Kard. Parolin: parimet shoq?rore t? Kish?s, “busull morale p?r nd?rtimin e shoq?rive t? drejta”
R.SH. / Vatikan
Doktrina Shoqërore e Kishës nuk ofron "zgjidhje të shpejta, as premtime utopike", por "një kornizë të përjetshme" për të përballuar sfidat dhe përçarjet e botës bashkëkohore, duke mbrojtur "dinjitetin e çdo personi" dhe "të mirën e përbashkët". Për Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, ky është kontributi që mund të ofrojë Kisha për çështjet sociale dhe ekonomike, që i ndikojnë shoqëritë e sotme e edhe i ndajnë, siç e shpjegoi ai duke folur dje, më 16 maj, në konferencën ndërkombëtare të Fondacionit Centesimus Annus - Pro Pontefice.
Në përputhje me temën e punimit, i cili u zhvillua në Institutin Papnor Patristik Augustinianum, në Romë, kardinali Parolin shpjegoi se si Doktrina Sociale e Kishës mund të “kontribuojë në forcimin e qeverisjes globale dhe në kapërcimin e polarizimeve”. “Në një epokë të prekur nga përçarjet - politike, kulturore dhe ideologjike - ne ndjehemi në udhëkryq” - tha Kardinali Parolin - "Sfidat globale si ndryshimi i klimës, pabarazia ekonomike, migrimi dhe zhvillimet teknologjike si inteligjenca artificiale, kërkojnë bashkëpunim, ndonëse shpesh mbizotërojnë mosbesimi dhe fragmentimi".
Trashëgimia shoqërore e Kishës, “e rrënjosur në Ungjill dhe në shekuj reflektimi”, bazohet në parime universale që nuk u përkasin vetëm katolikëve. Për këtë arsye mund të jenë “busull morale për ndërtimin e shoqërive të drejta”. Në bazë të Doktrinës Sociale Katolike - shtoi Kard. Parolin - ekziston “bindja se çdo person është i rëndësishëm, se jemi të thirrur të jetojmë si vëllezër e motra dhe se bota jonë është dhuratë, që duhet mbrojtur”.
Të kalohet përtej mendësisë “ne - kundër atyre"
“Qoftë populizëm kundër globalizmit, traditë kundër progresit, apo e djathtë kundër së majtës, bota jonë është e ndarë nga mentaliteti i tipit ‘ne kundër atyre’” - vërejti kardinali - duke vënë në dukje se si mediat sociale tentojnë t’i zgjërojnë këto fenomene. "Në një botë të polarizuar, njerëzit kapen pas varianteve të tyre të së vërtetës, duke i flakur tutje të tjerët, si të ishin armiq".
Doktrina Sociale e Kishës, nga ana tjetër, shpjegoi Sekretari i Shtetit, duke cituar gjithashtu edhe enciklikën e Papës Françesku Fratelli tutti, dëshiron të "kapërcejë" dallimet, duke këmbëngulur në kërkimin e së vërtetës, por me përvujtëri dhe me dialog "që kërkon mirëkuptim, jo ??fitore".
Mësimi shoqëror i Kishës bazohet gjithashtu në “solidaritet”, i cili “nuk është vetëm slogan”, por “ftesë për të njohur njerëzimin tonë të përbashkët”, vazhdoi Kardinali Parolin. Për shembull, gjatë pandemisë Covid-19, “vendet e pasura grumbulluan vaksina, ndërsa vendet e varfra luftuan”. “Solidariteti do t’i kishte dhënë përparësi zhvillimit të barabartë, jo për të larë fajin, por sepse një botë e shëndetshme u sjell dobi të gjithëve”, përsëriti kardinali. Për të, kriza mjedisore mund të ndihmojë në kapërcimin e polarizimeve mbasi është çështje që "nuk njeh kufij apo ideologji: ajo i prek të gjithë". Kujdesi për krijimin - vazhdoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - është "imperativ moral i rrënjosur në kujdestari" dhe mund të bashkojë si "konservatorët" ashtu edhe "progresistët" nëse nismat përqendrohen në "përpjekje të përbashkëta, të tilla si ripyllëzimi ose energjia e rinovueshme".
Të fuqizohet qeverisja globale
Përveç ndihmës për t’i kapërcyer polarizimet, Doktrina Sociale e Kishës mund të forcojë edhe qeverisjen globale, e cila sot përballon një "krizë legjitimiteti". "Qeverisja nuk është thjesht burokraci: ka të bëjë me drejtimin e shoqërive njerëzore kah drejtësia, paqja dhe mirëqenia". Për më tepër - vijoi - për Kishën çdo individ “është i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit” dhe “i pajisur me një dinjitet të patjetërsueshëm”. E kjo është në kundërshtim me një vizion që “i redukton njerëzit në instrumente të thjeshta ekonomike ose në gurë politikë shahu”.
Në këtë drejtim, Sekretari i Shtetit të Vatikanit pohoi se qeverisja globale duhet "t'u japë përparësi më të prekshmëve - refugjatëve, të varfërve, të moshuarve, të palindurve - në vend të pushtetit apo fitimit". Kjo duhet të bëhet me qëllimin e "së mirës së përbashkët", e cila për këtë arsye "balancon të drejtat individuale me përgjegjësitë kolektive". “Luftërat tregtare, grumbullimi i vaksinave ose shfrytëzimi i burimeve dëmtojnë të mirën e përbashkët duke i nxitur kombet kundër njëri-tjetrit” - këmbënguli Kardinali, që në përfundim, përfytyroi lindjen e një bote të re, larg trazirave të sotme:
"Të imagjinojmë një botë ku lehtësimi i borxhit për vendet më të varfra nuk shihet si bamirësi, por si investim i përbashkët në stabilitetin global".
Në këtë drejtim, Kard. Parolin nënvizoi edhe rëndësinë e ekuilibrit ndërmjet "subsidiaritetit" dhe "solidaritetit", në mënyrë që qeverisja globale të mos jetë "as e centralizuar dhe as e fragmentuar" dhe të shmangë prirjen për t’u bërë "autoritare ose joefektive".