杏MAP导航

K?rko

Papa Leoni XIII n? portantin? Papa Leoni XIII n? portantin?

134 vjet nga “Rerum Novarum”, enciklika sociale e Leonit XIII, frym?zim p?r Pap?n aktual

Kan? kaluar 134 vjet q? nga botimi i “Rerum Novarum”, dokument i shpallur m? 15 maj 1891. Menj?her? pas zgjedhjes s? tij, Papa Leoni XIV theksoi se Kisha, duke u mb?shtetur n? trash?gimin? e Doktrin?s s? saj Shoq?rore, ?sht? e thirrur t'i p?rgjigjet "nj? revolucioni tjet?r industrial dhe zhvillimeve t? Inteligjenc?s Artificiale"

R.SH. – Vatikan

Kremtohet sot 134-vjetori i enciklikës “Rerum Novarum” të Papës Leoni XIII, që vuri bazat e Dotrinës Shoqërore të Kishës Katolike. Ajo, siç tha Papa aktual Leoni XIV, në takimin me kardinajtë, më 10 maj, trajton "çështjen sociale në kuadrin e revolucionit të parë të madh industrial; e sot Kisha u ofron të gjithëve trashëgiminë e saj të doktrinës shoqërore për t'iu përgjigjur një revolucioni tjetër industrial dhe zhvillimeve të Inteligjencës Artificiale, të cilat sjellin sfida të reja për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe punës". Pikërisht për këtë arsye, Ati i Shenjtë zgjodhi të marrë emrin e paraardhësit të tij, për të treguar qartë se cila do të jetë vëmendja e tij kryesore gjatë papnisë, në këtë epokë, në të cilën mbizotërojnë çekuilibrimet ekonomike dhe sfidat e reja, por ku, ashtu si në vitet ‘800, bota e punës është një nga shtyllat, që mban stukturën shoqërore.

Kush ishte Leoni XIII

 Leoni XIII, i lindur në Romë si Vincenzo Gioacchino Raffaele Luigi Pecci, u ul në fronin e Shën Pjetrit nga viti 1878 deri në vitin 1903, periudhë ndryshimesh të mëdha shoqërore dhe politike. Ai erdhi pas Papës Piu IX, që ishte shprehur kundër unitetit të Italisë, e cila, me bersaljerët e saj, më 20 shtator 1870, merrte në dorë Romën, duke i dhënë fund pushtetit politik të Papëve. Leoni XIII e kuptoi se Vatikani duhej të orientohej më shumë drejt një këndvështrimi shoqëroro-ekonomik.

Faqja e parë e gazetës vatikanase "L'Osservatore Romano", 19 maj 1891
Faqja e parë e gazetës vatikanase "L'Osservatore Romano", 19 maj 1891

E, me të vërtetë, ndërmjet 86 enciklikave që shkroi, mbahet mend kryesisht për enciklikën e tij më të njohur e, në një farë mënyre, më revolucionare, “Rerum Novarum”, botuar në vitin 1891. Vetë titulli është i qartë: nga latinishtja, do të thotë "E gjërave të reja", prandaj, synon të trajtojë çështjet më urgjente të aktualitetit, duke filluar me mënyrën se si feja katolike hyn në marrëdhënie me botën e punës dhe me të drejtat e punëtorëve. Ky dokument përuron doktrinën shoqërore të Kishës, pra, tërësinë e parimeve, të teorive dhe të mësimeve, që rregullojnë problemet me natyrë shoqërore dhe ekonomike. Në enciklikën e tij, Leoni XIII ndërmjetëson me rrymat e ndryshme brenda Kishës, që mbanin qëndrime nganjëherë të kundërta para përparimit të kapitalizmit (nga njëra anë, kishte nga ata, që donin t'i afroheshin socializmit me një interpretim antimarksist, nga ana tjetër, ishin ata, që promovonin një liberalizëm të plotë). Enciklika i nxit punëtorët të mos e lëshojnë veten në dorën e instinkteve të dhunshme dhe revolucionare, por u kërkon edhe punëdhënësve të kenë respekt dhe t’i mbrojnë punonjësit e tyre.

