Kard. Re: ?ast i v?shtir? historik, u zgjedht? Papa i bashkimit
R.SH. - Vatikan
“Do të bëj të ngrihet një meshtar besnik, i cili do të veprojë sipas dëshirave të zemrës së Zotit”: antifona fillestare shoqëron procesionin e gjatë që këtë mëngjes të 7 majit, hyn ngadalë në Bazilikën e Vatikanit me rastin e meshës Pro eligendo Romano Pontifice. Ritit në Altarin e Rrëfimit i prin Kardinali Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit. Në vendin e adhurimit ku ruhen eshtrat e Pjetrit, pasardhësin e të cilit është thirrur ta zgjedhë Konklavi, bashkëkremtojnë 220 kardinaj, zgjedhës dhe jo-zgjedhës. Ndërmjet tyre është edhe Papa i 267-të: emri i tij ruhet ende në zemrën e Zotit, por atij i drejtohen edhe lutjet e sytë e botës
Në pritje të besimplote
Në “pritjen plot besim” të këtyre orëve, Kardinali Re i kërkon ndihmën Shpirtit Shenjt Zot, sepse lutja - kujton - është i vetmi qëndrim i drejtë dhe i përshtatshëm
U zgjedhtë Papa, për të cilin Kisha dhe njerëzimi kanë nevojë në këtë kthesë të vështirë dhe të ndërlikuar të historisë.
Kulmi i përgjegjësisë njerëzore dhe kishtare
Kardinalët zgjedhës, të cilët do të mblidhen në Kapelën Sikstine në orën 16:30 për të filluar Konklavin, do të bëjnë “një akt kulmor përgjegjësie njerëzore dhe kishtare”, thekson Kardinali Re, “e një zgjedhje me rëndësi të jashtëzakonshme”:
Një akt njerëzor për të cilin duhet të braktisësh të gjitha konsideratat personale dhe të kesh në mendjen dhe zemrën tënde vetëm Zotin e Jezu Krishtit dhe të mirën e Kishës e të njerëzimit.
Dashuria e ndryshon botën.
Kardinali përqendrohet më pas në homelinë e tij te Ungjilli i Gjonit, i shpallur latinisht gjatë kremtimit të Meshës: është fragmenti në të cilin Jezusi i fton dishepujt të qëndrojnë në dashurinë e tij, urdhërimi “i ri”, që “nuk njeh kufij e që duhet t’i karakterizojë mendimet dhe veprimet e të gjithë dishepujve”. “Dashuria është e vetmja forcë e aftë për ta ndryshuar botën” - vazhdon kardinali dekan - duke ripohuar se “cilësia themelore e Barinjve është dashuria deri në dhurimin e plotë të vetvetes”, njëherësh me “ndihmën e ndërsjellë dhe angazhimin për bashkimin kishtar dhe për vëllazërinë njerëzore universale”.
Për ta bërë të rritet bashkësinë
“Të rrisim bashkësinë” është detyrë tjetër e pasardhësit të Pjetrit, e theksuar nga kardinali Re që kryesoi kremtimin e Meshës: “bashkimin e gjithë të krishterëve me Krishtin”, shpjegon ai, bashkimin e ipeshkvijve me Papën e edhe bashkimin ndërmjet tyre:
Jo bashkim vetëvlerësues, por që synon tërësisht bashkimin e njerëzve, të popujve dhe të kulturave, duke dëshiruar me gjithë shpirt që Kisha të jetë gjithnjë "shtëpi dhe shkollë e bashkimit".
Bashkim në larmi
Po aq e fortë është thirrja “për të ruajtur bashkimin e Kishës ashtu si ua mësoi Krishti Apostujve”:
Krishti e dëshiron unitetin i Kishës; unitet që nuk do të thotë uniformitet, por bashkim i fortë dhe i thellë në larmi, për sa kohë që mbetet në besnikërinë e plotë ndaj Ungjillit.
Zgjedhja e një Pape nuk është thjesht alternim
Një Papë i ri “sipas zemrës së Zotit, për të mirën e Kishës dhe të njerëzimit” është pra thirrja e Kardinalit dekan, sepse zgjedhja e një Pape “nuk është ndërrim i thjeshtë njerëzish, por është gjithmonë apostulli Pjetër që rikthehet”:
T’i lutemi Zotit t’i japë Kishës një Papë që të zgjojë ndërgjegjen e të gjithëve dhe energjitë morale e shpirtërore të shoqërisë së sotme, me përparim të madh teknologjik, por edhe me prirjen që ta harrojë Zotin.
Kardinalët, njëzëri për zgjedhjen
Së fundmi, shpresa që kardinalët zgjedhës të mbledhur në Kapelën Sikstine - ku Gjyqi i Fundit i Mikelanxhelos i kujton secilit "madhështinë e përgjegjësisë" së vendosjes së Papnisë "në duart e duhura" – do të jenë "njëmendjeje për zgjedhjen e Papës, që i duhet kohës sonë".