"Kal?rimi Papnor", nd?rmjet tradit?s, kuptimit e historis?
R.SH. / Vatikan
Procesioni marshonte ngadalë, solemnisht, madhërisht. Qindra njerëz të veshur me rrobat e tyre më të mira, pëlhura të çmuara, me thekë e pupla me ngjyra, disa në këmbë, disa mbi kalë. Dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë kjo ditë e kjo turmë! Ky gjarpër dredha-dredha, rendi i përparësisë së të cilit rregullohej me saktësi milimetrike. Hierarki e përpiktë, e rregulluar nga urdhëresat e ndryshme papnore që pasuan njëra-tjetrën gjatë shekujve.
Papa i sapozgjedhur i sapo kurorëzuar në Shën Pjetër po shkonte tani në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran për kurorëzimin e tij. Ishte akti i tij i parë zyrtar publik. Ky procesion i tregonte popullit të dalë përgjatë rrugëve ose shesheve të ngushta, fytyrën e Papës së ri, por edhe atë të bashkëpunëtorëve dhe shoqëruesve të tij, dhe për këtë arsye kishte një kuptim të rëndësishëm edhe parë si pohim të autoritetit të tij. "Shtegtimi Papnor" - ky emri i tij - ceremoni me origjinë shumë të lashtë dhe plot me kuptime të ndërlikuara alegorike, liturgjike, fetare dhe politike.
Zanafilla të largëta
Papës Leoni XIV, Ipeshkëv i Romës, do të ulet në "Cathedra Romana" të dielën, më 25 maj. Nga Bazilika e Shën Pjetrit, do të lëvizë drejt selisë ipeshkvnore, "Të Shenjtënueshmes Katedrale Papnore, Arqibazilikë Kryesore Romake e Shën Shëlbuesit dhe e Shenjtit Gjon Pagëzuesi dhe Ungjilltari në Lateran", duke kaluar nëpër qytet. Ceremoniali i sotëm, më shumë se një shekull e gjysmë pas përfundimit të pushtetit tokësor të Papëve, është dukshëm shumë më i thjeshtë dhe me karakter jashtëzakonisht shpirtëror, por rrënjët e tij historike shkojnë shumë shekuj më parë.
"Kavalkada e parë papnore" u dëshirua nga Papa Nikolla IV më 27 prill 854, të tjerë do ta datonin atë më vonë, duke nisur nga Leoni III, në vitin 795, ndërsa ajo e Bonifacit VIII në vitin 1295 u përshkrua me shumë pompozitet, në heksametra latine. Një shembull tjetër i një madhështie të veçantë ishte marrja e pronës nga Papa Leo X, më 11 prill 1513. Francesco Guicciardini shkroi për këtë ngjarje: "Veprimi i parë i papës së ri ishte kurorëzimi i tij, i bërë, sipas zakonit të paraardhësve, në Kishën e Shën Gjonit në Lateran, me madhështi të madhe, si dhe nga familja dhe oborri i tij, nga të gjithë prelatët dhe shumë lordë, që ishin mbledhur atje, dhe nga populli romak. Kush ishte aty në këtë ngjarje madhështore nuk mundi të mos rrëfente se nuk kishte parë kurrë në Romë, pas përmbytjeve të barbarëve, një ditë më madhështore dhe më të shkëlqyer se kjo...".
Ceremonitë papnore
Burimet e përshkruajnë rrugën nga Shën Pjetri - në Lateran me shumë hollësi, si në Cencio Codex (Liber Censuum Romanae Ecclesiae) i shkruar që nga viti 1192, seksioni Ordo Romanus de consuetudinibus, i cili mbledh ritet dhe ceremonitë papnore, në përdorim deri në fillim të shekullit të 16-të, ose Gesta Innocentii III, biografi e Inocentit III, që daton rreth viteve të papnisë së tij, ndërmjet viteve 1198 dhe 1216. Nga ana tjetër, një ndikim mbresëlënës pamor jepet tashmë nga botimet e ndryshme ose nga afresku në një kornizë të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit: një procesion i gjatë gjarpëror i shpërndarë, i përfshirë i tëri në regjistra të ndryshëm horizontalë. Nën secilin grup njerëzish, një karikaturë shpjegon se kush janë: grupe kardinalësh mbi kuaj, anëtarë të tjerë të klerit, fisnikë, milicitë papnore, të huajt, dhëndurët, kamerierët… e kështu me radhë. Disa figura u zhdukën me kalimin e kohës, të tjera u duken, siç janë avokatët e koncistoriumit, të pranishëm që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë mbi letër!
Simbolet që lidhin të kaluarën dhe të tashmen
Kjo rrugë ishte e mbushur me një kuptim shumë të fortë simbolik: atë të vazhdimësisë të së kaluarës së Perandorisë Romake, tani të përfunduar, me të tashmën e papatit, vikari i të cilit tani parakalonte nëpër qytet triumfalisht, si prijës i lashtë e pasardhës legjitim i Cezarëve. Shërbente edhe si paralajmërim për natyrën kalimtare të gjërave të kësaj toke. Shprehja Sic transit gloria mundi, “Kështu kalon lavdia e botës”, të cilën kardinali protodiakon e kishte drejtuar gjatë kurorëzimit, duke djegur një copë druri, nuk mbeti e izoluar. E gjithë ceremonia, deri në aktin e fundit të kurorëzimit, i kujtoi Papës së ri natyrën kalimtare të gjërave tokësore…
Metafora e shtegtimit
Pas kalimit të Foreve, procesioni papnor përshkonte fundin e Via Papalis e udhën përtej kompleksit të Santi Quattro Coronati; në fund edhe “stradone di San Giovanni” për të arritur në cak, në Bazilikën Laterane. Kjo rrugë e gjatë është praktikisht e njëjta me atë, që ndiqet nga shtegtarët, si jubileanë ashtu edhe jojubileanë, të cilët shkonin- e shkojnë - në bazilika.
Ky nuk ishte shtegtim i lehtë: rrugët atëherë ishin dredha-dredha, të lagështa dhe të errëta, tejet të ngushta. Dheu ishte me baltë pas shirave, e shpesh, edhe për shkak të ujërave të zeza që bridhnin lirisht rrugëve! Rruga e Via Papalis ose Via Papae u zgjerua dhe u shtrua vetëm në vitin 1588, nën Sikstin V. Një procesion që mori kuptime shpirtërore, u bë shtegtim dhe lidhi alegorikisht Jeruzalemin e Perëndimit - Shën Pjetrin, me Jeruzalemin e Lindjes-Shën Gjonin.
Shtegtim që vijon në rrjedhë shekujsh, me devocion të njëjtë, dëshira e dashuri të njëjtë për radhën e pafundme të Papëve...