Kard. Parolin: mjaft m? me bombardime n? Gaza. Arm?pushim n? Ukrain?
R.SH. – Vatikan
Andrea Tornielli
Pamjet e tmerrshme që vijnë nga Gaza, sulmi antisemit në Uashington, hipoteza e një samiti paqeje për Ukrainën dhe fillimi i papnisë së Leonit XIV: këto janë temat e intervistës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, për mediat e Vatikanit, ndërsa ashpërsohet konflikti izraelito-palestinez e vijon ai ruso-ukrainas.
Hirësi, në Gazë fëmijët po vdesin nga uria dhe popullsia është tejet e rraskapitur, bombat bien në shkolla dhe spitale. E, megjithatë, nuk duket se kanë ndërmend t’i ndalin bombardimet...
Ç’po ndodh në Gazë është e papranueshme. E drejta ndërkombëtare humanitare duhet të zbatohet gjithmonë dhe për të gjithë. Ne kërkojmë të ndalen bombardimet dhe të mbërrijë ndihma e nevojshme për popullsinë: besoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë gjithçka është e mundur për t'i dhënë fund kësaj tragjedie. Njëkohësisht, i përsërisim me forcë thirrjen tonë Hamasit që t’i lirojë menjëherë të gjitha pengjet dhe të kthejë trupat e të vrarëve pas sulmit barbar të 7 tetorit 2023 kundër Izraelit.
Çfarë mendoni për sulmin e fundit në Uashington, në të cilin u vranë dy punonjës të ambasadës izraelite?
Më tronditi thellësisht, siç ndodhi edhe më 7 tetor. Këto janë viktima të pafajshme, të impenjuar për paqen e nismat humanitare. Ne duhet të jemi vigjilentë dhe të sigurohemi që kanceri i antisemitizmit, i cili nuk është zhdukur kurrë përfundimisht, të mos e ngrejë sërish kokën.
Ditët e fundit, pas rezultateve të dobëta të Takimit të Stambollit, u fol për mundësinë e bisedimeve të reja të organizuara në Vatikan, megjithëse pala ruse tha “jo”. Mund të na thoni se çfarë po ndodh në këtë drejtim?
Papa Leoni XIV ka shprehur gatishmërinë e plotë të Selisë së Shenjtë për të mirëpritur çdo lloj bisedimi, duke ofruar një vend neutral dhe të mbrojtur. Pra, nuk është fjala për ndërmjetësim, sepse ndërmjetësimi duhet të kërkohet nga palët. Në këtë rast, kemi vetëm një ofertë publike të gatishmërisë për të mirëpritur një takim të mundshëm. Tani flitet për vende të tjera të mundshme, si Gjeneva. Gjithsesi, nuk ka rëndësi se ku do të mbahen bisedimet ndërmjet rusëve dhe ukrainasve, për të cilat ne të gjithë shpresojmë. Çfarë ka vërtet rëndësi është që, më në fund, të fillojnë këto bisedime, sepse është urgjente të ndalet lufta. Para së gjithash, duhet urgjentisht një armëpushim për t'i dhënë fund rrënimit, qyteteve të shkatërruara, civilëve që po humbasin jetën. Pastaj, është urgjente të arrihet një paqe e qëndrueshme, e drejtë dhe afatgjatë, pra, e pranuar nga të dyja palët.
Fjala “paqe” kumboi që në çastet e para nga goja e Papës së ri, në ditën e zgjedhjes së tij…
Po, Leoni XIV vazhdon me forcë në gjurmët e paraardhësve. Më bëri përshtypje fakti që në lutjen e tij të parë të Mbretëreshës Qiellore nga Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit – pra, nga vendi ku Papa Françesku pati bekuar besimtarët për herë të fundit, duke folur për paqen dhe çarmatimin – Papa Leoni përsëriti fjalët e Shën Palit VI në OKB: “Kurrë më luftë!” Papa dhe e gjithë Selia e Shenjtë impenjohen për të arritur paqen dhe për të promovuar çdo nismë dialogu e takimi.
