Jo riarmatimit, t? respektohet ligji humanitar
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
“Selia e Shenjtë e konsideron themelor përfundimin e përdorimit pa dallim të armëve, minave tokësore dhe municioneve thërrmuese, si dhe ndalimin e përdorimit të armëve shpërthyese në zonat e populluara. Kjo, njëheresh me ndërprerjen e prodhimit dhe grumbullimit të armëve, përbën një hap konkret dhe urgjent drejt mbrojtjes më të mirë të civilëve” në konfliktet e armatosura. Janë këto fjalët që Kryeipeshkvi imzot Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, i tha kur foli më 22 maj në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit për mbrojtjen e civilëve.
“Selia e Shenjtë”, kujtoi Imzot Caccia, “është thellësisht e shqetësuar nga rritja në të gjithë botën e numrit dhe e intensitetit të ndeshjeve të armatosura, të cilat vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje të thella dhe joproporcionale mbi popullatat civile. E në vijim, nënvizoi nevojën urgjente për respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare, në veçanti të Konventave të Gjenevës dhe Protokolleve të tyre Shtesë”.
Janë fjalë, e vërteta dhe urgjenca e të cilave është e qartë për të gjithë: tragjedia që po zhvillohet në Gaza, në dëm të të gjithë popullsisë civile, nuk ka asnjë justifikim. Ashtu si nuk mund të ketë justifikime për sulmet kundër civilëve në Ukrainë dhe në pjesë të tjera të botës, ku vijojnë të luftohen shumë luftëra të harruara.
“Sulmi i qëllimshëm kundër civilëve, përfshirë gratë, fëmijët dhe punonjësit humanitarë; shkatërrimi i infrastrukturës themelore si spitalet, shkollat ??dhe vendet e kultit e deri mohimi i hyrjes humanitare për ata që kanë nevojë urgjente” - theksoi Kryeipeshkvi Caccia në Kombet e Bashkuara, “janë qendrime tejet shqetësuese. Këto shkelje, përveçse janë tragjedi e pafundme njerëzore, përfaqësojnë edhe një fyerje të rëndë të themeleve të sigurisë ndërkombëtare”.
Të premten, më 23 maj, Leoni XIV priti presidencën e Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE). Nuk pati fjalime publike, por ipeshkvijtë që morën pjesë folën më pas për qëndrimin e Papës “që shprehu drojtjen se një vëmendje më e madhe ndaj shpenzimeve për armatime do të ishte e dëmshme për mbështetjen e atyre që kanë më shumë nevojë dhe janë më të prekshëm”.
Papa Leoni, duke pritur më 19 majin e kaluar përfaqësues të Kishave, bashkësive kishtare dhe feve të tjera, kujtoi: “Në një botë të plagosur nga dhuna e konflikti, secila prej bashkësive të përfaqësuara këtu sjell kontributin e vet të urtisë, dhembshurisë, angazhimit për të mirën e njerëzimit dhe mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët. Jam i bindur se, po të jemi dakord dhe të lirë nga kushtëzimet ideologjike dhe politike, mund të jemi të vlefshëm nëse i themi ‘jo’ luftës dhe ‘po’ paqes, ‘jo’ garës së armatimeve dhe ‘po’ çarmatimit, ‘jo’ një ekonomie që varfëron popujt dhe Tokën e ‘po’ zhvillimit integral”.
Fjalë për t’u kujtuar dhe për t’u përsëritur sot, në dhjetëvjetorin e enciklikës shoqërore Laudato si’, përballë një bote që nxiton të riarmatoset, duke shfrytëzuar burimet që do të mund të përdoreshin për të luftuar urinë e varfërinë.