Papët. Shërbimi pjetrin i konfirmimit të vëllezërve dhe motrave në fenë në Jezusin, Birin e Zotit të Gjallë, mbetet konstant, por jetësohet dhe ushtrohet nga çdo papë në njerëzimin e tij unik. Përvoja shumë kontinentale dhe multikulturore e Papa Leonit sigurisht do ta ndihmojë në shërbimin e tij dhe do të jetë në dobi të Kishës. Njerëzit në Azi e duan Papën si Papë, nga çdo vend të vijë. Ai është i dashur jo vetëm nga katolikët, por edhe nga të krishterët e tjerë dhe ndjekësit e feve jo të krishtera.

Shumë ju "mbështetnin", duke shpresuar që të bëheshi Papë. Si e përjetuat këtë? Ishit të vetëdijshëm se ishit, siç thuhet në italisht, një nga "papabilët" kryesorë?

Duke mos qenë dikush që pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, e gjeta vëmendjen ndaj personit tim mjaft shqetësuese. U përpoqa të mbledh forcat shpirtërore dhe njerëzore për të mos u përfshirë. Meditova shumë mbi fjalët e kushtetutës apostolike Universi Dominici Gregis rreth "detyrës shumë të rëndë që u takon atyre [kardinalëve] dhe, pra, mbi nevojën për të vepruar me qëllim të drejtë për të mirën e Kishës universale, solum Deum prae oculis habentes". Ndërsa depoziton fletën e tij, çdo kardinal thotë: "Thërras dëshmitar Krishtin Zot, i cili do të më gjykojë, se vota ime i është dhënë atij që, sipas Zotit, mendoj se duhet të zgjidhet". Është e qartë se nuk ka kandidatë në "kuptimin botëror" të zgjedhjeve politike, ku vota jote për një kandidat është një votë kundër një kandidati tjetër. Kur kërkohet e mira e Kishës universale, nuk kërkohen fitues dhe humbës. Ky parim udhëheqës pastron mendjen dhe jep qetësi.

Po i afrohemi muajit të parë nga vdekja e Papa Françeskut. Cila do të jetë, sipas jush, trashëgimia më e thellë dhe më e qëndrueshme e lënë nga ky Papë Kishës dhe njerëzimit?

Zemra ime gëzohet për dëshmitë e shumta të ofruara nga besimtarët katolikë, nga komunitetet e krishtera jo-katolike dhe nga ata që i përkasin feve jo-të krishtera lidhur me mësimin dhe trashëgiminë e Papa Françeskut. Shpresoj që këto dëshmi të shtohen dhe të "mbledhen" si pjesë e kuptimit tonë jo vetëm të Papa Françeskut, por edhe të shërbimit pjetrin. Nga ana ime, do të doja të theksoja dhuratën e njerëzimit, të qenit njeri për të tjerët, që ka karakterizuar Papninë e Papa Françeskut. Nëse keni një histori personale për të treguar për të, bëjeni. Bota jonë ka nevojë të rizbulojë dhe të kultivojë bukurinë dhe vlerën e të qenit autentikisht njerëzor. Papa Françesku, përmes njerëzimit të tij të thjeshtë dhe madje të brishtë, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë kërkim, jo për lavdinë e tij, por për lavdinë më të madhe të Zotit, i cili në Jezusin u bë plotësisht njeri.

16 maj 2025, 15:15