Selia e Shenjt?: t? anulohet ose zvog?lohet borxhi p?r mir?qenien e popullsive
R.SH. – Vatikan
Fakti që shumë shtete në zhvillim shpenzojnë më shumë burime për lehtësimin e borxhit në vend që të investojnë për “nevojat bazë të domosdoshme” për mirëqenien e popullsisë “nuk është vetëm një padrejtësi ekonomike, por edhe një skandal moral që kërkon veprim urgjent”. Ky është apeli i Imzot Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në Sesionin e 58-të të Komisionit për Popullsinë dhe Zhvillimin, me temën “Sigurimi i një jete të shëndetshme dhe promovimi i mirëqenies për të gjithë në të gjitha moshat”, e cila u zhvillua më 9 prill, në Nju Jork.
Në këtë vit jubilar, në të cilin Papa Françesku u bëri thirrje shteteve më të pasura që "të falim borxhet e vendeve që nuk mund t'i shlyejnë kurrë", kryeipeshkvi Caccia theksoi rëndësinë e një akti solidariteti të këtij lloji. Një gjest që do t'i jepte hapësirë “fiskale për të bërë investime thelbësore në sektorin e shëndetësisë dhe do të ndihmonte në garantimin e një jete të shëndetshme dhe mirëqenie” për mbarë popullsinë.
Pabarazitë vazhdojnë
“Pavarësisht progresit të rëndësishëm të bërë në dekadat e fundit në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së popullatës, - tha vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit në fjalimin e tij - Selia e Shenjtë vëzhgon me shqetësim serioz” sfidat dhe çështjet kritike që mbeten në ofrimin e kujdesit shëndetësor, veçanërisht për “popullsitë më e cenueshme”. Imzot Caccia vuri në dukje se vdekshmëria amtare dhe foshnjore, për shembull, “mbetet në mënyrë të papranueshme e lartë” në shumë pjesë të botës. “Miliona fëmijë nën pesë vjeç vdesin çdo vit nga shkaqe të parandalueshme si kequshqyerja dhe sëmundjet infektive”. Për të garantuar zhvillimin dhe shëndetin e të gjithëve, vazhdon Imzot Caccia, është thelbësore të njihen dhe të adresohen pabarazitë e thella“në sektorin e kujdesit shëndetësor ”, të cilat vazhdojnë midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim e sipër“. “Miliona njerëz në vendet me të ardhura të ulëta nuk mund të përballojnë ose të marrin as kujdesin mjekësor më elementar. Kjo pabarazi, vazhdon Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, përkeqësohet më tej nga barra dërrmuese e borxhit mbi vendet në zhvillim“, të cilat nuk po arrijnë të drejtojnë fondet drejt çështjeve themelore si çrrënjosja e varfërisë, sektori i shëndetësisë, ushqimi, apo edhe aksesi në ujë të pastër.