Teksti i “Rerum Novarum”

“Në mbrojtjen e të drejtave të individëve, duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë të brishtëve dhe të varfërve”, lexohet në enciklikën “Rerum Novarum”. Më tej, Leoni XIII shkruan: “Më e rëndësishmja nga këto detyra është t’u japësh të gjithëve një pagë të drejtë… Të vjedhësh pagën, që detyrimisht i duhet dhënë punëtorit, është një mëkat aq i madh, saqë kërkon hakmarrje në sytë e Zotit”. Enciklika trajtoi çështje të ndryshme të drejtësisë shoqërore, duke nxitur lindjen e sindikatave me frymëzim katolik, duke promovuar solidaritetin e krishterë si gurthemel në marrëdhëniet e punës dhe duke e ftuar shtetin të ndërhyjë në raste konflikti në punë. Enciklika konsiderohet si një nga dokumentet themelore të shekullit XIX, që përvijoi të ashtuquajturën “udhë të tretë” në teoritë ekonomike, duke u vendosur, në një farë mënyre, në gjysmë të rrugës, midis “Esesë mbi Liritë” të John Stuart Mills, ku individualizmi shihej si rrugë drejt progresit dhe mirëqenies, dhe Kapitalit të Marksit, i cili bëri të lindë socializmi e, më pas, komunizmi. Nga njëra anë, “Rerum Novarum” njeh të drejtën e pronës private, por, nga ana tjetër, dëshiron të mbrojë nevojat themelore të punëtorëve.

Bota e 1900-ës dhe bota e sotme
Bota e 1900-ës dhe bota e sotme

Puna të mos e dobësojë njeriun

Në këtë enciklikë, Papa Leoni XIII ndalet në kushtet e vështira të punës në industri. “Nuk është as e drejtë dhe as njerëzore”, theksohet në dokument, “të kërkosh nga njeriu aq shumë punë sa mendja e tij të mpihet nga lodhja e tepërt dhe trupi të dobësohet. Ashtu si natyra e tij, edhe veprimtaria e njeriut është e kufizuar dhe përmbahet brenda kufijve të mirëpërcaktuar, përtej të cilave nuk mund të shkojë. Ushtrimi dhe përdorimi e përsosin atë, me kusht që herë pas here të pezullohet, për t'i lënë vendin pushimit. Prandaj, puna nuk duhet të zgjatet më shumë sesa e lejojnë forcat”. Një çështje tjetër e pranishme në enciklikën e vitit 1891 është ajo e edukimit për të kursyer. "Kur punëtori merr një pagë të mjaftueshme për të mbajtur veten dhe familjen e tij në njëfarë mirëqënieje, nëse është i mençur, natyrshëm, do të mendojë për të kursyer". Këto janë reflektime aktuale, që vlejnë edhe në kohën tonë, e cila shpesh ka kufij të papërcaktuar mirë ndërmjet punës dhe jetës personale. Edhe tema e kursimit, parë si mjet për të mbështetur familjen, është shumë aktuale, sepse i jep vlerën e duhur pagës, e cila sot sulmohet gjithnjë e më shumë nga konsumizmi i shfrenuar.

Enciklikë aktuale

Për të gjithë këto “gjëra të reja”, Leoni XIII mbahet mend si “Papa social”, ose “Papa i punëtorëve”. Fakti që Papa i ri zgjodhi emrin Leoni XIV tregon, ndër të tjera, dëshirën për ta marrë sërish në dorë këtë doktrinë shoqërore të Kishës, ndoshta, kësaj radhe, jo aq duke e lidhur vetëm me dinamikën e punës, por në përgjithësi, me luftën kundër pabarazive globale dhe me respektin për më të fundmit e kësaj bote, pa harruar çështje të mëdha e të vështira për t’u zgjidhur, si migrimi, emergjenca klimatike, pasojat e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në një shoqëri, që ndryshon me shpejtësi marramendëse. Këto janë tema, me të cilat është marrë Robert Francis Prevost edhe kur ishte ipeshkëv e kardinal, tema në vazhdimësi me paraardhësin e tij, Papën Françesku.

15 maj 2025, 12:06