De Paula Souza: t? b?hemi misionar?, q? takojn? familjet n? v?shtir?si
R.SH. – Vatikan
“Ju falënderoj për punën që po bëni, me veprimin ungjillëzues të Kishës në Brazil, në bashkim me Papën Leoni XIV, për ta ripërtërirë gjendjen tonë si shtegtarë të Shpresës, në shërbim të familjeve dhe duke ecur me to, në këtë kohë provanie, që na ofron Viti Jubilar”. Me këtë falënderim, Sekretari i Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, Gleison De Paula Souza, hapi lidhjen e tij me video gjatë Simpoziumit XV Kombëtar mbi Familjet, që u zhvillua në Aparecida, Brazil, më 24 maj.
Familja shtegtare e shpresës: takimi në Aparecida
Të thirrur nga Komisioni Ipeshkvnor për Jetën dhe Familjen i Konferencës së Ipeshkvijve të Brazilit, rreth 5.000 vetë u mblodhën në Shenjtëroren Kombëtare të Zojës së Aparecidës, më 24 dhe 25 maj, për Simpoziumin XV dhe për Shtegtimin Kombëtar të Familjeve, të frymëzuar dhe të udhëhequr nga tema "Familja, shtegtare e shpresës". Punonjës baritorë familjarë, përfaqësues dhe anëtarë të lëvizjeve të ndryshme kishtare që punojnë me familjet, si edhe familje të impenjuara në dioqeza dhe famulli, dëgjuan sekretarin De Paula Souza, i cili, në fjalimin e tij të parë që nga zgjedhja e Leonit XIV, reflektoi mbi sfidat dhe mundësitë për t’u jetuar në baritorinë familjare, në këtë kohë Jubileu.
Përvoja e faljes në familjet e lënduara dhe të prekura nga kriza
“Baritoria familjare në Brazil po përjeton një kohë impenjimi të jashtëzakonshëm misionar. Por sfidat janë të mëdha”, theksoi De Paula Souza. Si misionarë, të angazhuar në shërbesën për familjet, sfida e vërtetë është të kujtojmë gjithmonë se “për të shpallur Krishtin, së pari duhet ta takojmë atë personalisht. Kjo është kthesa e vërtetë misionare për të cilin flet Papa Françesku në Nxitjen apostolike ‘Evangelii gaudium’”, shtoi sekretari. Duke u nisur nga kjo kthesë, pranohet me guxim dhe shpresë të përtërirë detyra misionare për të qenë ndihmë dhe mbështetje për familjet në krizë, për familjet, që vuajnë për arsye nga më të ndryshmet. “Krizat janë pjesë e historisë dhe e rrugëtimit të familjeve”, shpjegoi De Paula Souza, “dhe, në këtë kuptim, është e nevojshme të punohet në mënyrë baritore, me vendosmëri, mbi përvojën e faljes, e cila mund të shërojë marrëdhëniet e lënduara ndërmjet anëtarëve të saj, siç na kujtonte Papa Françesku”.