Ka nga ata që flasin për një “protagonizëm” të ri të Vatikanit në skenën botërore…
Unë do t'i referohesha më mirë fjalëve të thella të Leonit XIV në homelinë e meshës me kardinajtë në Kapelën Sikstine dhe në homelinë e meshës për fillimin e papnisë: ne nuk duhet të dukemi, sepse protagonist është Krishti, të krishterët nuk ndihen superiorë ndaj të tjerëve, por janë të thirrur të jenë "tharm në brumë", për të dhënë dëshminë e dashurisë, të unitetit e të paqes. Ja pra, në vend që të flasim për "protagonizëm", do të preferoja të përfshija edhe nismat diplomatike në kuadrin e shërbimit në favor të paqes dhe vëllazërimit.
Duke pritur gazetarët, Papa Leoni kërkoi një "komunikim të ndryshëm". Përveç luftërave të tjera, kemi edhe "luftën e fjalëve" apo jo?
Gazetarët dhe komunikuesit në përgjithësi kryejnë një detyrë të çmuar, edhe më të çmuar në kohë lufte. Papa kërkoi një komunikim, që “nuk vishet me fjalë agresive” dhe “nuk e ndan kurrë kërkimin e së vërtetës nga dashuria, me të cilën duhet ta kërkojmë me përvujtëri”. Edhe fjalët mund të bëhen mjete lufte, ose mund të na ndihmojnë ta kuptojmë njëri-tjetrin, të dialogojmë, duke e parë njëri-tjetrin si vëllezër. Paqja fillon brenda secilit prej nesh dhe ne jemi të thirrur ta arrijmë atë duke u nisur nga mënyra se si komunikojmë me të tjerët. Siç shpjegoi Papa Leoni XIV, duhet ta "refuzojmë paradigmën e luftës" edhe në komunikim.
Meqë folët për kërkimin e së vërtetës: në ditët e fundit të Papës Françesku e deri në ditët para Konklavit, ka pasur komente për veprimet e drejtuesve të ndryshëm të dikastereve të Kuries lidhur me raportet, që kanë marrë për rastet e abuzimit, në të kaluarën. A janë analizuar ato?
Për sa u përket komenteve dhe thashethemeve për veprimet e disa krerëve të dikastereve të Kuries Romake, lidhur me raportimet për rastet e abuzimit në kohën kur ata ishin ipeshkvij dioqezanë, nga hetimet e kryera nga autoritetet kompetente, nëpërmjet shqyrtimit të të dhënave objektive dhe dokumentare, rezulton se rastet janë trajtuar ad normam iuris, pra, sipas normave në fuqi e rezultatet i janë dërguar nga ipeshkvijtë e atëhershëm dioqezanë Dikasterit kompetent për shqyrtimin dhe vlerësimin e akuzave. Nga verifikimet e autoriteteve përkatëse, si përfundim, nuk është parë ndonjë parregullsi në punën e ipeshkvijve dioqezanë.
Papa i ri, duke marrë emrin Leon, u vendos në vazhdën e Papës së enciklikës “Rerum Novarum”: në fund të shekullit XIX, duhej reaguar ndaj revolucionit industrial, sot jetojmë në kohën e revolucionit dixhital dhe të sfidave, që na paraqet Inteligjenca Artificiale. Si t'u përgjigjemi këtyre sfidave?
Po presim reflektimet që Pasardhësi i Shën Pjetrit do të bëjë për këtë. Besoj se rruga e drejtë nuk është as ajo e pranimit pa kritikë dhe as ajo e demonizimit. Mundësitë gjithnjë e më të sofistikuara dhe me rezultate më të larta, që na jep teknologjia, duhet të mbeten mjete dhe të përdoren gjithmonë për mirë, pa harruar kurrë se nuk mund t'i delegojmë një makine vendime, që kanë të bëjnë me jetën a vdekjen e qenieve njerëzore. Duhet të jemi vigjilentë për të shmangur – siç ndodh për fat të keq ndonjëherë – që inteligjenca dixhitale dhe ajo artificiale të përdoren si mjet propagande për të ndikuar në opinionin publik me mesazhe të rreme. Leoni XIV, duke kujtuar gazetarët e burgosur, foli për guximin "e atyre, që mbrojnë dinjitetin, drejtësinë dhe të drejtën e popujve për t'u informuar, sepse vetëm popujt e informuar mund të marrin vendime të lira".