Kard. Parolin: shpresojm? q? Stambolli t? nis? rrug? paqeje. Vatikani gati t? ofroj? hap?sira
R.SH. - Vatikan
Vështrimi është drejtuar nga Turqia, destinacion i mundshëm i udhëtimit të parë të Papa Leonit XIV për 1700-vjetorin e Koncilit të Nikeas dhe skenë, duke filluar nga nesër, e samitit të Stambollit që pritet të mbledhë presidentët e Rusisë dhe Ukrainës për negociata direkte me qëllim arritjen e një armëpushimi. Pjesëmarrje e presidentëve që nuk u realizua sot. Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, u përgjigjet – për herë të parë pas Konklavit – pyetjeve të gazetarëve në kuadrin e një eventi që u mbajt në Universitetit Papnor Gregoriana në Romë me titull “Drejt një Teologjie Shprese për dhe nga Ukraina”, organizuar nën patronazhin e Kishës Greko-Katolike Ukrainase, dhe bashkëndan pritshmëritë për këto negociata direkte, me ndërmjetësimin e SHBA-së.
“Shpresojmë gjithmonë të ketë dritare paqeje”, thotë kardinali Parolin për mediat e ndryshme. “Jemi të kënaqur që më në fund ka mundësi për një takim direkt. Shpresojmë që aty të zgjidhen nyjet që ekzistojnë deri tani dhe të mund të nisë vërtet një rrugë paqeje”. Sipas Sekretarit të Shtetit të Selisë së Shenjtë, “është e parakohshme” sot të thuhet çfarë do të ndodhë, shpresa është që Stambolli të jetë “një pikënisje serioze” për t’i dhënë fund luftës.
E parakohshme të mendohet për një udhëtim të Papës në Kiev
“E parakohshme”, sipas kardinalit Parolin, është edhe të hipotezohet një vizitë e mundshme e Papa Leonit XIV në Ukrainë, në përgjigje të ftesës së presidentit Zelensky në telefonatën e mëngjesit të së hënës së kaluar. Papa – i cili gjatë lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore të së dielës, por edhe në fjalimin e gjatë të djeshëm drejtuar pjesëmarrësve në Jubileun e Kishave Lindore, ka bërë thirrje të forta për territoret e plagosura nga dhuna – “do të ripërtërijë, siç ka bërë tashmë disa herë që nga fillimi i pontifikatit të tij, thirrjen për t’i dhënë fund luftës”, siguron kardinali Parolin. “Ne – shton ai – mbetemi gjithmonë të gatshëm të ofrojmë edhe një hapësirë. Të flasësh për ndërmjetësim është e tepërt, por të paktën për shërbime të mira, për lehtësimin e takimit”. Në të njëjtën kohë nuk duam të “ndërhyjmë në iniciativa të tjera në zhvillim e sipër”.
Mekanizmi për riatdhesimin e fëmijëve është aktiv
Pozicioni i Selisë së Shenjtë, thotë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, është një “pozicion që kërkon t’i afrojë palët më shumë sesa të krijojë ndarje të tjera”. Siguron se, ndërkohë, mbetet “aktiv” “mekanizmi” – i nisur dhe i mbështetur nga misioni i kardinalit Matteo Zuppi– i cili ka çuar edhe në riatdhesimin e disa fëmijëve ukrainas të dërguar me forcë në Rusi. Bëhet fjalë kryesisht për “shkëmbime emrash përmes Nunciaturave Apostolike, pastaj verifikime në vend dhe përgjigje”. Numrat e këtyre fëmijëve janë “shumë të diskutueshëm”, por e rëndësishme “është që të kthehen pak nga pak në familjet e tyre, në shtëpitë e tyre, tek të dashurit e tyre”.
T’i jepet fund konfliktit në Gaza
Edhe për Lindjen e Mesme, Papa dhe Selia e Shenjtë do të vazhdojnë në të njëjtën linjë të ndjekur deri tani nga Françesku, pra, thirrja e vazhdueshme për “t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, për të siguruar lirimin e pengjeve” dhe “për ndihmën humanitare në Gaza”. Për këto pika ka pasur “një thirrje të fortë për një ndërhyrje serioze” gjatë kongregacioneve të përgjithshme para Konklavit, e shoqëruar me “shqetësimin se Lindja e Mesme po zbrazet nga të krishterët”. “Prandaj do të duhet të gjenden përgjigje për këtë problematikë të madhe”.
Leoni XIV, njeri i paqes që dëshiron paqen
Duke shmangur pyetjet në lidhje me diskutimet para dhe gjatë Konklavit (“Mos na bëni pyetje për të cilat duhet të përgjigjemi me jo”, buzëqesh kardinali), kard. Parolin përqendrohet në figurën e Papës së sapozgjedhur, i cili ka marrë komente dhe reagime “shumë pozitive”. “U paraqit në një mënyrë shumë të qetë. Është një njeri i paqes që dëshiron paqen dhe që do të ndërtojë paqen pikërisht përmes këtyre urave që ka përmendur që në fjalët e para të përshëndetjes së tij drejtuar besimtarëve”.
Udhëtimi i mundshëm në Nikea
Së fundi, kardinali Parolin i përgjigjet pyetjes se ku mund të zhvillohet udhëtimi i parë i Papa Leonit: “Mendoj në Nikea”, thotë ai. “Është një moment i rëndësishëm për Kishën Katolike, është një moment i rëndësishëm për ekumenizmin. Sigurisht që ishte parashikuar që Papa Françesku të shkonte. Imagjinoj që Papa Leoni do të ndjekë të njëjtën udhë”.