杏MAP导航

K?rko

Buddha Purnima celebrations in Bangalore

Budist?t dhe t? krishter?t n? dialog p?r t’u b?r? ball? sfidave t? sotme

N? nj? mesazh urimi me rastin e kremtimit t? fest?s s? Vesakut, Dikasteri p?r Dialogun Nd?rfetar n?nvizon impenjimin e p?rbashk?t me budist?t p?r t? nxitur "veprime konkrete p?r paqen, drejt?sin? dhe dinjitetin e t? gjith?ve"

R.SH. – Vatikan

“Dialogu ndërmjet nesh shërben për të komunikuar thesaret e traditave tona fetare, duke e përdorur urtinë e tyre për t'iu përgjigjur sfidave urgjente të kohës sonë”. Kështu shkruhet në mesazhin e urimeve për festën e Vesakut, e cila përkujton ngjarjet kryesore në jetën e Budës. Dokumenti nënshkruhet nga prefekti i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, kardinali George Jacob Koovakad dhe nga sekretari, imzot Indunil Janakaratne Kodithuëakku Kankanamalage.

Në tekst, ku vihet në dukje fakti se kjo festë budiste kremtohet ndërsa për katolikët vazhdon Jubileu, përmendet shpesh “Nostra Aetate”, Deklarata e Koncilit II të Vatikanit mbi marrëdhëniet e Kishës me fetë jo të krishtera, 60 vjet pas botimit të saj, duke u thelluar më tej në të. Theksohet se "Kisha Katolike nuk hedh poshtë asgjë nga ç’është e vërtetë dhe e shenjtë" në fetë e tjera të cilat, pavarësisht nga ndryshimet me katolikët, "pasqyrojnë një rreze të asaj të vërtete, që ndriçon gjithë njerëzit".

Dialog, që çliron

Gjithashtu, në dokument nënvizohet “rezonanca e thellë në kërkimin e përbashkët të së vërtetës dhe të plotësisë së jetës”, që përputhet me mësimet e traditave përkatëse. “Në kohën tonë, karakterizuar nga përçarjet, konfliktet dhe vuajtjet - lexohet në mesazh – pranojmë nevojën urgjente për një dialog, që çliron e që nuk kufizohet vetëm në fjalë, por mund t’i kthejë këto fjalë në veprime konkrete për paqen, drejtësinë dhe dinjitetin e të gjithëve”.

Thesaret e traditave fetare

Dikasteri për Dialogun Ndërfetar vë në dukje më pas se bota e sotme ka “padrejtësi, konflikte dhe pasiguri për të ardhmen”, njësoj si në kohën e “Nostra Aetate”, por kujton “aftësinë e thellë” të feve për të ofruar përgjigje të rëndësishme. “Dialogu ndërmjet nesh – shkruhet më tej në tekst – shërben për të komunikuar thesaret e traditave tona fetare, duke përdorur urtinë e tyre për t’u bërë ballë sfidave urgjente të kohës sonë”.

Uniteti dhe dashuria ndërmjet popujve

Dialogu dhe dëshira për vëllazërim, theksohet në tekstin e Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, na nxisin të “përpiqemi për unitetin dhe dashurinë ndërmjet gjithë popujve dhe kombeve, duke na ftuar të ndërtojmë mbi ç’kemi të përbashkët, t’i vlerësojmë ndryshimet dhe të pasurohemi reciprokisht nga traditat tona të ndryshme”. Duke kujtuar Dokumentin e Abu Dabit mbi Vëllazërimin Njerëzor për Paqen Botërore dhe Jetën e Përbashkët, përvijohet kultura e dialogut si rrugë për t’u ndjekur, që bashkëpunimi të kthehet në kod sjelljeje dhe mirëkuptimi ndërmjet feve të konsiderohet metodë dhe kriter për të. Së fundi, shpresohet që nëpërmjet dialogut “traditat përkatëse fetare të japin përgjigje të denja për sfidat e kohës sonë”.

12 maj 2025, 14:30